U lind më 15 prill të vitit 1972 në fshatin Kotlinë të Komunës së Kaçanikut. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, regjistrohet në Gjimnazin Skenderbeu në Kaçanik drejtimin matematikor. Qysh në Gjimnaz, Mahiu fillon veprimtarinë atdhetare nga e cila rrugë nuk u nda deri në rënien heroike të tij më 24 Mars 1999 në Kotlinë.
Qysh në moshë të re u bë krah i fortë i punës në familje. Si nxënës dallohej për sjellje të mira, i komunikueshëm me shokët, shumë i zgjuar në mësime. Puna e tij e zellshme paralajmëronte një të ardhme të ndritur. Mësimet i vazhdoi në shkollën e lartë në Prishtinë. Ndërkohë filloi të punoj për herë të parë si mësimdhënës në vendlindjen e tij në shkollën fillore „Naim Frashëri” në Kotlinë. Mirëpo ai nuk u ndal me kaq studimet i vazhdoi në shkollën e Lartë në Prishtinë. Përveç sukseseve të dalluara në mësime të rregullta, shkëlqente edhe në shumë aktivitete të lira që aktivizoheshin nga nxënësit e dalluar të kësaj shkolle, ishte aktiv në shumë lëmenj të diturisë ku demonstroheshin dituritë e fituara në lëndë të ndryshme etj. Në këto kushte të vështira për kombin edhe Mahiu u ballafaqua me peshën e madhe të jetës sepse ai ishte detyruar të angazhoj në shumë drejtime si në studime, mësimdhënës në shkollë dhe mbajtjen e familjes pasi babai i kishte vdekur.
Mahi Loku mori pjesë në të gjitha protestat që organizoheshin nga subjektet politike të kohës. Ishte në ballë të këtyre protestave dhe në një protestë ku brohoritjet më të mëdha ishin për UÇK-në. Nga viti 1995 punoi si arsimtar në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Kotlinë.
Pas shpërthimit të luftës në Drenicë dhe formimit të njësiteve të para edhe në Kaçanik, Mahiu vendosi kontaktet e para në dhjetor të vitit 1998 përmes Milaim Lokut me Komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Kontaktet e para me UÇK-në i mbante fillimisht natën, në malet e Kotlinës, Ivajës, Gajrës, Glloboqicës dhe Puset e Nikës. Mahiu kishte respekt për ushtarët e UÇK-së dhe njëkohësisht respektonte sakrificën dhe vendosmërinë e Komandant Agim Bajramit, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Beguncës, të cilët ndër të parët e filluan luftën në rrethinën e Kaçanikut.
Mahiu luftonte në dy fronte, në atë me kontakte me Shtabin e Brigadës në Kaçanik dhe në anën tjetër në fushën e prapavijës në propagandimin dhe mobilizimin e të rinj. Mirëpo për fat të keq në fshatrat e Kotlinës dhe Ivajës, kishte edhe disa bashkëpunëtorë të armikut të strukturuar në sistemin e okupatorit dhe në shërbim të tyre si Faik Reqi, Sefulla Mulaku, Isak Luta, Bashkim Loku, Rexhep Luta, Shaban Kuçi dhe Enver Rexha. Këta kolaboracionistë ishin të ngarkuar nga okupatori Serb si informatorë dhe policë lokalë të Serbisë. Ushtria serbe, kishte ndërmarrë aksionin e “Tokës së Djegur”, kundër banorëve të Kotlinës me rrethinë të Komunës së Kaçanikut. Ata vetëm prisnin momentin më të përshtatshëm, për zbatimin praktik të skenarit.
Pas humbjeve që forcat serbe pësuan në betejën e Gajrës, më 28 shkurt, të Kotlinës më 9 mars dhe të betejave të tjera, kuptohet, në radhë ishte hakmarrja serbe kundër shqiptarëve.
Shtabi i Brigadës 162 “Agim Bajrami” po bënte përgatitjet e fundit për ngritjen e fortifikimeve dhe mbrojtjen e popullatës. Mahi Loku me trimat e tij ishte ditë e natë në mbrojtje të fshatit.
Ushtria serbe, jo rastësisht kishte zgjedhur fshatrat malore shqiptare, ku ishin strehuar mijëra qytetarë, ata mendonin se me këtë do ta shkatërronin tërësisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe do t’i shkatërronin në themel, shtëpitë që e ndihmonin UÇK-në. Ushtria Serbe kishte angazhuar edhe një numër të bashkëpunëtorëve, ose atyre që kishin punuar dhe vazhdonin ende të punonin, për ushtrinë kriminale dhe pushtuese serbë.
Sipas vëzhguesve të UÇK-së, dhe raportimit të tyre në Shtabin e Brigadës, shihej se planin i tyre për djegien e Kotlinës me rrethin ishte i përpunuar në detaje, për sulmin që do ta merrnin, në emër, gjoja për shkatërrimin e UÇK-së.
