Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje mban përgjegjësinë për të ndërtuar shumicën parlamentare dhe për të siguruar marrëveshje për formimin e Kuvendit, Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit. Haziri tha se LDK nuk po bllokon procesin, pasi po merr pjesë në votime, ndonëse me qëndrime kritike. “Ne nuk kemi obligim të votojmë ‘për’. Edhe kundërshtimi apo abstenimi janë pjesë e demokracisë,” theksoi ai. Sipas tij, Vetëvendosje po ndjek një qasje të njëanshme dhe kokëfortë në përpjekje për ta konstituuar legjislaturën pa arritur konsensus të gjerë për krijimin e institucioneve. Ai shtoi se nuk ka pasur iniciativë tjetër për ndërtim shumice dhe se të gjitha partitë janë në pritje të zbatimit të rezultateve zgjedhore.
