Malisheva po shënon 17 Shkurtin me mbledhje solemne dhe duke i kujtuar të gjithë ata që kontribuuan për pavarësi

Me aktivitete të ndryshme, Komuna e Malishevës po e shënon 17 Shkurtin-Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Aktivitetet të cilat po mbahen nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Ekrem Kastrati, ishin të shumta, ndërsa sot në kuadër të këtyre shënimeve, kuvendi i komunës së Malishevës, ka mbajtur një mbledhje solemne dhe më pas janë bërë nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve të kombit. Në mbledhjen solemne të kuvendit të komunës, i pari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e rastit, ka folur për përpjekjet shekullore të kombit shqiptar, deri në arritjen e pavarësisë dhe shtet ndërtimit. Fillimisht, kryetari Kastrati, i cili gjatë javës ka qenë mysafir në shtetin e Nju Jorkut, i ka falënderuar për rezolutën e këtij shteti, që njeh pavarësinë e Kosovës dhe zyrtarisht kjo festë shënohet edhe në Nju Jork. Në mënyrë të veçantë e ka falënderuar, senatoren Jessica Scarcella-Spanton dhe anëtarin e asamblesë së Nju Jorkut, Charles D. Fall. Më pas duke folur për pavarësinë e vendit, kryetari Kastrati ka kujtuar përpjekjet për çlirim, luftën e lavdishme të UÇK-së dhe sakrificën e popullit shqiptar. “Kosova ka dhënë shumë për këtë ditë, populli ynë ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme për liri e pavarësi, prandaj, ne, drejtuesit e institucioneve, të zgjedhurit e popullit, e kemi për obligim dhe detyrë që së bashku të punojmë për komunën tonë, për Kosovën tonë, për qytetarët tanë. Sot është ditëlindja e 16 e shtetit tonë, por, për fatin jo të mirë, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se kjo festë është edhe e katërta më radhë të cilën po e presim pa figurat kyçe e meritore të luftës sonë çlirimtare, njëherit pa akterët kryesorë të lirisë e pavarësisë së Kosovës, të cilët pa drejtësisht ndodhen në Hagë. Mirëpo, ne, Malisheva e vendi ynë gjithandej, pikërisht sot, jemi mbledhur për të shënuar solemnisht këtë datë historike, që përkon me 17 shkurtin e vitit 2008, ku figurat meritore të luftës dhe të lirisë e shpallën Kosovën shtet të pavarur e demokratik. Ne, sot jemi këtu, që të festojmë bashkë me qytetarët tanë, dhe njëzëri t’i përçojmë mesazhet dhe urimet më të mira të kësaj feste, atyre ndër më meritorëve, çlirimtarëve tanë në Hagë, si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Isni Kilaj, Haxhi Shala, Salih Mustafës e Pjetër Shalës. Dhe natyrisht, Komuna e Malishevës pret që sa më parë të kthehen në mesin tonë, të kthehen pranë familjeve të tyre, duke i dhënë fund çdo tendence që përmes këtyre proceseve tentojnë t’i japin epitet tjetër luftës sonë për çlirim dhe historisë sonë kombëtare. Lavdi e përulje të gjithë dëshmorëve të Kombit në krye me komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin” tha Kastrati. Më pas edhe kryesuesi i kuvendit të komunës së Malishevës, Argjend Thaçi, në fjalën e tij, tha se “në këtë ditë ne kujtojmë të gjithë ata që u sakrifikuan për vendin, prandaj, ne sot përkulemi para veprës së tyre. Kjo ditë duk do të vinte pa luftën lavdishme dhe të drejtë të UÇK-së. Ne sot jemi të lirë dhe po festojmë pavarësinë, por ende jemi duke luftuar për të mbrojtur të drejtën tonë, pasi krerët e luftës po përballen me mbrojtjen e luftës sonë të drejtë për liri, e liria është që sot kemi, është vepër e asaj lufte”, tha mes tjerash kryesuesi Thaçi dhe i uroi të gjithë për Pavarësinë e Kosovës.  Edhe kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, duke folur për 17 Shkurtin, tha se “treva e Malishevës, ka dhënë shumë për lirinë e vendit, prandaj ne duhet të dimë se çfarë kemi fituar dhe duhet të ecim para. Historia, shkruhet ashtu si është realiteti dhe kurrë nuk mund të ndryshohet”, i cili gjithashtu uroi të gjithë popullin shqiptar të Kosovës për Pavarësinë.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …