Halit Coka

Lutfi Coka: Po vuajmë nga vetëkënaqësia

Kur do të zgjohemi? Kur do t’i përvishemi realitetit? Kur do bëhemi të hapur me veten  tonë dhe me njerëzit? Kur do t’i përballojmë problemet tona me guxim?

Vijojmë të ngushtohemi kur kritikohemi, ta duam pa masë lavdërimin, të lëkundemi para lëvdimit, t’i fshehim plagët tona, t’i varrosim gabimet tona, refuzojmë t’i pranojmë problematikat dhe të këqijat tona; vijojmë të jemi intelektualë që hedhin lumë kritikash mbi njëri-tjetrin, zyrtarë asnjëri prej të cilëve nuk e pranon përgjegjësinë, por ia hedh atë natyrës, shirave, erërave, maleve dhe luginave, madje ia hedhin topin në rrjetë të tjerëve dhe kërkojnë që të sajojnë një prérje, që ta ekzekutojnë në sytë e masës; teksa pjesa tjetër e botës i diskuton çështjet e veta nën kupolën e parlamentit, madje edhe presidenti i vendit më të madhit në botë i thotë popullit të tij: “U kërkoj ndjesë, u kërkoj ndjesë”.

Nuk po na bën dobi as feja dhe as asnjë kulturë. I vizitoj dijetarët dhe çdonjërin e gjej të vetëkënaqur duke i thurur lavdi vetes së tij. Ulem me tregtarët dhe çdonjëri e mendon sojin e tij si një dhuratë nga Allahut për kombin . Ulem me fiset dhe çdonjërin prej tyre e gjej duke kënduar himnet e guximit dhe flijimit, me të cilat kanë për qëllim luftërat rebele dhe plaçkitëse të kohës para unifikimit , nën udhëheqjen e komandantit të revolucionit. Pedagogët dhe publicistët tanë janë strehuar në kulla të fildishta, të gjithë kemi rënë në vetëkënaqësi, çdonjëri nga ne ka marrë drejtimin përbrenda vetes!?…

Teksa hyn tek një nëpunës dhe do ta komplimentosh me një konsideratë e t’ia fitosh vëmendjen me nja dy fjalë, ai ta kthen me një ligjëratë serioze dhe të rrjedhshme, duke folur mbi arritjet e tij teorike personale dhe nismat e tij fantazmë…

Shumica e dijetarëve të ankohen, se njerëzit janë larguar dhe se masa e gjerë tanimë nuk e njeh pozitën e të kualifikuarve (synojnë vetet e tyre), dhe as vendin e dijetarëve (synojnë personin e tyre)…

Në mesin tonë nuk gjen dikë, që të bëjë publike përgjegjësinë e tij kundrejt gabimit të ndodhur apo anomalisë së ngjarë… Media në botën tonë ka marrë përsipër të shfajësojë, të justifikojë dhe t`i thurë himne arritjeve, për të cilat na ka zili vetë Këshilli Evropian, me të cilat është mahnitur Kongresi Amerikan, ka mbetur me gisht në gojë Kremlini dhe janë çuditur Tigrat e Azisë…

Kemi alergji nga kritika, të cilën e refuzojmë dhe s’e pranojmë, ndërkohë që shpallim si armik këdo që kritikojmë. Shkriftohemi nga lavdërimi, sheqerosemi nga lëvdimi dhe drogohemi nga komplimentimi. Kushdo na falënderon, lavdëron dhe na bën himne, është i dashuri jonë… Masa jonë e gjerë lavdinë e fisit cicëron dhe himne të parëve u këndon… Publicistët në përgjithësi ngacmojnë simbolet e shoqërisë, eprorët, dijetarët, ministrat dhe intelektualët, pasi e gjejnë lavdinë në akuzat që u hedhin këtyre të fundit, në kryqëzimin e këtyre kundërshtarëve në dërrasën e vdekjes…

– Në fakt, këtë nuk po e them për ta fshikulluar veten, por e them pasi është një realitet dhe duke qenë se jam vënë në kontakt me të gjitha shtresat e shoqërisë e kam ndenjur me ta. Unë, që s’jam veçse një prej tyre, jam prekur nga e njëjta sëmundje që i ka prekur edhe ata. Duam të na puthin kokën, të na drejtohen me komplimente. Nga ana tjetër zemërohemi, nëse emrat na zhvishen nga titujt.

Kështu bëri në fakt edhe pjesa tjetër e botës… Ata i thërrasin titullarët e tyre vetëm në emër, kurse tek ne të pi e zeza atë ditë kur t’ia zhveshësh ndokujt titujt e tij shkencorë apo të trashëguar.

Ne e mbulojmë plagën, por nuk e kurojmë atë, e fshehim anomalinë por nuk e ndreqim atë, e groposim gabimin, por nuk i dalim në ballë atij.

Nuk kam arritur ta dëgjoj ndokënd, ndonjë ditë, që të kërkojë falje apo të thotë: “Unë jam përgjegjës për atë që ndodhi”.

Prandaj dhe gabimet tona do vijojnë, sepse fillimi i ndreqjes është pikërisht pranimi i gabimit.

E pra ne jemi më të mirët që kemi kalëruar, që kupën e vdekjes e kemi kapërdirë, që ngjarjet i kemi memorizuar dhe në kënde kemi qëndruar, ndërsa të tjerët nuk na provokojnë edhe pse janë ngjitur në sipërfaqen e hënës, kanë arritur në Mars, kanë mësyrë tabanin e oqeanit ose e kanë lulëzuar jetën e tyre të kësaj bote, pasi ata nuk janë veçse shurdhët e detit, që kurrë nuk mund të jenë si ne në origjinë dhe heroizma, sepse ne e kemi ruajtur trashëgiminë tonë të lashtë, mokrën, vazon, lahutën, sëpatën, rrotën e drunjtë dhe leqen; bravo na qoftë, bravo!?…

Zoti na i eliminoftë kurthet që bota bën kundër nesh; do vijojmë të lutemi kundër amerikanëve, evropianëve, japonezëve, kinezëve dhe koreanëve; që na paskan ngritur pusi, nga inati dhe xhelozia.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …