Nëse pranë teje kalon një tren dhe njëri nga vagonat lëshon një uturimë mbytëse, dije se ajo është boshe. Nëse dëgjon një tregtar që çirret e gërthet duke reklamuar mallin, dije se malli i tij nuk vlen dy grosh. Çdo boshllëk, tek njerëzit apo tek sendet, lëshon zhurmë e bën potere.
Ndersa, ata që kanë përveshur llërët dhe punojnë, nuk nxjerrin asnjë fjalë, ata janë seriozë dhe të vetëpërmbajtur, sepse janë të angazhuar për ndërtimin e ngrehinës së lavdisë dhe tempullit të suksesit.
Po të kalosh pranë një are të mbjellë me grurë, do të vësh re se kallinjtë që janë të mbushur me kokrra, i gjen kokëulur dhe hijerëndë, ndërkohë që kallinjtë pa kokrra fare i gjen të krekosur.
Tek njerëzit, gjen sërish që janë krejt bosh nga brenda, të falimentuar, zero me bisht, të cilët kanë mbetur në shkollën e jetës, kanë dështuar në sferat e dijes, shkencës, kreativitetit dhe prodhimit.
Përballë kësaj disfate, ata u janë turrur njerëzve të suksesshëm, për të nënvlerësuar çdo sukses të tyrin. Ata i ngjajnë një fëmije hiperaktiv, i cili i afrohet një tabloje madhështore dhe e përlyen me ç’të mundet duke e bërë të pavlefshme.
Këta injorantë, dembelë dhe batakçinj, kanë vetëm projekte imagjinare, argumentet që ofrojnë janë vetëm britmat e çjerrjet, faktet që sjellin janë si të flasësh kodra pas bregut.
E ke pothuajse të pamundur që ndonjërit prej tyre t’i vësh një titull të veçantë, pasi s’kanë haber as nga oratoria, as nga letërsia, as nga inxhinieria, as nga tregëtia etj… Ata nuk radhiten as tek të diturit me nam, as tek nëpunësit prijtarë. Ata nuk i gjen as tek njerëzit e ndershëm dhe as tek bujarët zemërgjerë. Ata janë një zero me bisht të gjatë, jetojnë pa një qëllim në jetë, lëvizin pa plane, ecin të pavendosur, nuk kanë vepra për të cilat të mund të kritikohen. Ata janë thjesht të ulur mbi tokë dhe të ulurit mbi tokë, nuk mund të rrëzohen. Ata nuk kanë me çfarë t’i lëvdosh, sepse janë bosh për nga të mirat. Ata askush nuk i shan, sepse nuk kanë ziliqarë. E për çfarë do i kenë zili?
Në librat e letërsisë , lexova se një i ri, kokrra e dembelit, një dështak me gjithë kuptimin e fjalës, i tha një ditë të atit:”Baba! Mua askush nuk më lëvdon dhe askush nuk më shan, siç ndodh me filanin. Cili është shkaku sipas teje?”
I ati i tha:”Sepse ti je si ai demi i lidhur në të katër këmbët, në therrtoren e kasapit.”
Një njeri bosh dhe trutharë, kënaqësinë më të madhe e përjeton kur rrafshon arritjet e të tjerëve, kur shkel dinjitetin e prijtarëve. Ai vetë ka dështuar në ndjekjen e të njëjtës linjë me ta, prandaj dhe ekzaltohet kur injoron dhe shkel mbi sukseset e tyre.
Një njeri i thjeshtë, por punëtor, e sheh plot zell dhe të zhytur në punën e tij, për ta perfeksionuar sa më mirë produktin e vet. Ai nuk ka kohë që të merret me autopsinë e kufomave të tjerëve, as me mangësitë e varreve të tyre. Ai është i angazhuar në thurrjen e lavdisë së vet.
Dardha e madhe dhe e gjatë, gjithmonë është e gjelbër dhe ofron fruta të shumtë, të ëmbël dhe të dobishëm. Prandaj, sa herë që trutharët e gjuajnë me gurë, ajo ua kthen me kokrrat e saj të ëmbla.
Shpata i thyen kockat në heshtje, ndërkohë që daullja të shurdhon veshët, sepse është bosh. Ne duhet të dreqim veten dhe të perfeksionojmë veprat tona. S’kemi përse të merremi llogaritë e të tjerëve, vrojtimin e ideve dhe mendimeve të tyre, si dhe të organizojmë gjyqin e ndërgjegjeve të tyre. Vetëm Zoti do u kërkojë llogari dhe vetëm.
Po të ishim të pjekur dhe të matur mjaftueshëm, nuk do të kishim kohë boshe të cilën e kalojmë duke thyer kockat e njerëzve, duke u publikuar të metat dhe dobësitë. Vetëm njerëzit e ulët merren me të tjerët, si miza e cila kërkon plagë për tu ushqyer me gjak të pistë.
Ndersa, njerëzit sojli dhe të përzgjedhur, merren me vepra të mëdha, të cilat nuk i lënë as tu hedhin sytë vogëlsirave. Ata janë të angazhuar me pjalmin e luleve, të cilin synojnë ta shndërrojnë në mjalt që kuron njerëzit.
Kuajt e trajnuar të garave, nuk u bën përshtypje brohoritja dhe zhurmat e publikut në stadium, pasi po t’ia vinin veshin brohoritjeve të tyre, do e humbisnin garën.
Puno dhe përpiqu të bësh diçka të hajrit, mos ia vër veshin ziliqarit dhe atij që ndihet krejt bosh në shpirtin e tij.
Një ditë, një mushkonjë u ndal mbi trungun e një molle. Pasi pushoi pak dhe deshi të largohej, i foli molles dhe i tha:”Mbahu zonja mollë se po ngrihem në fluturim!”
Molla ia ktheu:”Nuk të ndjeva kur u ule, si të të ndjej tani që do të ikësh”!?…
Kamionët e gjatë e të mëdhenj që transportojnë hekur, kanë të shkruar anash dhe në fund:”Kujdes, mos u afroni!” Me të hyrë ato në një shesh, të gjithë taksitë dhe biçikletat largohen.
Luani dhe tigri nuk ushqehen asnjëherë me coftina, pasi e ruajnë krenarinë e tyre.
Ndërsa, bubuzhelat dhe mizat, betejat e tyre më të mëdha i zhvillojnë në kazanet e plehrave, aty u shpërthen kreativiteti i tyre më i madh.