Më 24 mars 1999, u zhvillua një luftë e përgjakshme, e cila kishte përfshirë një territor shumë të gjerë, dhe fshatrat: Gajre, Kotlinë, Ivajë dhe Puset e Nikës. Kjo Zonë ishte e tëra në flakë, granatohej në të gjitha anët me të gjitha llojet e armëve, nga tankset, minahedhësit, raketa hedhësit dhe llojet tjera të armëve, e tërë Zona ishte në zjarrë.
Ndërsa njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami” goditnin caqet e pushtuesve dhe pozicionet e tyre në tërë Zonën e zjarrit, dhe kështu pengonin tentimin e tyre për të afruar në pozicionet e UÇK-së. Për arritjen e këtij objektivi, ushtria serbe kishte angazhuar forca të shumta artilerie, tankiste, njësi të blinduar dhe njësi këmbësorie. Në mëngjesin e hershëm të 24 marsit 1999 filloi goditjen me të gjitha llojet e armëve, mbi Kotlinën dhe fshatrat për rreth, duke djegur e shkatërruar shtëpi, shkolla, e masakruar njerëz, fëmijë, gra, pleq mandej ata nuk kursyen as kafshët e fshatit. Toka e djegur, ishte në skenarë të pushtetarëve serbë, që Kosova të mbetet pa asnjë shqiptarë.
Serbët po e zbatonte në praktikë “tokën e djegur”, edhe në komunën e Kaçanikut.
Raporti i forcave ndërluftuese, tani në terren ishte shumë i pabarabartë.
Brigada 162 “Agim Bjarami“ e UÇK-së kishte vetëm armatim të lehtë, por nuk ishin vetëm armët që e bënin, luftën, që i bënin betejat, ishte morali dhe shpirti luftarak i Mahi Lokut dhe bashkëluftëtarëve të tij të UÇK-së, të cilët e dinin pse luftonin, këtë e mbronin me betim mbi flamur.
Në luftimet më të përgjakshme të Komunës së Kaçanikut, në mbrojtje të saj ra heroikisht Mahi Loku me bashkëluftëtarët e tij Ismajl Ismet Kuçi, Sali Bajram Vlashi, Nexhadi Ferat Kuçi, Nexhadi Nuredin Kuçi, Neshat Ferid Rexha, Sabit Garib Loku, Sabri Hamit Loku, Baki Sh. Loku, Izja Ismet Loku, Cen E. Loku, Adnan Refik Loku.
Ushtria serbe kishte masakruar edhe shumë qytetar civil: Mina Baki Kuçi, Sherif Kuçin, Danush Kuçin, Ismajl Loku, Agim Loku, Garib Loku, Beran Loku, Naser R. Loku, Ibush Loku, Naser Loku dhe Ismet Loku.
Pasojat e ofensivës serbe në Kotlinë kanë qenë shumë të mëdha. Të gjitha shtëpitë e granatuara dhe të shkatërruara dhe tërë pasuria e qytetarëve e djegur, vrasje e masakrime etj.
Lufta e Kotlinës, ndikoi në masivizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jo vetëm në Komunën e Kaçanikut, por ku do në Kosovë. Asaj iu bashkua e tërë rinia për luftë. Rruga luftarake e Mahiut si dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë ishte e vështirë dhe me plot sakrifica, por fitorja kundër një armiku shumëfish më të madh dhe të armatosur deri në dhëmbë bëri që lavdia e UÇK-së të ishte shumë më e madhe, meritat për këtë i takojnë Mahiut, të gjithë dëshmorëve të tjerë dhe gjithë bashkëluftëtarëve të UÇK-së të rreshtuar në Brigadën 162 “Agim Bajrami”.
Mahiu mori pjesë në të gjitha betejat të zhvilluara në rrethinën e Kaçanikut. Ai gjatë luftës tregoi një guxim të madh, ishte shembull për nxënësit e vetë dhe kolegët e vetë qëndroi i pa thyeshëm deri në momentet e rënies heroike.
Pas luftës, me nderime ushtarake bëhet rivarrimi i dëshmorit Mahi Loku dhe dëshmorëve të tjerë në Varrezat e dëshmorëve, në Kaçanik. Varrimi bëhet në bazë të planit të Komandës së Brigadës 162 “Agim Bajrami” me nderime ushtarake. Mahiu pas vetes ka lëne nënën, Raife vëllezërit: Latifin, Nazifin, Muratin dhe Vahidin, motrat: Imreten, Velimen, Milihaten, Kadrien dhe Nurien. Në njëvjetorin e rënies së dëshmorit Mahi Loku, në nderim dhe përkujtim të tij e të bashkëluftëtarëve është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies, në fshatin Kotlinë. Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit, Mahi Loku, familjes së tij i kanë dhënë mirënjohje Ministria e Mbrojtjes e QPK-së Komanda e Brigadës 162 Agim Bajrami dhe Kuvendi Komunal i Kaçanikut. (H. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …