Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nëse kryeministri Kurti si inxhinier me profesion nuk e di se çmimi i rrymës mund të kontraktohet paraprakisht, atëherë le ta kthejë diplomën në universitet. Ai në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit nënvizoi se çmimet e rrymës mund të rezervohen. “Jam i bindur se ai duhet ta dijë e nëse nuk e din si inxhinier ta kthejë diplomën menjëherë në universitet, sepse çmimi i rrymës kontraktohet rezervohet. Çmimet fiksohen sikur se për grurin, naftën e çdo mall tjetër. Në treg mund të blesh energji elektrike me çmimet që nuk ndryshojnë por për të bërë një gjë të tillë duhet të veprosh në kohë jo i fundit në Evropë”, tha Abdixhiku. Kurti në një intervistë për “Zërin e Amerikës” kishte thënë se Qeveria nuk ka mundur të blejë rrymë më herët për të shmangur krizën me energji, pasi rryma nuk mund të konservohet në frigorifer.
