“Fraza më e rrezikshme që vazhdon qarkullon në gjuhën tonë është “Ne kështu kemi vepruar gjithmonë”. Sot është 8 Marsi dhe fjala kryesore që po dëgjojmë ngado është “Dita e Gruas”. Ndaj, shënimi ynë në këtë ditë është padiskutim për gratë, të cilat vazhdojnë të përballen me pabarazitë dhe diskriminim në të gjitha fushat e jetës ekonomike. Nënave në Ballkanin Perëndimor u mungojnë ndjeshëm ndihmesa e shërbimeve ndaj kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, gjë që ndikon në punësimin e tyre. Vetëm 24% e nënave me fëmijë nën moshën 8 vjeç mund të përdorin kopshtin. Më pak shërbime të kujdesit do të thotë më shumë gra të papuna. Shkalla e punësimit të grave në Ballkanin Perëndimor, edhe pse është rritur në 3 vitet e fundit, është ende rreth 45%, dhe krahasohet dobët me shkallën e punësimit të meshkujve në rajon, e cila është rreth 63% për qind.
Fuqizimi ekonomik i grave nuk është një luks dhe relativizmi kulturor nuk është një justifikim. Ballkani Perëndimor humbet 5% të PBB-së së tij çdo vit për shkak të hendekut që krijon pjesëmarrja e grave si sipërmarrëse, ndërsa mund të jetë 20% më i lartë nëse gratë do të merrnin pjesë në tregun e punës në të njëjtin nivel me burrat. Është befasues fakti që perceptimet mbi aftësitë ekonomike të grave janë kaq të kufizuara duke pasur parasysh ndikimin e thellë që ka puna e grave në ekonomitë tona.
Mungesa e punës, mbrojtja nga ligji, mbështetja e ulët sociale, mungesa e ambjenteve të përkujdesjejes, aksesi i kufizuar në burimet prodhuese i pengojnë gratë të vënë në punë aftësitë e tyre, për të përfituar nga mundësitë e reja të punësimit.
Sa më pak të fuqizuara të jenë gratë aq më shumë fuqizohet dhuna ndaj tyre.
Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, gratë ngacmohen, përdhunohen, dhunohen dhe vriten, shpesh nga partnerët e tyre edhe pasi e kanë raportuar vazhdimisht dhunën tek autoritetet.
Statistika të tilla të zeza vazhdojnë e vazhdojnë, dhe janë edhe të paplotësuara por të dhënat e disponueshme janë tmerruese.
Çdo e katërta viktimë e feminicidit është vrarë në shtëpinë e saj, dhe mbi gjysma e tyre janë vrarë nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët e tyre.
Ka një arsye pse po jap këtë shënim sot. Sepse, jam një grua dhe e di shumë mirë sa e sikletshme dhe e vështirë është të flasësh për realitetin e grave sot.
Por jam e sigurt që edhe ju jeni dakord që nëse fuqizojmë gratë, ato do të fuqizojnë ekonomitë tona”, – tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu në episodin më të ri të TalkingPoint me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
***
Me synimin për të shfaqur shembuj të suksesshëm të grave sipërmarrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për të forcuar përpjekjet e fuqizimit ekonomik të grave në rajon pas nisjes së fushatës rajonale Fuqizimi i Grave në Sipërmarrje (ËE) saktësisht pesë vjet më parë, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) krijoi Rrjetin Rajonal të Grave në Sipërmarrje dhe vlerësimin vjetor “Gratë Sipërmarrëse të Vitit të Ballkanit Perëndimor” tre vjet më parë, si pjesë e Planit të Veprimit të Përbashkët Rajonal të Tregut 2021-2024.
Pas dy gjeneratave të suksesshme të grave sipërmarrëse të vitit nga Ballkani Perëndimor dhe procesit të frytshëm të nominimeve për edicionin e tretë të Çmimeve, RCC do të prezantojë Gratë Sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor të vitit 2023 më 12 mars 2024 në Sarajevë.
Më shumë informacion mbi aktivitetet e RCC për Fuqizimin e Grave
https://www.rcc.int/priority_areas/52/women-empowerment