Mahir Yagcilar, ministër i Ministrisë së Administratës Publike po merr pjesë në punimet dyditore të Konferencës Rajonale “Bled Stratgic Forum” në Bled të Sllovenisë, me ftesë të Boris Koprivnikar, zëvendëskryeministër dhe ministër i Administratës Publike të Sllovenisë, ku po marrin pjesë ministra e përfaqësues të institucioneve të larta nga shtetet e rajonit, drejtues nga fusha e administratës publike, të komunikimeve elektronike si dhe përfaqësues të kompanive të telekomunikimit nga Sllovenia. Në kuadër të Sesionit Ndërministror me temën: “Transformimi Dixhital në Ballkanin Perëndimor” (“DIGITALTRANSFORMATION IN THE REGION OF THE WESTERN BALKANS”), ku u paraqitën të arriturat e vendeve të rajonit në këtë sferë.
Ministri Yagcilar, në prezantimin e tij para të pranishmëve theksoi:- “Kam nderin dhe kënaqësinë që t’i drejtohem këtij Forumi kaq të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe shpreh falënderimet e mia të sinqerta për organizatorët për përzgjedhjen e një tematike shumë me rëndësi për kohën, sikurse kjo që ka të bëjë me transformimin digjital të shoqërive tona respektive.
Gjithashtu, është nder i veçantë të paraqes para Jush të arriturat dhe sfidat e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, ku besoj shumë se ne si shtet i ri do të mund të përfitojmë shumë nga përvojat e juaja.
Të nderuar pranishëm, teknologjia digjitale e komunikimit është njëra ndër teknologjitë më të rëndësishme që ndikon në jetën dhe aktivitetet e përditshme të qytetarit, bizneseve dhe vet institucioneve shtetërore. Sipas trendëve aktuale, transformimi digjital po bëhet prioritet numër një si në strategjitë biznesore po ashtu edhe në ato të institucioneve.
Prandaj dhe në linjë me këtë trendë, edhe Qeveria e Kosovës është duke e konsideruar me prioritet transformimin digjital, si komponentë e rëndësishme e një vargu të gjerë të aktiviteteve ekonomike shtetërore, jetike për krijimin dhe kultivimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe vendimtare në kohezionin shoqëror dhe në përhapjen e dijes dhe informacionit tek të gjitha shtresat e shoqërisë.
Kështu, përpos hartimit të standardeve dhe politikave në fushën e komunikimeve elektronike, segment tjetër i rëndësishëm në të cilin janë përqendruar institucionet tona është edhe ofrimi dhe avancimi i shërbimeve elektronike për qytetarë, biznese dhe vet institucione.
Në fushën e politikave, Qeveria ka miratuar një varg dokumentesh strategjike si: Agjendën Digjitale për Kosovën, Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike, Strategjinë e Kosovës për Teknologji Informative, Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike, dhe Kornizën e Interoperabilitetit. Bazuar në Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike, është themeluar edhe Këshilli Shtetëror i Sigurisë Kibernetike si dhe ekipet për reagim ndaj emergjencave kompjuterike siç janë: CERT- i shtetëror, CERT-i i policisë dhe disa CERT tjerë.
Po ashtu, në këtë fushë, ne kemi tashmë edhe Ligjin për Komunikimet Elektronike, i cili bazohet në Kornizën Rregullatore të Bashkimit Evropian për Komunikimet Elektronike, si dhe Ligjin për Shoqërinë e Informacionit, me të cilin, ndër tjerash, është krijuar edhe Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, si pjesë përbërëse e Ministrisë së Administratës Publike, dhe përgjegjëse për çështjet që ndërlidhet me teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit.
Në vazhdën e përpjekjeve tona për ngritjen e transparencës, ne kemi adoptuar edhe Kartën Ndërkombëtare për Hapjen e të Dhënave si dhe kemi krijuar Portalin për Publikimin e të Dhënave.
Sa i përket komponentës së ofrimit dhe avancimit të shërbimeve elektronike, ne jemi zotuar për:
-
Sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të rrjeteve të komunikimeve elektronike në tërë territorin shtetëror dhe promovimin e përdorimit të këtyre shërbimeve;
-
Sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, për të rritur besimin e publikut dhe bizneseve në aspektin e sigurisë kibernetike;
-
Inkurajimin e qytetarëve për shfrytëzimin e shërbimeve publike dhe administrative online, si dhe sigurimin e cilësisë së bartjes së të dhënave,
-
Promovimin e zhvillimit të e-biznesit; dhe
-
Inkurajimin e qytetarëve të Kosovës që t’i përvetësojnë njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për përdorim të suksesshëm të teknologjisë informative dhe të komunikimit.