Masakra serbe e vitit 1913, vriten 620 burra e djem në fshatin Topojan
Masakra anekënd në tërë hapësirën shqiptare, për fat të keq të shtrirë në 6 shtete, si rrallëherë në ditët e nëntorit të vitit të kaluar, kudo mbizotëroi ngjyra kuqezi, ngjyra e flamurit tonë kombëtar.
I vjetër ky flamur, me këto ngjyra, por pa i humbur aspak shkëlqimi, pa i humbur nga mosha aspak bukuria, pasi s?ka si të ndodhte ndryshe, si njëra dhe tjetra u poqën bashkërisht në betejat e përgjakshme nëpër shtigje të historisë ku u shenjtërua si simbol i kombit tonë. Ndaj në çdo ballkon, në çdo portë, në çdo kënd, në çdo shesh e kudo në 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Atdheut tonë, e meritonte të valëvitej e të mos shqitej nga vendi për asnjë çast. Kjo atmosferë festive shihej kudo, shumë madhështore në Tiranë, në Prishtinë, Kukës, por jo më pak e ndezur atmosfera e veshur kuqezi ishte dhe në krahinën e Topojanit, Topojanit Iliro-Dardan në Rrethin e Kukësit. E kësaj krahine, Zoti i ka falur bukuri epike që në hyrje të saj, në Grykën e Vanave, ku mbi zallin e lumit Luma që buron nga bjeshkët e Kallabakut, pllaja e Moravës e shpatet e Koritnikut, ngrihen në harmoni të plotë si dy kokat e shqiponjës së flamurit kombëtar mali i Gjallicës dhe ai i Koritnikut, në rivalitet mes tyre për madhështinë natyrore, por dhe shumë më tepër me vlerat që mbartin banorët e fshatrave në shpatet e tyre, banorët e krahinës së Topojanit.
Valëviteshin dhe mateshin me këto male flamujt kombëtarë në shpatet e Gjallicës, në kullat e bardha të fshatit Lojme me ato në shpatet e Koritnikut në fshatin Bele, për të vazhduar në Nimcë, në Topojanin e Sinan Pashës e të Jupit, në Brekijën e Sahit Gegës, Avdil Myrtës e Jemin Alisë, në Kollovozin e Havzi Nelës, në Shtrezë, Xhaferaj, Turaj, Novosej e Shishtavec, të veshur kuqezi si në dasmë, dasma si ato që vetëm këta banorë dinë t?i bëjnë, madhështore në formë dhe në përmbajtje. Nder iu bë kësaj radhe simbolit të heroizmit dhe qëndresës së banorëve të kësaj krahine, falë organizimit të mirë të pushtetit vendor, LAPIDARIT ? FLAMUR të ngritur në vitin 1984 në qendër të krahinës, në Kodër-Kishë.
Në Topojan, në këtë atmosferë festive të veshur kuqezi, të shoqëruara me një larmi aktivitetesh kulturore, të organizuar nga Shkolla e Mesme e Përgjithshme Topojan, ajo 9-vjeçare “Sahit Gega” Brekijë e të tjerat përreth, si rrallëherë Lapidari-Flamur matej me flamujt e panumërt në duart e nxënësve të shkollave, banorëve të fshatrave e flamujve që valëviteshin në çdo shtëpi. I ndodhur jo rastësisht mes bashkëkrahinorëve të mi, shtruar nën hijen e këtij Lapidari-Flamur shpalosim bashkërisht faqe nga historia e Atdheut tonë, nga ajo e krahinës sonë sa të shkruar e shumë më tepër të arkivuar, të pastër e të pamanipuluar, në arkivin më garant, në arkivin “Popull”, plot me trashëgimi shpirtërore, kujtime pleqsh e kasapleqsh si Mehmet Leza, Mërsel Selmani, Sef Hajra, Ramiz Dina, Xhafer Karaxha, Avdullah Sherifi, Shahip Sadiku, Hoxhë Novosej (Islam Basha), Rrahman Murati, Zejnullah Bajrami, Ekrem Rakipi, Shahin Maliqi, Rasim Veseli, Tish Miftari, Din Hiseni, Mirdaim Rrahimi, Hazir Mema, Avdi Hamiti (Imci), Tahir Serani, Vesel Dafku, Hamza Uka, Hasan Izeti, Ali Idrizi etj., kujtime këto të përcjella në këtë takim nga bijtë, nipërit e stërnipërit e të rënëve në luftën për liri e pavarësi. E kush më shumë se krahina e Topojanit dha prova në këto shtigje lufte me një kontribut të pamohueshëm në luftën e popullit tonë për liri krahë për krahë e vazhdimisht me trevat e tjera shqiptare, e shumë herë e para mes tyre?
U dëgjua në tërë Ballkanin, edhe pse pak u shkrua, jehona e pushkës, jehona e luftës për liri e Bajrakut të Topojanit nga Prekupja e deri në Nish, ku nën udhëheqjen e Jup Topojanit dhe Sahit Gegës, pushtuesit e vjetër turq e ata të rinj ballkanas mësuan se zot në këto treva ishin shqiptarët. Kënga na përcolli edhe këtë ditë jehonën: “?Kur bërtiti Jup Topojani, shtatë llogoreve u dha zjarmi, bini burra se na shkoi vatani? Sahit Gega në kalin gjok Ban yrish e drejt e në top?” Për këtë betejë, historia shkruan: “Nga kush të mbrohej më parë shqiptari në trojet e veta? Nga osmanët që na pinë gjakun, nga shovinistët serbë, bullgarë e grekë që si bisha të xhindosura të mbërthyera në armë e në hanxharë suleshin për ta copëtuar?”. Kënga e popullit të pamposhtur vazhdon: “S?pritën burrat kush me i f?kat, Sa duel Jupi me bajrak, Sahit Gegën tue pas ngat? Ndal dushman mos ma baj hak, Mos ma luj shqipen n?bajrak, Krejt bajraqet nji flamur, Shqipja n?mes nuk luhet kurre?” Bajraku i Topojanit luftoi heroikisht për mbrojtjen e Atdheut në të gjitha betejat në vitet e lavdishme të veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare së Prizrenit e me dhjetëra të rënë në Qafën e Duhles, Caraleve e Kaçanik, për emrat e të cilëve thuhet në këngë:
“Hala luftën se kan marue, Fjalë për vdekjen nuk kan cue, Nji her n?vjet fjal po cojn, Jemi n?luftë e mund t?vonojm. N?shpi i presin e jan to i prit, N?emër të tyre thirren femijt?? Përditë djemt?jan to u rrit, Do vij dita me i njoft nji ditë?”
E ditët për topojanasit për të treguar se për atdheun, për tokën e të parëve nuk kanë mbaruar, për të treguar se për atdhe bëhet vdekja si me le, nuk u sosën as me luftën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, as me kryengritjet e viteve 1909-1912. Historia shkruan: “Në tetor të vitit 1912 vërshoi si hije e zezë mbi tokën tonë ushtria serbe. Ëndrra shekullore e shovinistëve serbë ishte: “Të mos kishte Shqipëri e të mos mbetej kund shqiptar”. Në qafën e Duhles, ku ishin rreshtuar të gjithë luftëtarët e bajrakut të Topojanit, më 21 tetor 1912, rreth 500 burra krahas me Bajrakun e Kalasë së Dodës, Opojës e Lumës, ballafaqohen me ta, të tradhtuar nga Baftjar Pasha, i cili largoi nga fusha e luftës trupat turke, duke i lënë vetëm luftëtarët tanë, të cilëve dhe armët e premtuara nuk ua dhanë, qëndruan heroikisht: “Shqiptarët kundërshtuan ushtritë serbe, luftuan 4 ditë”.
