Maki Beqiri Asllani: Ti, mbiheroi ynë. LAMTUMIRË, BACË!

BACA jetonte dy jetë njëkohësisht – të tokës e të qiellit. Kjo mund të tingëllojë jo mirë, por unë kam të drejtën e gjithë botës ta shpreh atë që ndjej, jo sepse ishte i sëmurë, por shumë më herët, shumë! Mbrëmë më mbetën fjalët e shkruara pa t’i nisur… e ndjeja se po orvatej ta linte jetën e tokës – tokën për të cilën gjakosi çdo ditë të rinisë së tij, që përloti e trishtoi Nusën e tij, e cila, përtej bashkëshortes, ishte shoku më ideal për BACËN dhe po i lindte e rriste vazhdimësinë e tribunit popullor – Ahmet Qeriqin. BACË, faleminderit që ishe këtu për ne, për kombin, për lirinë! Ishe këtu si diell dhe asgjësoje hijet e zeza, shkrije mjegullnajat mbi historinë kombëtare. Ia dole – shndrite historinë! Që moti jam idhët me Drenicën – krahinën së cilës i përket lindja jote. Sa shumë, o BACË, e përndrite historinë e saj! Shkrive rreze shpirti e lëshove mbi të, mbi heronjtë e të gjitha kohërave, mbi dhimbjen që s’mbaron kurrë për të vrarët duarbosh e mbi çfarë jo e unë kërkoja nga ajo të të shkrinte në përmendore së gjalli edhe që e dija mirë e mirë, s’do ishe aty prezent… modestinë e kishe prag të pakapëcyeshëm. BACË, jam pranë librave e romaneve të tua që m’i dhuroje njërin pas tjetrit. Libra e romane t’u themi…? Janë shenjtëritë e tua, janë Kuran e Bibël për ne, janë gjaku ynë. Po e ndjej që je duke më lexuar, sepse, vërtet, trupi që të ishte dërrmuar në kërkim të lirisë sot i falet tokës, ku iu falën paraardhësit e tu. Por edhe nga gjumi që tashmë t’i ka rënduar qepallat e syve profetikë, je duke na përgjuar me atë heshtjen e bukur burrërore e trimërore, ku me ca vija të ngrysura në ballë kërkon që të mos të të qajnë, sepse ti nga sot jeton në qiell, e tokës i fal eshtrat që t’i bëhen Kosovës shkëndija flakësh sa herë do të ketë dridhje nga jashtë e nga brenda. E pastë të lehtë toka e Kosovës, trupin Tënd. Pusho i qetë! I qetë ishe, por vloje nga brenda – këtë ta dëshmonte penda. Sot, vërtet, pusho, se të kishte lodhur udha e gjatë e jetës, të cilës ia dole mban heroikisht! Ti, mbiheroi ynë. LAMTUMIRË, BACË! Përshëndetma Ismetin e të gjithë ATA që kurrë s’u ndatë! Ju, familjarë të BACËS, miqësi e shoqëri dhe çdo shqiptar që e ndjeu këtë ndarje, forca!

7 mars 2025

Kontrolloni gjithashtu

Ferat Shala reagoi ndaj ngritjes së çmimit të energjisë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar ndaj raportimeve të ZRRE-së për rritjen e çmimit …