Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përsëriti qëndrimin se partia të cilën e drejton nuk do të marr pjesë në asnjë votim, as në seancat plenare e as në komisione derisa të formohet Komisioni hetimor për energjinë. “Kemi vendosur mos të marrim pjesë në asnjë votim në Kuvend të Kosovës, përderisa nuk themelohet Komisioni Hetimor për çështje energjetike, sepse e konsiderojmë dhe të drejtë kushtetuese por mbi të gjitha e konsiderojmë të drejtë të qytetarëve tanë. Ka ndodhur një menaxhim skandaloz i krizës të energjisë elektrike në vendin tonë, nga zyrtarët më të lartë qeverisë, një papërgjegjësi e paparë prej muajit të verës, vjeshtës dhe atë të dimrit. Dhe ka ndodhur një përfundim skandaloz që i merr Kosovës 120 milionë euro, i vendos në një kompani private dhe prapë rrit faturat e energjisë elektrike deri në 100 për qind. Po kërkojmë transparencë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se arsyetimet e kota të pushtetit rreth themelimit të Komisionit Hetimor nuk mund ta ndalojnë themelimin.