Malësor Prënkoçaj: Letër Dritan Abazoviqit

Malësor Prënkoçaj: Letër Dritan Abazoviqit

Letra dhe propozimi im për Dritan Abazoviqin, si bashkëkombës e si shqiptar nga Mal të Zi. Këtë letër me këtë propozim ia dërgova në faqen e tij personale.

Përshëndetje Dritan. Shpresoj se je mirë familjarisht. Unë jam Malësor Prënkoçaj , këngëtar shqiptar nga Malësia, por jetoj që 19 vite në Prishtinë.

DRITAN, JEP DORËHEQJE NGA PARTIA MALAZEZE DHE BASHKOHU ME KOALICIONET SHQIPTARE. ESHTE MOMENTI I FUNDIT.

Edhe pse nuk jemi prej të njëjtit vend, unë ty të kam bashkëkombës e bashkëvendës, sepse neve si shqiptar na ka bashkuar, përpos gjakut tonë, edhe tradita e hapësira e përbashkët, e ti e unë e kemi edhe një të përbashkët ekstra, e ajo është se jemi shqiptar nën Mal te Zi, ti nga Ulqini e unë nga Tuzi, Malësia.

Ndoshta nuk kam drejtë me të shkruar në këtë mënyrë sepse, me qenë i sinqertë me ty, kurrë nuk i kam votuar partitë tjera në Mal të Zi, përpos partitë shqiptare, që do të thotë se kurrë nuk ta kam dhënë votën ty. Nuk ma lejon krenaria ime kombëtare me votuar tjetër kënd, as shqiptarin që është në partitë qytetare (lexo malazeze), bile i kam votuar shqiptarët edhe atëherë kur partitë tona nacionale ishin skajshmërish të përçara, por edhe atëherë kur u rritsha e u shkollojsha në Podgoricë në gjuhën jo amtare, qysh se kam drejtë vote. Por si vëlla shqiptar që jam me ty, e ndjeva si detyrë me të shkruar e me ta dhënë një propozim…

Dritan, ti e unë e kemi edhe një gjë tjetër të përbashkët. Me sa kam dëgjuar, ti je shkolluar në Podgoricë e Sarajevë, ndërsa unë në Podgoricë e Prishtinë. Prap e kemi të përbashkët shkollimin tonë në Podgoricë, ku mund të ishe një farë e shqiptarit, por ku duhej me e kaluar atë punë si në heshtje, e në atë  mënyrë të pranonim edhe në shkoqni, edhe në institucione, por edhe imazhin e kishe ndryshe si nxënës e student.

Për të dal haptas me krenarinë time kombëtare, e për mos me mbet gjithmonë një lloj i shqiptarit në heshtje në Podgoricë, unë kam dal në Prishtinë për t’i vijuar studimet në universitetin shqiptar. Ta përmenda identitetin e shqiptarit në heshtje, sepse me të thënë të drejtën i tillë me dukesh tash qe je politikan i suksesshëm në partinë malazeze i së cilës je ti udhëheqës, dhe të tillë janë secili shqiptar që është në një funksion e pozitë sado pak të lartë në atë shtet, me përjashtim të atyre që kanë mbërri diçka fal përpjekjeve e qëndresës dhe veprimit të tyre në vijën kombëtare. Atë shqiptarin në heshtje duhet ta shndërrojmë në shqiptarin krenar në shtetin e pavarur malazez!

Unë e di qe ti i takon opozitës, dhe unë çdoherë kur kam votua për shqiptarët kam shpresuar dhe besuar qe vota ime do te jete po ashtu opozitare e kurrsesi ne favor të Gjukanoviqit, por megjithatë nuk kisha pas dëshirë që të rreshtohem kurrë ne një vije me atë pjesë te opozitës që është pro-serbe, pro-ruse, malazeze antishqiptare, por as me qeverinë e Gjukanoviqit që unë po ashtu gjithmonë kam menduar që është anti interesave tona nacionale ne Mal te Zi, pavarësisht premtimeve, ”reformave” dhe qëndrimit te tij pro-perëndimor.

Për në shqiptaret nuk paraqet rrezik vetëm ana pro-ruse e serbe, por po ashtu edhe ata qe janë të veshur ne petkun e demokracisë e që në një ane e shtrijnë dorën e bashkëpunimit me Shqipërinë e Kosovën e ne anën tjetër na shkelin ne shqiptarët që jemi nen atë shtet, duke ndërmarr aksione famëkeqe antishqiptare sikur “Fluturimi i shqiponjës” në vitin 2006, duke na quajt terrorist, duke na akuzuar që po krijojmë “Shqipëri te madhe”, e cila kur s’ka ekzistua si term te ne shqiptarët, përpos termit Shqipëri, me të cilin i kemi nënkuptuar dhe identifikuar te gjitha trojet tona etnike që na kanë takuar dhe na takojnë me plotë të drejtë!

