leoni

Malisheva në përkrahje të Ramush Haradinajt

Të enjten në Malishevë, organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Komuna e Malishevës, është mbajtur një marsh protestues, kundër arrestimit të ish kryeministrit të Kosovës, gjeneralit Ramush Haradinaj. Në këtë marsh, u kërkua lirimi i Ramush Haradinajt, pasi lufta e tij dhe e UÇK-së, ka qenë luftë e pastër dhe çlirimtare, luftë e cila është dëshmuar shumë herë. Në këtë marsh, u kërkua nga institucionet e vendit që ta ndërpresin dialogun me shtetin serb, deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe heqjen e akuzave ndaj çlirimtarëve.

Në këtë marshim, që filloi nga hyrja e Malishevës, e deri në qendër të qytetit në “Sheshin e Dëshmorëve”, morën pjesë mijëra qytetarë të Komunës së Malishevës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, strukturat komunale të Malishevës, si dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në Malishevë dhe veteran të luftës së UÇK-së.

Në fjalimin e tij, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, tha se “liria jonë, nuk ka kuptim, kur neve na burgosen çlirimtarët”. “Ne i bëjmë thirrje shtetit mik të Francës, që ta liroj Ramush Haradinajn, dhe të mos bien në kurthet e shtetit serb”. Mazreku, gjithashtu foli edhe për figurën e Ramush Haradinajt dhe angazhimin e tij ushtarak dhe politik.

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e “NISMA për Kosovën”, Enver Hoti, tha se “Ramush Haradinaj, është vet liria”. “Shprehim indinjatën tonë për arrestimin e Ramush Haradinajt, ndaj të cilit përfundimisht në vitin 2012, në Hagë, është vërtetuar se lufta e tij dhe e UÇK-së, ka qenë çlirimtare dhe e pastër. Ne ju bëjmë thirrje Francës dhe INTERPOL-it, që të mos bien në kurthet e mashtrimeve serbe”, tha mes tjerash deputeti Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj, pasi i falënderoj qytetarët e Malishevës, për mbështetjen e dhënë, tha se “Ramushi, Fatmir Limaj, Lahi Ibrahimaj dhe të tjerët, e kanë dëshmuar pastërtinë e luftës dhe se ata vet, janë të pafajshëm”. “Deri kur kështu do të ndiqen ata që vunë gurëthemelin e shtetit të Kosovës. Nuk guxon askush të luaj me luftëtarët e lirisë, siç është njeriu që dha gjithçka për lirinë e vendit. Andaj, ne i themi Francës, që të mos bie pre e urdhrave serbe”, tha Lekaj, i cili në fund tha se “Kosova është e varfër pa Ramushin, pasi Ramushi është vet Kosova”.

Përfaqësuesi i degës së AAK-së në Malishevë, Bashkim Krasniqi, bëri thirrje për lirimin e Ramush Haradinajt dhe për ngritjen e akuzave për krimet serbe gjatë luftës në Kosovë. Ai më pas, tha se “Ramush Haradinaj, dy herë e ka mbrojtur luftën e UÇK-së në gjykatën ndërkombëtare, por kjo i pengon Serbisë, sepse pushka e Ramushit, ishte zjarr për ta”.

Edhe Sinan Gegaj, i cili foli në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, në Malishevë, kërkoi lirimin e Ramush Haradinajt, pasi lufta e UÇK-së dhe e vet Ramushit, ka qenë e pastër dhe e cila është dëshmuar nga vet këto shtete, siç është edhe Franca. Gegaj, pasi kërkoi, lirimin e Ramush Haradinajt, “kërkoi nga institucionet e vendit, që të ndërpritet dialogu më shtetin serb, deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe heqjen e të gjitha akuzave ndaj çlirimtarëve”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …