Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek ka komentuar situatën e fundit politike në Kosovë si dhe tensionet në rritje mes opozitës dhe Qeverisë lidhur me marrëveshjet për Asociacionin me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Lunacek ka thënë për Kosovapress se arrestimi i deputetit Albin Kurti dhe aktivistëve të tjerë është bërë në kohë të papërshtatshme. “Duke i parë protestat e dhunshme në Kuvendin e Kosovës, unë edhe njëherë kërkoj nga partitë opozitare dhe Qeveria përgjegjësi politike që të mos ketë edhe më shumë përshkallëzime në dhunë. Arrestimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe dhjetëra aktivistëve të tjerë të shtunën, mund të jetë kryer sipas procedurave penale, por duke marre parasysh situatën e tensionuar, koha dhe shtrirja e këtij aksioni nuk ishin të dobishme për të përkrahur një fillim fuqimisht të nevojshëm për dialog në mes të opozitës dhe Qeverisë”, tha Lunacek.