Asnjë nuk ra në Fushë Nderi për një “Lavdi” të shkruar në fund të një postimi pa e lexuar fare si ra, ku ra, si u varros e shumë të tjera… Nuk derdhi gjakun që ne të klikojmë “like” dhe të kalojmë më tej, si të ishte thjesht një fotografi e vjetër.
ATA që në vend të rrobave mbanin gjak në trup dhe gurë në shpinë- ATA bij e bija që i shtriu pranvera mbi baltë- nuk u dogjën nga plumbat për t’u harruar në ditët tona të nxehta e pa kujtesë. Ata nuk ranë që ne sot të bëjmë sikur i ndjemë… ATA ranë që ne të jemi. Të jemi të lirë, të drejtë, të vërtetë, njerëzorë, e sidomos: mirënjohës. Sepse kur lexon se si u vra një luftëtar, e nuk ndjen më shumë se një “lavdi” të thatë – atëherë nuk ka rënë vetëm një dëshmor, kanë rënë bashkë me të edhe pjesë të shpirtit tonë kombëtar.
“Lavdi”-Lavdia nuk është fjalë. Është përulje. Është përgjegjësi. Është heshtja që qetëson varret. Po nuk e kemi këtë ndjesi, më mirë të heshtim. Sepse s’ka dinjitet as heshtja as një “lavdi” e zbrazët si qesja e një tregtari që shet atdhe për përfitim. Kujtoni me mirënjohje ATA që, edhe në errësirën e kujtesës kolektive, mbajnë dritën ndezur- dritën që po e jeton ti.