Reçaku, luftës për çlirimin e trojeve shqiptare ia ka dhënë 12 dëshmorë dhe 42 martirë. Masakra mbi popullatën civile, të cilën e kryen forcat ushtarake dhe policore serbe, më 15 janar të vitit 1999, kundër banorëve të këtij fshati ishte ndër më monstruozet përnga mënyra e ekzekutimit dhe masakrimit të kufomave. Akti i asaj egërsie barbare, të cilën e kryen serbët e militarizuar mbi shqiptarët e paarmatosur i dha lemerinë forcave demokratike përparimtare të mbarë botës. Krimi makabër kundër civilëve, bëri që të aktivizohet diplomacia përparimtare botërore, e cila aktin e shëmtuar të masakrimit e trajtoi si “krim të rëndë kundër njerëzimit”. Më 15 janar të vitit 1999, nga radhët e luftëtarëve të Reçakut kanë rënë në mbrojtje të popullatës civile, Lutfi Bilalli, Mehmet Mustafa, Kadri Syla, Enver Rashiti, Shaqir Berisha, ndërkohë që kanë rënë në përpjekje për tërheqje të popullatës, Nexhat Ramadani, Sadik Osmani dhe Ragip Bajrami. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së kanë rënë edhe Alush Mustafa, Afrim Syla, Idriz Mehmeti dhe Elmi Kamberi, i cili ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të gjithë nga Reçaku.
Gjatë masakrës së ofensivës serbe në Reçak, policët dhe ushtarët serbë, masakruan këta banorë të Reçakut: Hakip Imer Hakipi, 30-vjeçar, Ahmet Izet Ahmeti, 60-vjeçar, Eshref Halim Jakupi, 53-vjeçar, Lutfi Hasan Maliqi, 44-vjeçar, Jashar Milaim Jashari, 25-vjeçar, Njazi Sherif Zymeri, 44-vjeçar, Shyqëri Ismajl Ismajli, 60-vjeçar, Haqif Shefki Hysenaj (Petrovë) 49-vjeçar, Muhamet Faik Ismajli-Reçak, 44-vjeçar, Fatmir Faik Limani, 35-vjeçar, Murtez Ramiz Ymeri, 30-vjeçar, Mehmet Qerim Jakupi 43-vjeçar, Muhamet Hafiz Imeri, 22-vjeçar, Shukri Milaim Jashari, 19-vjeçar, Sheremet Shyqëri Ismajli, 35-vjeçar, Mufail Mehdi Hajrizi,30-vjeçar, Bujar Hanefi Hajrizi – Reçak, 19-vjeçar, Salih Faik Limani 24-vjeçar, Nexhat Faik Limani, 22-vjeçar, Xheladin Ahmet Jakupi,17-vjeçar, Raif Milaim Jashari, 17-vjeçar, Bajrush Nesret Shabani, 23-vjeçar, Rizah Maliq Beqiri, 49-vjeçar, Halim Riza Beqiri, 13-vjeçar, Zenel Shefqet Beqiri, 22-vjeçar, Bajram Sokol Mehmeti, 50-vjeçar, Hanumshahe Bajram Mehmeti, 22-vjeçare, Ajet Minush Emini, 37-vjeçar, Nazmi Nuhë Imeri, 75-vjeçar, Banush Azem Dauti –65-vjeçar, Haki Murat Metushi, 65-vjeçar, Sabri Murat Metushi, 60-vjeçar, Arif Murat Metushi, 55-vjeçar, Hajriz Brahim Brahimi, 58-vjeçar, Ahmet Zenun Mustafa, 65-vjeçar, Skënder Sylejman Halili, Mustafë Beqë Asllani, 42-vjeçar, Bajram Haki Xheladini, 33-vjeçar, Sahide Haki Metushi – Reçak, Hanumshahe Sadik Mujota-Mollapolc, rreth 16-vjeçare. Deri në përfundim të luftës në këtë fshat u vranë edhe Halit Shaqiri, 54-vjeçar dhe Avdyl Sejdiu, 95-vjeçar, i cili u dogj brenda shtëpisë ku ishte i strehuar.
Lutfi Bilalli u lind më 15 korrik të vitit 1957 në fshatin Reçak nga prindërit Hasan dhe Arife Bilalli, nga fshati Devetak. Arifja ishte e bija e patriotit Imer Devetaku.
Lutfiu Kishte të mbaruar shkollën fillore në Reçak, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në familje detyrohet të ndërpresë shkollimin dhe t’i përkushtohet mbijetesës ekonomike të familjes.
Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, për të siguruar kafshatën e gojës për veten dhe familjen, Lutfiu emigroi në vendet perëndimore, ku qëndroi një kohë të gjatë. Me djersën e derdhur në mërgim dhe me fitimin e arritur atje kishte arritur t’i përmirësojë kushtet ekonomike të familjes, si dhe t’i shkollojë vëllezërit pas tij. Pasi që i ishin rritur vëllezërit dhe kishte rregulluar mirë gjendjen ekonomike në familje, por edhe duke parë se ishte përkeqësuar mjaft situata politike në Kosovë, Lutfiu vendos të kthehet në gjirin familjar disa vite para se të fillonte lufta e armatosur ççlirimtare.