Në këtë betejë mbetën të vrarë Zaim Hamza, Hamdi Haqifi, vëllezërit Sadik e Metali Haxhia, Feriz Maliqi, Dil Kamberi, Halil Xheza, Muharrem Sadiku dhe u plagosën Avdyl Myrta (bajraktari), Sali Karaxha e Ramadan Istrefi, të cilët vriten në betejat pasardhëse. Populli i kësaj zone këndoi e nuk vajtoi për ta: “Që nga shtatë e në shtatëdhjetë I lan stanet në rrahe shkret?. Në Prizren e mbajtën hapin (ku B.Pasha u kishte premtuar t?ju jepte armë) Në qafë te Duhles e ndalën vrapin. Qaf? e Duhles mriz mejdanit Mirë njeh djemtë e Topojanit. Topojani gur e shkëmb I rrit djemtë për istikam Topojani shkëmb e gur Ka shkru emrin në flamur”. Kryengritësit, pas katër ditë qëndrese heroike dhe në sajë të tërheqjes së forcave serbe nga qafa e Duhles kthehen në Topojan dhe vetëm dy javë më vonë, pasi pushtohet Prizreni më 5 nëntor nga divizioni serb “Shumadia” dhe përgatitej marshimi drejt tokave shqiptare drejt Adriatikut, nën komandën e gjeneralit serb Jankovic, ballafaqohen për herë të dytë në lakun e Gllobocicës, në një betejë edhe më të përgjakshme, çka dëshmitarët okularë e tregojnë sikur të kish ndodhur dje dhe jo në nëntorin e vitit 1912, betejë ku numri i ushtarëve serbë qe shumë i madh, prolog për një të ardhme tepër të rëndë për bajrakun e Topojanit ? masakra barbare e vitit 1913.
Ruhet dhe këndohet edhe sot kënga për këtë betejë:
“Krejt bajraki në istikam
Se la serbin me ndrrue kamë
Nji nga nji si dhentë në shtrung
Vajti gjaku deri në gju?
Krejt Opoja për 3 vjet
S ‘mund pastroi vendin e shkretë?”
Me armë në dorë ra në llogoret e luftës në lakun e Gllobocicës Baftjar Dana, Esat e Brahim Iseni, Arif Muharremi, Qazim Bislimi, Shaqir Hasa e i plagosur Ferruk Tafili. Ende pa u ftohur grykat e pushkëve të luftëtarëve të bajrakut të Topojanit, në përgjigje të thirrjes së Islam Spahisë dhe Ramadan Zaskocit, zunë llogoret në Kolosjan më 15 nëntor 1912, ku në ballë të sulmit ishin mbi 3 mijë luftëtarë në krye të të cilëve qëndronte Ramadan Cajki, Jemin Alia (Zyberi), Sali Spahia, Osman Lita, Bajram Gjana, Cen Daci, Sul Elezi etj. Heroizmin e luftëtarëve të betejës së Lumës në qafën e Kolosjanit e kanë trajtuar shumë studiues, pena të holla e të vyera e s?lind nevoja ta trazoj por për kontributin e Jemin Alisë në ballë të trimave të Topojanit do të shënoj: Qe impuls i madh rreshtimi i luftëtarëve të Topojanit nga llogoret në Gllobocicë drejt e në Kolesjan, çka e thotë kënga: “Te madhe briti Islam Spahia Bini burra se erdh Brekija Para u prinë Jemin Alia Jemin Alia tufë e fes Tan asqerin do ta pres? Ber Jemini nje topall / Tan asqerin e çiti n?hall” Dhe lufta për mbrojtjen e trojeve tona vazhdon e gjaku s?rreshti së derdhuri e kënga pa refren vazhdon kësaj radhe për betejën e Koritnikut (Pikëllimës)
