Lumnije Sherif Raka (11.6.1976 - 9.4.1999)

Lumnije Sherif Raka (11.6.1976 – 9.4.1999)

Krahas djalërisë shqiptare, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u radhitën edhe shumë bija liridashëse nga mbarë trojet tona. Ndër vajzat e para, që vullnetarisht u radhitën në radhët e UÇK-së, në rrethin e Kaçanikut, ishte edhe Lumnije Raka. 

Lumnije Raka lindi më 11 qershor të viitit 1976, në Kaçanik. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Bob të Kaçanikut, ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në Prishtinë, në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”. Si nxënëse ishte shembullore dhe aktiviste e dalluar në jetën kulturore artistike.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, përkundër dëshirës për të punuar si motër medicinale, entet shëndetësore ishin uzurpuar nga pushtuesi, kështu që ajo regjistroi studimet në Fakultetin Filozofik, degën e Pedagogjisë. Asokohe në radhët e rinisë studentore vlonin bisedat për organizimin ilegal kundër pushtuesit. Mjediset studentore, si gjithnjë, shquheshin për veprimtari të grupeve ilegale të cilat vepronin kundër okupatorit.

Shumë studentë ishin radhitur në strukturat e UÇK-së dhe kryenin detyra të ndryshme në zonat jashtë luftimeve të drejtpërdrejta, si në furnizim, në informacion, rekrutim, propagandë, organizime të demonstratave në përkrahje të luftës çlirimtare. Në këto aktivitete ishte edhe Lumnije Raka, e cila ishte e brumosur me virtyte të larta kombëtare nga tradita familjare. Pas vitit 1981 pushtuesi nuk kishte ndalur arrestimet e veprimtarëve liridashës edhe në familjen Raka. Xhaxhai i i Lumnijes, Ismajl Raka ishte veprimtar i dalluar i kombit, ish i burgosur politik. Ai kishte punuar shumë në përgatitjen e kaçanikasve për luftë, kishte punuar në furnizim me armatim. Por, denoncuesit e policisë dhe sigurimi serb, të ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tyre në vend, kishin bërë çdo gjë që ta pengojnë në këtë veprimtari. Pasi e arrestojnë, e maltretojnë dhe keqtrajtojnë deri në vdekje. Për arrestimin e Ismajl Rakës kanë kontribuar edhe bashkëpunëtorët: Afet Rexhallari, Halit Loku e shërbëtorë të okupatorit serb. Pasi e arrestojnë e vrasin barbarisht në stacionin e policisë, në Ferizaj. Edhe pse regjimi serb kishte okupuar institucionet shëndetësore, Lumnija nuk hezitoi të japë kontributin e saj në shëndetësi, me qëllim për t’i shërbyer popullit të shumëvuajtur dhe të keqtrajtuar nga pushtuesi. Ajo njëkohësisht mbante lidhje edhe me njësitet e UÇK-së, duke i ndihmuar në forma të ndryshme me medikamente, strehimin dhe shërimin e të plagosurve.

Edhe pse ishte e re, ajo mori pjesë në demonstratat e studentëve, në të gjitha tubimet e organizuara kundër pushtuesit që nga viti 1991 e deri në aktin e rënies në altarin e atdheut.

Duke qenë se njësiti i Kaçanikut ndodhej në luftime në pikat ushtarake të UÇK-së në jezerc, në vitin 1998 dhe pas betejës së 10 gushtit 1998 në Gabrricë, kundër forcave pushtuese, Lumnije Rakës, sikur ju shua dëshira për studime. Ajo tashmë kishte një dëshirë dhe një ideal të vetëm, të kontaktonte me çlirimtarët dhe të radhitet në mesin e tyre. Më 20 tetor të vitit 1998, së bashku me jehona Rakën, paraqitet vullnetarisht në Komandën e Brigadës për t’i kryer stërvitjet e nevojshme ushtarake dhe luftarake. Gatishmërinë e saj për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së e shprehu në prani të eprorëve Qamil llazi e Hajrush Kurtaj, të cilët ndërkohë i informon lidhur me aktivitetet e saj dhe të femrave të tjera të Kaçanikut, të cilat kishin shfaqur gatishmërinë për të hyrë në radhët e UÇK-së.

Stërvitjet ushtarake i kryen individualisht gjatë tetorit dhe nëntorit 1998. Përgatitjet për detyrat e vëzhgimit i ka stërvitur me komandantin e skuadrës së policisë ushtarake, Fadil Qaka.

Në këto stërvitje ka marrë pjesë edhe jehona Raka dhe ushtare të tjera nga Kaçaniku. Pas kryerjes së stërvitjeve ushtarake, Lumnija me bashkëluftëtarët e saj sistemohet në njësitin vëzhgues të policisë ushtarake, njësit që vepronte nëpër qytetin e Kaçanikut. Disa herë kërkon nga komanda e brigadës, të ndërmarrë aksione kundër forcave serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, të cilët ishin vënë në shërbim të armikut kundër popullit të vet.

Detyrat që kishte marrë, Lumnije Raka i kryen deri në fund të shkurtit, kurse nga fillimi i marsit 1999, në pikën e luftës, në lagjen e Rakocit në Kaçanik me detyrë si infermiere e luftës.

Deri në këtë kohë, vepron në kuadër të skuadrës vëzhguese, skuadrës së policisë ushtarake, pastaj sistemohet në ekipet mjekësore në kuadër të Batalionit të Dytë, të udhëhequr Azem Guri.

Lumnije Raka kishte demonstruar aftësi dhe shkathtësi luftarake në përdorimin e armës dhe në gjuatje në distanca të ndryshme, si dhe kishte treguar dije të duhur në mjekësi. Ajo kishte shërbyer si vëzhguese, por edhe si police ushtarake, ku ishte angazhuar drejtperdrejt nga komanda e brigadës, kurse më vonë si luftëtare dhe infermiere në luftë, ku ka bërë një punë të shkëlqyeshme.

Në njësitin e mjeksisë si infermiere ishte e afërt me Milihate Shehun,Valdete Shurdhanin etj. Me rastin e riorganizimit të njësive të brigadës në pozicione, Lumnija me bashkluftarët: jehona Reka, Emsale Frangu, Fadil Çaka, llir Zharku, Nehat Çaka, Muhamet Zeneli, Faruk Dogani, Kadri Trena dhe Avdyrrahman Shehu, ishin së bashku deri në momentin e rënies. Lumnija kishte një kondicion të mirë fizik, ishte shtatlartë, e shëndetshme dhe e fuqishme fizikisht. Po, ashtu, kishte talent në përdorimin e armës, prandaj shumë shpejt e kishte zotëruar atë. E inspiruar nga heroina, Shotë Galica, Lumnija sikur ishte mishëruar me heroinën, duke mos pushuar, deri në rënien heroike, më 9 prill 1999.

Rezistenca çlirimtare zhvillohej edhe brenda qytetit të Kaçanikut nga njësiti tashmë i dëshmuar i Policisë Ushtarake. Në këtë njësit vepronte edhe Lumnije Raka, njësit i cili ndërmori shumë aksione të suksesshme.

Me synim për parandalimin e hyrjes së forcave okupatore në lagjet e qytetit, ku popullata civile ishte më e koncentruar, luftëtarët e UÇK-së në hyrje të qytetit të Kaçanikut sulmuan në befasi kolonën e motorizuar të armikut, paftësuan një autoblindë, një kamion me ushtarë e municione në Lagje të Re.

Atë ditë forcave serbe iu pamundësua hyrja më në thellësi të qytetit, te vendqëndrimet e popullates civile. Edhe pse granatimet dhe mitralimet kalibrash të ndryshëm vazhduan si hakmarrje ndaj humbjeve, që serbët kishin pësuar në fushëbeteja.

Plani serb i tokës së djegur, i gjenocidit mbi popullatën civile, u dëshmua edhe në aksionet e 8 prillit 1999.

Formacionet ushtarake të UÇK-së, krahas obligimit të përgjithshëm për mbrojtjen e popullatës civile, po zbatonin edhe urdhrin aktual të Shtabit të Përgjithshëm. Koncentrimet e UÇK-së në qytet u shtuan edhe me Batalionin e Dytë e formacione të tjera të Brigades 162 “Agim Bajrami”, por edhe armiku i zemëruar tejmase nga humbjet e pësuara edhe një dite më parë, më 9 prill 1999, kishte marrë masa rrethimi me të gjitha potencialet ushtarako-policore e paramilitare. Në shërbimin e okupatorit ishte vënë edhe ndonjë tradhtar i popullit, si Shaip Reka. Sulmi i forcave ushtarake e policore serbe ndodhi në lagjet: Dushkajë, Rakoc, te Përroni i Rakocit dhe në Lagjen e Re. Dushkaja, përpos që u dogj, u përdor edhe si pozicion prej nga sulmoheshin edhe lagjet e tjera. Luftimet ishin të ashpra.
Edhe pse e pabarabartë në armatim, UÇK-ja dëmtoi forcat armike në njerëz e në teknikë ushtarake. Ato u hakmorën mbi popullatën civile. Por, atë ditë ranë shumë ushtarë të UÇK-së dhe pjesëtarë të popullatës civile.