Unë e di qe këto ditë je nën presion te madh, pas rezultateve qe dolën nga zgjedhjet. Por po ashtu sikur ti jemi nen presion edhe te gjithë shqiptarët pavarësisht se ku jetojnë. Me kenë i sinqerte me ty, mua nuk me bahet vonë se çka do te ndodh me Malin e Zi, se nuk është shteti im ai, dhe unë si shqiptar kam përjetua zhgënjime të mëdha ne atë shtet si të pavarur, por me intereson shume se çka do të ndodhë me ato trojet tona (tuat e të mijat) të shenjta shqiptare që gjenden nën atë shtet dhe unë e di qe fati ynë varet shume nga politika dhe karakteri qe ka ai shtet.

Nuk jam injorant, as s’jam aq arrogant për mos me e kuptua se shteti i sotëm malazez u rreshtua me bllokun e shteteve perëndimore dhe ne NATO-n. Por kur nuk e kuptoj se pse e ndihmojnë shqiptaret Malin e Zi aq shume, bile shkojnë aq thelle sa qe edhe i falin territore dhe i mbyllin sytë kur shkelet populli shqiptar ne atë shtet. Zakonisht merrja përgjigje se “ai shtet e pranoi edhe pavarësinë e Republikës se Kosovës” dhe aty ndoshta mund t’i ketë do merita të zbehta ne raport me shqiptarët.

Disa tjerë bile e shihnin Malin e Zi te pavarur e perëndimor sikur një reformë e një nisme për kthim ne identitetin iliro-arberor te malazezve, meqenëse principata e Zates, te cilës i referohet Mali i Zi si shteti i pare i tyre, ishte arbërorë e jo sllave.

Stefan Cernojeviqi ishte pjesëmarrës i Lidhjes se Lezhës nen udhëheqjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ndërsa djali i Stefanit – Ivani ishte nipi i Skënderbeut, atij heroit te madh arbëror e shqiptar te cilin ti e pate quajte padrejtësisht se është “fëmijë nga nëna e baba serb”.

Nuk mund te ishte serb Skënderbeu as Lidhja e Princave te Lezhës, sepse i takonin identitetit iliro-arberor e kisha e tyre e asokohe ishte e orientimit dhe karakterit perëndimor e kurrsesi sllav! Ekzistojnë faktet!

Je opozitar, dhe unë e respektoj ata.  Donë ndryshime, dhe unë e respektoj edhe e kuptoj atë… por unë te kisha propozuar që të JAPESH DOREHEQJE NGA PARTIA MALAZEZE SË CILËS I TAKON, DHE TË BASHKOHESH ME PARTITË SHQIPTARE! Kjo do te të kishte shpëtua edhe ty si politikan e si shqiptar. Krejt Shqiptaria i ka sytë e hapur te ti, e në anën tjetër sytë nga ti i kane edhe blloku opozitar pro-serb, si dhe blloku pro-malazias i Gjukanoviqit.

Serbet e çetniket kane filluar festen me flamujt e tyre famëkeqe, me tre gishta te ngritur lartë dhe me shprese qe kisha e tyre fashiste do t’i marr punët ne dore. Ne anën tjetër Gjukanoviqi pret nga ti me e “shpëtuar Malin e Zi”. Ti je reformist opozitar por jo pro-serb, dhe po dëgjohen zërat se nëse shkon ne koalicion me Gjukanoviqin do te zhduket dal ngadalë partia jote nga ekzistenca, meqenëse e zhgënjen elektoratin tënd. Zgjidhja ma e mira e ma e natyrshmja për ty Dritan është qe me dhanë dorëheqje nga ajo parti edhe pse je udhëheqës i saje, dhe me u bashkuar me njërin nga koalicionet shqiptare!

Pse me na mbete neve gjithmonë me i “shpëtuar” ata!?

Me çka na kanë shpërblyer deri tash!? Kështu nëse bahesh pjesë e partive shqiptare, askush s’do të ta merr inati, nga askush nuk do të rrezikohesh, askush s’ka me të quajt “tradhtar”! Ata, sllavët, kanë me thanë “Hajt se asgjë e re, veç shkoi te ata te tij”. Kur të bëhesh me shqiptarët atëherë vendosni se bashku çka me be, varësisht nga interesi ynë nacional! Nuk do të përfundoj karriera jote si politikan në atë mënyrë, përkundrazi do ta marrësh mbështetjen e madhe nga shqiptarët, sot e në të ardhmen. Do ta marrësh mbështetjen e diasporës sonë, ku bëjnë pjesë do njerëz jashtëzakonisht të mirë, e të ndershëm. Besomë Driton, e kam një përvojë jashtëzakonisht të bukur me popullin tonë shqiptar, ani pse si këngëtar.

E di që do të thuash “Ti merru me këngë e hiqu këtyre punëve”, por unë nuk të shkrova si këngëtar por si bashkëvendës e bashkëkombës. Nuk bëj pjesë në asnjërën nga partitë politike, përpos që kam qenë dhe jam simpatizant dhe mbështetës moral i partive nacionale shqiptare. Të uroj shëndet e gjithë të mirat. Mos harro se mbi të gjitha je Shqiptar, e ajo punë nuk është e vogël.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …