Duke folur ndotjen e jashtëzakonshme të ajrit në Prishtinë, eksperti i Mjedisit, Sami Makolli ka thënë se ndotja e ajrit në kryeqendër është pasojë e faktorëve të shumtë. Ai ka thënë se në ndotjen e ajrit ndikon Korporata Energjetike e Kosovës, komunikacioni i tej dendur, përdorimi i thëngjillit për ngrohje nga ekonomitë e shumta familjare por edhe faktor të tjerë klimatikë të cilët bëjnë që ajri i ndotur të mos mund të ngjitet lart në qiell por të mbetet afër sipërfaqes së tokës. Ambijentalisti, Sami Makolli ka shtuar më tutje se për ndryshimin e gjendjes duhet ndërmarrë masa të ndryshme ndaj faktorëve që ndotin mjedisin dhe bërjen e çështjes së ambientit prioritet shtetëror jo vetëm gjatë stinës së dimrit kur po vërehet ndotja e madhe por gjatë gjithë vitit. Ai ka porositur qytetarët që të shmangen sa të munden frekuentimin e mjedisit të ndotur dhe përdorimin e maskave për mbrojtje. Këto janë edhe praktika e qyteteve të mëdha të botës që ballafaqohen me këtë problematikë, ka thënë në mes tjerash eksperti i Mjedisit, Sami Makolli.