Tetor 1913 ? viti i Konferencës famëkeqe të Ambasadorëve në Londër ku Fuqitë e Mëdha sakatojnë hapësirën shqiptare duke e copëtuar atë në favor të shovinistëve fqinjë – objekt i kësaj masakre ishte dhe krahina jonë, e cila përballë hordhive serbe rreshtohet në Koritnik: “Jehon pushka në Koritnik Luftë me serbin fyt me fyt Luftë po bëjmë për tokën tonë Topojan emrin na thonë..” është kënga që përshkruan qëndresën heroike të krahinës së Topojanit ku luftuan heroikisht edhe banorët e Restelicës, Krushës e Zapodit krah për krah për dy ditë e një natë pa pushuar. Qe një betejë me disproporcion të madh numerik pa përmendur pajisjet ushtarake që armiku kishte. Mbeten për të mos vdekur kurrë në këtë betejë luftëtarët Kadri Shahini, Mustaf Cuni, Shaban Islami, Bajram Maliqi, Dajlan Basha, Murat Zhifku, Selam Beqa, Xhem Tocilla dhe të plagosur Rrahman Tërkalaci, Mal Brahimi, Myrte Noka. Akoma pa u tharë gjaku në shpatet e Koritnikut e bjeshkët e Rapcës, serbët që pushtuan tokat tona e synonin për më tutje, organizuan ndaj krahinës sonë, fshatrave që shquheshin në luftë ndaj tyre, hakmarrjen më barbare që vetë shtypi i kohës e fikson: Gazeta “Perlindja e Shqipëniës” 8-21 kallnuer 1914 shkroi:
“Historia e tmerrshme e masakrave vazhdon me radhë që tmerron çdo njeri, e cila përmbledh martirizimin e popullit të ri shqiptar, me tregime kasopleqsh të plota të vepruara ndër viset e tjera të Shqipërisë së Veriut. Në Topojan, Xhafere, Nimce, Lojme, Pobreg, të gjitha shtëpitë janë shkërrmuar e fshatarët të qarkuar nga ushtarët serbë u masakruan në mënyrë barbare, shkurtazi asnjë nuk shpëtoi nga vdekja”. Sipas gazetës “Liria e Shqipërisë” numri 94, 8-21 maj 1914, faqe 4, dhe ajo 25, datë 9-22, qershor 1914, faqja 4, paraqitet gjendja e fshatrave të masakruara dhe për të parë me shifra (jo të plota) barbarinë serbe në Lumë, po sjellim disa të dhëna që ka mbledhur e publikuar Sotir Koleja, më 23 “dimëruar” (dhjetor 1913), të prira nga shënimi: “Gjakësisitë dhe ligësitë të panumërta që punoi ushtria e Serbisë në rrethet e Lumës në Shqipërinë e Veriut, pasi u shua lëvizja e malësorëve në vjeshtën e parë 1913, dhe pasi leciti amnestijen guverna e Serbisë. Më ranë në duar shënimet që kishte marrun, duke shëtitur të gjitha vendet i dërguari i një fuqie te Europës, dhe pas te cilave i bëri guvernës së vetë raportin. Nga këto që u panë dhe u shënuan, mendja e njeriut mund te kuptojë mërirat dhe tmerret e as u panë e as u dëgjuan, sa s?i mban goja për me i tregue.”
Në TOPOJAN: Aty fshatin e dogji fund e krye dhe rreth 500 veta, burra gra fëmijë të çdo moshe i vrau bajoneta. Në XHAFERE: Këtë fshat prej 25 shtëpiash e dogjën fund e krye dhe gjithë gratë e burrat i vranë me bajoneta, 2 vetë që s?u ndodhën në fshat shpëtuan. Në BREKIJË: Edhe këtë fshat prej më se 150 shtëpish e dogjën e bënë hi dhe njerëzit që u mblodhën në fshat me gra, burra e fëmijë, 120 veta i vranë me sëpatë. Në LOJME: Dogjën 60 shtëpi dhe therën gjithë meshkujt, gra e çilimi. Në NIMCE: Katundin e bënë hi nga njerëzit, shpëtuan vetëm 5 vetë, të tjerët burra, gra e foshnja i shkuan në bajonetë. Në NOVOSEJ: I vunë zjarr tërë fshatit, gjindja arriti të ikë përveç së shoqes së Islamit, hanxhiut (hoxhës shën. MK) me 4 bijtë e saj të vegjël dhe tërë familjen e Ramadan Isufit, të cilët i hodhën të gjallë në zjarr. Gjë e gjallë që rrëmbyen serbët janë: 40 kuaj, 280 lopë e qe, 1300 dhen e dhi. Janë të shumta dokumentet që flasin për këto ngjarje, por me qindra janë kujtimet e mbledhura nga dëshmitarë të betejave të zhvilluara, nga dëshmitarët okularë të mbijetuar në masakrën e vitit 1913, plot 100 vjet më parë. Dëshmitarë të mbetur gjallë ndër kufoma të plagosur, fëmijë, gra të asaj kohe në sytë e të cilëve u therej nëna, motra apo vëllai në djep, fëmijë që në lemeri panë të çahej barku i nënës me bajonetë e t?i nxirrej fëmija. Dëshmitarë nga fshatrat përreth që varrosen në varre kolektive (3-4 kufoma në një varr), pa qefin e pa ponica të masakruarit në Topojan, Brekijë, Xhaferre, Nimcë, Lojme. Të shumta janë dëshmitë e mjekut popullor Idriz Kola, që mjekoi shumë prej të plagosurve në luftëra, e sidomos viktima të masakrës. Flasin në kujtimet e tyre Sef Hajra, Nuredin Tahiri, Ekrem Rakipi, Mirdaim Rrahimi, Tahir Serani, Rasim Veseli, Avdi Imci, Shahin Malici, Shahin Muharremi, Kareman Dafku, Din Iseni, Ismen Zyberi, Rrahim Bislim, Ramiz Dina, Ahmet Malici, Mahmute Rusha, Sude Uka (Zyberi) e shumë të tjerë që në një të ardhme të shpejtë do t?i publikoj në mënyrë origjinale. Për këtë ngjarje populli këndoi për të mos i harruar: ?
Krali i serbit, kral dushmani
Çoi ushtrinë, masakër bani
Në thikë e plumba, qindra vetë
Burra të pushkës, dritë e jetë
Krali i serbit, kral i zi
Nuk kursen as gra as fëmi
Në flakë me stane, gja e ship
Çka gjet gjallë deshi me zhbi
Por mbetë gjallë Topojani
Syrin pishë te istikami
Syrin pishë, zemrën barot
Vendit vet mej dalun zot?.
Të rënët në luftërat për liri dhe pavarësi, në Prokupje, Nish, Qafë Duhle, Carolevë, Gllobocicë e Koritnik, pa shënuar të plagosurit dhe gjithë këto viktima flasin vetë se kush është Topojani, flet vetë edhe Topojani deri vonë duke e përjetësuar historinë e vetë me këngët që ushtonin në çdo odë topojanasi, në bisedat me fëmijët me miqtë e dashamirët e tyre. Në çdo odë kujtoheshin bijtë e Topojanit të rënë për liri, përcillej kujtimi nga njëri brez tek tjetri shoqëruar edhe me këngë patriotike e valle epike duke rritur tek brezat pasardhës krenarinë e merituar për të parët e tyre. E tërë kjo u ruajt në kujtimësi amanet për brezat, në këngë të kënduara në gëzime e dasma, ashtu siç i kishte shkruar rapsodi Popull, pa zbukurime, pa imponime e pa koniunktura, por që pak qe shkruar e po përsëri po kështu pak po shkruhet. Të çudit fakti se pas shpalljes së pavarësisë, në ditën e Flamurit tonë kombëtar e deri në vitin 1939 as edhe njëherë nga organet shtetërore nuk u vlerësuan luftërat për liri e pavarësi dhe martiret e këtyre ngjarjeve të krahinës së Topojanit. Sigurisht vetë Topojanasit nderonin e kujtonin të parët e tyre dhe vetëm në vitin 1959, vetë banorët e zonës ngritën lapidarë në Rajmë?Topojan, Huca-Brekijë, në Xhaferaj dhe Nimcë e Lojme. (Lapidarë të ndërtuara me gurë, lartësi 1.2-1.5 m) e këtu në çdo 5 Maj bëheshin homazhe nga nxënësit e shkollave, banorët e zonës dhe shpaloseshin kujtimet e dëshmitarëve okularë e të pasardhësve të tyre.
Më 5 nëntor të vitit 1984, në qendër të krahinës së Topojanit, në Kodër-Kishë, ngrihet lapidari në formë flamuri që përjetëson këto ngjarje me mbishkrimin: “MË 15-20 TETOR 1913 U MASAKRUAN BARBARISHT 620 BURRA DHE DJEM TË FSHATRAVE TOPOJAN, BREKIJË E XHAFERE, TË CILËT LUFTUAN PËR MBROJTJEN E ATDHEUT KUNDËR SHOVINISTËVE SERBË”. (Më çdo 5 maj pranë këtij lapidari organizoheshin aktivitete të shkëlqyera nga nxënësit e shkollave Topojan, Brekijë, Xhaferaj e Kollovoz). Ishte në traditën e zonës që këto ditë të bëheshin vizita në familjet e pasardhësve të dëshmorëve. Shënoj që në vitet e diktaturës komuniste u bënë studime, u mblodhën të dhëna për të rënët në luftërat për liri dhe pavarësi, u diskutuan për vërtetësinë në popull, u shoshitën sigurisht dhe u seleksionuan e u shpallën dëshmorë të atdheut: Ahmet Iljaz Qehaja, Arif Muharrem Allaraj, Baftjar Dan Tahiraj, Bajram Maliq Allaraj, Dilë Kamer Fana, Ejup Adem Topojani, Esat Hysen Allaraj, Feriz Maliq Ahmetaj, Ferauk Tafil Islamaj, Hafuz Bajram Allaraj, Hamdi Haqif Zyberaj, Halil Xheze Musallari, Ibrahim Hysen Allaraj, Jemin Ali Zyberaj, Kadri Shahin Ismalaj, etj. Dhe në këtë ditë, në 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë u shpalosën këto kujtime, u interpretuan dhe këngët patriotike, u hodhën vallet epike nën hijen e Lapidarit Flamur, në montazhin muziko-letrar: “TOPOJAN O MOS VDEKSH KURRË, KE SHKRUAR EMRIN NË FLAMUR”. Pas vitit 1990, për disa vite të përfshirë në lëvizjet demokratike, kjo traditë filloi të venitej, por jo të shuhej. Nëse në vitet 1984-1990 në çdo 5 Maj, mes bashkëkrahinorëve tanë nderonin me pjesëmarrjen e tyre drejtuesit kryesorë të rrethit, të cilët përcillnin vlerësime për aktet e heroizmit masiv të kësaj krahine sa dhe për sakrificat sublime të saj përballë shovinistëve serbë që deshën të zhbinin Topojanin, por vetëm kaq. Nuk pati dekorime, tituj nderi apo medalje, të cilat shpresoj që në 100-vjetorin e masakrës barbare të vitit 1913 do ta plotësojnë nderin dhe lavdinë e banorëve të kësaj krahine. Shpresojmë edhe një herë se do thotë bukur fjalën e vet pushteti vendor, ai në bazë qarku dhe i nderuari Presidenti i Republikës, i cili na shton shpresat me shembullin që dha para pak ditësh me vlerësimin që i dha krahinës se Kelmendit në Malësinë e Madhe të Qarkut të Shkodrës, që edhe Topojani të vlerësohet për kontributin dhe sakrificën e bërë ndaj pushtuesve sllavë të asaj kohe.