Lutfiu ishte shtatgjatë, i bukur, i afërt, punëtor dhe aktiv, si dhe i pajisur me ide atdhetare. Aktivitetin e tij të filluar në Perëndim, derisa ishte në punë të përkohshme, e vazhdoi edhe pas kthimit në atdhe, deri në fillimin e luftës çlirimtare e deri në rënie. Puna që bënte në shitoren e tij mundësonte që Lutfiu të merrej me shumë aktivitete, siç ishte mbështetja e popullsisë dhe furnizimi me material ushqimor e shpenzues për nevojat e përditshme dhe ato të luftës.
Data 15 janar e vitit 1999, Lutfi Bilallin e gjen në fshatin Reçak me familjen e tij, me nënën dhe babain. Herët në mëngjes ai kishte dëgjuar si dhe kishte parë lëvizjet e forcave policore rreth fshatit. Kishte parë se fshati ishte i rrethuar në rrethim të hekurt. Pasi që kishte një aktivitet të përbashkët me mësuesin Sadik Osmani, del nga oborri i tij dhe drejtohet për në oborrin e Sadikut për t’u konsultuar për variantet e mundshme të largimit nga fshati në drejtim të pyllit më të afërt, apo për të gjetur ndonjë formë tjetër të shpëtimit me familjen dhe ata bashkëfshatarë të cilët kishin qëndruar deri në ato çaste bashkërisht në fshat. Derisa ishte në oborrin e Sadikut, aty sa vinte e rritej numri i fshatarëve, të cilët vinin kush për të kaluar në pyllin e afërt përmes oborrit të tij e kush për t‘u konsultuar sesi të veprohej në ato çaste të vështira. Papritmas, popullata e tubuar në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit gjendet të rrethuar nga policia serbe në të gjitha anët. Pasi i ndan burrat nga gratë, policia kriminale i kishte urdhëruar gratë të hyjnë brenda në shtëpi, ku i kishte mbyllur me çelës, ndërsa burrat i kishte detyruar të qëndrojnë jashtë në borën e ftohtë, pa kursyer as fëmijët, që në ato çaste gjendeshin aty. Ata ishin torturuar mizorisht, pastaj ishin detyruar të renditen në rresht për një dhe të ecin në drejtim të Kodrës së Bebushit. Në majën e Kodrës së Bebushit, ata po i pritnin kriminelët e tjerë paramilitarë, siç ishin marrë vesh me policinë përmes radiolidhjes. Aty, ekzekutohen nga afërsia me breshëri automatiku.
Mjeku i luftës, Vezir Bajrami, i vrarë mizorisht pas luftës, në raportin e tij mjekësor, duke përshkruar gjendjen faktike të të maskaruarve ka shënuar: “Lutfiu në momentin e vrasjes kishte të veshura rroba të kaltra. Kishte një pallto të trashë dimri me ngjyrë të kaltër, një këmishë të kaltër, po ashtu edhe xhemper të kaltër, si dhe pantallona-farmerka të kaltra. Mbathur kishte çizme të llastiku me ngjyrë të zezë, kokën e kishte të mbështjellur me një shallë të trashë me ngjyra të kaltra dhe të kuqe. Gjendej shtrirë në shpinë mu në mes të vijës në Kodrën e Bebushit, kokën e kishte në anën e epërme në drejtim të kolonës së të vdekurve, ndërsa këmbët i kishte në anën e poshtme. Sytë i kishin mbetur hapur. Të shikonte sikur të ishte i gjallë. Mbi gjoks kishte portofolin, të cilin policia ia kishte nxjerrë nga xhepi, ia kishin marrë paratë që kishte dhe portofolin e thatë ia kishin gjuajtur mbi gjoks. Plagët i kishte nga armë zjarri nga afërsia disametërshe. Një vrimë hyrëse kishte në ballë mbi syrin e djathtë , vrimë hyrëse kishte edhe në anën e majtë afër bishtit të syrit. Kishte shumë vrima hyrëse edhe në kraharor, sepse me gjasë ishte i vrarë ballë për ballë. Vrimat hyrëse ishin nga ana e përparme. Pas vdekjes, ishte masakruar me mjet të mprehtë dhe të topitur. Veshin e djathtë e kishte të nxjerrë, sipas mendimit tim, për së gjalli, gjatë maltretimit fizik, ndërsa me mjetin e topitur i ishte thyer kafka dhe i ishte nxjerrë truri. Edhe te Lutfiu shihet se policia serbe kishte përdorur të gjitha format e maltretimit, si dhe të gjitha llojet e armëve. Ishte i maltretuar fizikisht, i vrarë me armë zjarri nga afërsia dhe i ishte thyer koka me mjet të fortë dhe të topitur. Sipas plagëve të cilat ishin në trupin e tij, u konstatua se policia serbe kishte përdorur të gjitha llojet e armëve, duke filluar nga armët e ftohta, të mprehta dhe të topitura e deri te ato të zjarrit”.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë pjesë edhe Afet Bilalli, i cili është plagosur rëndë gjatë luftimeve në Reçak, si dhe Muhamet Bilalli. Familja Bilalli ka marrë mirënjohje dhe nderime nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, si dhe nga Kuvendi komunal i Shtimes. (A. Q.)