Atë ditë ranë dëshmorë 28 ushtarë, kurse dy të tjerë u plagosën dhe u martirizuan 32 civilë e 3 u plagosën.

Më 9 prill 1999, kanë rënë luftëtarët: Izahir Troni, komandant togu, Fadil Çaka (komandant skuadre), Nehat Çaka, Ilir Zharku, Ejup Dushkaja, Faruk Gogani, Kj ani Bela, Nethush Elezi, Nethush Fera, Shefket Fera, Jehona Raka, (infermiere), Lumnije Raka, (infermiere), Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri, Nevzat Qallaku, Minir Thaçi, Fatmir Horuni, Blerim Raka, Habit Dullovi, Avdyrrahim Shehu, Remzi Zharku, Reshat Shehu, Daut e Adem Rakoci, Raif Krivanjeva, Sulejman Kuka dhe Burim Rexha.

Nga radhët e popullatës civile janë martirizuar: Nebih H. Topojani, Izahir T. Çaka, Irfete B. Çaka, Ionuz B. Bajra, Murat Raka, Menduh Nallbani, Tefik Nallbani, Maksut Nallbani, Xhili Rexha, Hamide Rexha, Mine Gashi, Merzike Dogani, Hamid Shehu, Haki Livoreka, Gyli Raka, Ekram Raka, Xhemajl Haziri, Bajrush Axhami, Iziadin Frangu, Ilaz Rakoci, Osman Livoreka, Arif Raka, Nebih Livoreka, Avdullah Burrniku, Adnan Gula, Rizah Koraqi, Bedri Zharku, Aziz Axhami, Rufki Mulaku, Ramadan Spahiu, Afet Bushi dhe Maliq Zharku. Të plagosur ishin ushtarët: Besnik Bajra, Nethedin Bruti dhe Rrustem Dema, si dhe civilët, Xhemajl Sepa e Hazbije Nika-Koxha.

Po atë ditë, më 9 prill 1999, forcat armike sulmuan edhe fshatin Nikë. Qëllimi i tyre ishte i qartë, sepse po përsëritej gjithandej Kosovës me vrasje, plaçkitje, përndjekje e përfundimisht, e shkatërrimi i kushteve të jetës. Por me sulmin në Nikaj, synohej edhe krijimi i përshtypjes se ekspedita vrasëtare ishte e gjerë, ashtu që të krijohej psikozë pasigurie dhe të pamundësohej edhe ndihma për UÇK-në në luftimet në Kaçanik. Mirpo, edhe atje u zhvillua një betejë e lavdishme, ku forcat e UÇK-së luftuan me moralin më të lartë e me gjithë fuqinë që mundësonte potenciali i tyre ushtarak.

Lumnija ishte e vendosur, i kishte gjithmonë të qarta vendimet e veta, kishte një qëndrim nga natyra, që përshkruante pesonazhin e një vajze inteligjente, e një vajze të edukuar mirë, të ndershme. Dëshironte që gjithmonë të jetë e sigurt në peshën e veprimeve të veta.

Trupi i dëshmores, Lumnije Raka dhe i bashkëluftëtarëve të saj, u gjetën në varrezat masive në fshatin Kaçanik i Vjetër. Në korrik 1999 u organizua rivarrimi i saj dhe i dëshmorëve të tjerë me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve në vendin e quajtur “Te dardha”, në Kaçanik. Në vendin e rënies në altarin e atdheut, Lumnijes dhe 18 dëshmorëve dhe 22 civilëve u është ngritur lapidari i përbashkët në Rakoc të Kaçanikut. Trupi i saj pushon në varrezat e dëshmorve të Kaçanikut.

Për jetën dhe veprën e dëshmores Lumnije Raka është shkruar në librat “Shungullon gryka e Kaçanikut”, autor Hajrush Kurtaj dhe Dëshmorët e 9 prillit”, autor Musli Vërbani, “Në kërkim të dijes dhe lirisë”, grup autorësh.

Lumnije Raka pas vete la nënën, Ajshen, motrat: Barijen, Shyrehtin, Safeten, Fevzijen, Salijen, Fetijen dhe Shkurten, vëllezërit, Sulejmanin e Kadrushin. Familja e Lumnije Rakës në Kaçanik, për bijën dëshmore ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK, nga Komanda e Zonës, nga komanda e Brigadës, nga Këshilli Komunal i Kaçanikut dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …