Në deklaratën e përbashkët të Konferencës së Rritjes dhe Konvergjencës për Ballkanin Perëndimor të mbajtur sot në Tiranë, liderët e ekonomive të Ballkanit Perëndimor vlerësuan punën e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, nënvizuan përkushtimin e rajonit për integrimin dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të përforcuar me BE-në. Ora po troket, për të përcaktuar të ardhmen e rajonit tonë që aktualisht po punon në dy rryma paralele. E para është puna për axhendat e reformave kombëtare që avancojnë rrugën drejt BE-së dhe e dyta është thellimi i integrimit ekonomik rajonal mes tyre, i cili është një tjetër hap i rëndësishëm drejt aksesit në Tregun Unik të BE-së. I pari ka një rrugë të përcaktuar qartë nga BE, ndërsa i dyti është në progres, dhe faza e re e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM), që po përgatisim në bashkëpunim me të gjithë partnerët rajonalë, synon krijimin e një tregu të përbashkët funksional brenda Ballkanit Perëndimor, si një parakusht për një integrim më të ngushtë me Tregun Unik të BE-së. Tani është koha të mendojmë përtej kornizave se çfarë mund të ndodhë më pas, se si do ta thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin në rajon, çfarë mund të japim të gjithë së bashku, në mënyrë që brenda pak vitesh të mund t’i kërkojmë BE-së të na ofrojë akses në fusha specifike, pasi të kemi përfunduar detyrat e shtëpisë”, tha Sekretarja e Përgjithshme, Majlinda Bregu.
Kontrolloni gjithashtu
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …