Manush Ahmet Berisha (15.2.1980 - 29.5.1999)

Manush Ahmet Berisha (15.2.1980 – 29.5.1999)

Dita e 26 prillit të vitit 1998 mbahet në mend nëpër fshatrat e tërë Llapushës dhe të Anadrinit, mbahet në hartimet e vogëlushëve të porsadalë nga belbëzimet, mbahet në mend për rapsodët nën telat e të cilëve jehoi ajo e Mujës dhe e Beqës “Kreshtat e Kosovës kanë marrë ngjyrë të kuqe”, mbahet në mend edhe nga lajmet e gazetave që komunikuan fitoret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; njërën në aksin e magjistrales Prishtinë-Pejë, jo larg konakut të Veli Shalës, ku i pati kaluar ca ditë edhe Komandanti Legjendar Adem Jashari me të vëllain Hamzanë e me Sahit Jasharin, të shoqëruar prej Ilazit e prej Fadil Kodrës në atë janar të vitit 1992, dhe të dytën në aksin e magjistrales Prizren-Pejë, pikërisht te Krusha e Vogël, jo larg Krushës së Madhe të Ukshin Hotit e as Qëndresës së Nait Hasanit. Atë ditë, si ndërmjet fshatrave Gjergjaj e Balaj, ashtu edhe ndërmjet Krushës së Vogël dhe Piranës, shokët e legjendarit Adem Jashari e vëllezërit e Luan Haradinajt; Mehedin Morina i Qëndresës, Imer Krasniqi i Qarralugut, Fatos Krasniqi i Negrosit, Besim Halilaj i Grykasit, Gani Krasniqi i Malishevës, Hilmi e Ferat Shala të Gjergjajt, Sokol Krasniqi e Isni Kilaj të Lumnishtës së Llapushës, nga njëra anë dhe Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Hoxha i Bardhajt të Klinës, Isuf Gashi, Osman Zyberaj, Feim Gashi, Vehbi Muharremi e Xhevdet Mekani, në anën tjetër, ua prenë rrugën dhe i thërmuan patrullat policore serboçetnike duke hapur shtegun për lëvizjet e lira të patrullave të Ushtrisë Çlirimare të Kosovës prej fshatit Gjergjaj e deri në Cahan të Hasit. Atë ditë, fshatrat Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Qëndresë e Piranë të Anadrinit dëgjuan krismat e para të luftëtarëve të lirisë të cilëve u duhej shtegu i përmendur, sepse nëpër këtë itinerar kalonin bartësit e “Zjarrit të Lirisë”, djelmoshat që ndryshuan kursin e rrjedhave të historisë sonë. Dhe për fshatrat e Anadrinit këtu, në Krushë të Vogël filloi shumëçka, e së këtejmi në Drenaj të Nënzatriqit doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës për Anadrinin dhe filloi “Vera me vapë e Dimri me kijamet” për Kosovën. Por jo larg “Përronit të Keq” ku krisën pushkët e para, mbi Krushën e Vogël, mbi Qëndresën dhe mbi Krushën e Madhe, me Betejën e Mileskës në ditën e 27 dhe 28 majit përfunduan aktivitetet luftarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, për arsye se pas mesditës së 28 majit u pa se bandat e Milentijeviqit, të Zhiliqit e të Marçetiqit definitivisht e humbën betejën dhe Mileska mbeti e shënuar me shkronjat e arta në historinë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç mbetën emrat e dëshmorëve të kësaj beteje: Nazmi Hasani, Agron Bytyçi, Bedri Berisha, Kurtish Hasani, Habib Gashi, Mensur Zyberaj, Ismajl Gashi e Manush Ahmet Berisha, sot të gjithë në plejadën e Atyre që e deshën më parë vdekjen sesa mbetjen nën kthetrat serboçetnike.
Luftëtari i lirisë dhe vigani i Betejës së Mileskës, sot dëshmori Manush Berisha, i Ahmetit dhe i Sakipes, bijë e Shaljanëve të Rogovës së Hasit, i vëllaj i Safetit, Hidajetit, Myrvetit, Kymetit, Fetanetit, Sahadetit e Selvetit, është i lindur në fshatin Krushë e Vogël e Anadrinit të Prizrenit më 15 shkurt 1980. Familja e varfër e Ahmet Berishës, me shumë fëmijë, të gjithë të mitur, nuk ofronte mundësi për shkollim, prandaj edhe po të donte xha Ahmeti, nuk i kishte kushtet për t’i shkolluar fëmijët, i konvenonte që t’i gjendeshin pranë gjatë punëve më të lehta të kopshtarisë, si shumë anadrinas të vyeshëm. Shkollën fillore Manushi-luftëtar e mbaroi në Piranë dhe nuk vazhdoi shkollën e mesme sepse skamja nga njëra anë dhe dhuna e shtuar policore në anën tjetër, veçanërisht në fshatrat Krushë e Madhe, Krushë e Vogël e Qëndresë, e detyruan edhe Manushin që t’i kalojë ditë e rinisë nëpër ara e kopshtije të veta por edhe si punëtor krahu tek fqinjët dhe të afërmit. Duke punuar në punët bujqësore mbrëmjeve shpesh dëgjonte intelektualin dhe veprimtarin e shquar, profesor Sokol Hazirin e jo rrallë edhe profesor Ukshin Hotin. Kështu edhe i bashkaohet grupit të djemoshave si Agron Limani, Florim, Avni, Jeton e Arben Hajdari të cilëve u prinin Brahim Batusha e Agron Limani, pas burgosjes së profesor Sokolit. Arrestimet dhe burgosjet e veprimtarëve të Anadrinit; Begzad Gashit në Fortesë, Shefqet Gashit në Franjakë, Hysni Thaçit në Çifllak, Salih Bytyçit në Dejë, Binak Berishës në Hoçë të Vogël, Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, Skënder Rexhepit në Mrasur, Dervish Çadrakut në Malësi të Vogël, grupit të Xhelal Canzibës në Rahavec, Smajl Latifit në Drinas, Nait Thaçit në Reti e Nait Hasanit në Qëndresë, shpejtuan imperativin e formimit të instrumentit të forcës dhe fillojnë organizimit lokale veçanërisht në segmentin e logjistikës dhe kështu me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rrafshin e Anadrinit në Drenaj të Nënzatriqit, Manush Berisha radhitet në grupin e djemëve më të guximshëm të Piranës, të Qëndresës dhe të Krushës së Vogël. Aktivizohet në shtabin lokal të këtij fshati dhe gjatë tërë luftës bashkëvepron me luftëtarët e Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, të Brigadës 125 të Prizrenit e 126 të Hasit në Zonën Operative të Pashtrikut. Luftëtarët e fshatit Krushë e Vogël ishin të organizuar në një skuadër në fillim, por ky formacion u zhvillua veçanërisht pas Betejës së Rahavecit në korrik të vitit 1998 e pas riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tetor kur fshati Reti e Anadrinit u shndërrua në një kazermë të Zonës Operative të Pashtrikut. Formacioni i Krushës së Vogël, i përgatitur dhe i ushtruar mirë siguronte rrugën prej fshatit Romajë të Hasit e deri në Drenajt e Zatriqit, por pas 27 majit të vitit 1998 luftëtarët e Krushës së Vogël gjenden në istikamet e para dhe kështu zë fill rrugëtimi luftarak i Manush Berishës me shokë të fshatit i cili lirinë e Kosovës e pagoi me 120 viktima që u vranë e u prenë, u dogjën dhe u hodhën në Drinin e Bardhë e në mesin e tyre u dogj edhe Ahmet Berisha, babë i Manushit.
Për luftëtarët e Krushës së Vogël, Beteja e Izbishtit më 26 dhe 27 tetor ishte ndër sfidat e para, por edhe fitore e parë e luftëtarëve të këtij fshati kundër hordhive të egra barbare të karpateve që hapën këto luftime në Kodrat e Izbishtit me pretekst të sigurimit të punëtorëve për vjeljen e rrushit. Rënia heroike e komandant Xhelal Hajdës-Tonit dhe e Selajdin Mullabazit-Micit në “Kryqin e Apterrushit” më 6 nëntor të vitit 1998 për djemtë e Anadrinit ishte ndër humbjet më të mëdha, ndër ditët kur të gjithë mendonin se do të thërmohen njësitet e vendosura në Reti. Por kjo rënie ndikoi në syçeltësinë dhe në ndryshimin e taktikës për shfrytëzimin e rrugëve të Anadrinit, veçanërisht të akseve rrugore nëpër Rrafshin e Anadrinit. Më 26 shkurt të vitit 1999 granatohet fshati Qëndresë, në veriperëndim të Krushës së Vogël dhe përjetësohet dëshmori Abdyl Binak Pajaziti, ndërsa me rënien e bombave të para të Aleancës Veriatlantike, forcat serboçetnike duke u gjetur ndërmjet këmbësorisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave nga ajri të Aleancës, si të pafuqishëm për t’u përballur me ushtarë fillojnë masakrimet mbi popullatën e pafajshme civile nëpër fshatrat: Landavicë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Celinë, Fortesë, Brestos, Hoçë e Vogël, Zatriq, Rudinë, Apterrush e Qëndresë. Manush Berisha me luftëtarët e Krushës së Vogël reziston në kodrat përreth fshatrave Qëndresë e Krushë e Vogël, pozicione këto që i lakmonte ushtria serboçetnike dhe kjo rezistencë zgjat në mënyrë të pandërprerë deri më 5 maj të vitit 1999. Jo larg fshatrave Krushë e Vogël e Piranë, te Ura e Piranës, Pal Paluca sulmon forcat serbe në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë dhe pas shkatërrimit të një njësiti të motorizuar, forcat serboçetnike zënë t’i sulmojnë pozicionet e Ushtrië Çlirimtare të Kosovës në trekëndshin kodrinor të fshatrave: Krushë e Madhe-Qënddresë e Nagac me pretendim që t’i shkatërrojë këto njësi dhe kështu të sigurojë shfrytëzimin e magjistrales Prizren-Gjakovë.
Kështu, pas shumë granatimeve nga ana e Rrihjeve të Rahavecit, nga Pnishi i Hasit, nga Megjaku i Landavicës dhe nga aksi rrugor që përshkon Rrafshin e Anadrinit, sërish janë edhe më të fortë batalionet e brigadave 123 të Therandës, kah fshati Vnesht, të Rahavecit, kah Hamocet, në Celinë e në “Lugjet e Mileskës” duke bashkëvepruar brigadat 123, 124, 125 dhe 126 të Zonës Operative të Pashtrikut, jo larg fushëbetejave të Brigadës 128 të kësaj Zone e cila me sulmet e rrufeshme i afrohej Bregut të Drinit të Bardhë nëpër Gurrazhub e Planejë të Hasit.
Më 27 maj, të premten, kah ora 15.00 kanonada të tëra mbulojnë lëndinën e Mileskës veçanërisht istikamet te “Zabeli i Sllajve”, madje edhe me predha të pazëshme dhe plagosen rëndë luftëtarët Nazmi Hasani, Agron Bytyçi, Manush Berisha dhe Sahit Hajredini e luftëtarët Afrim Mustafa, Selim Ramadani e Brahim Batusha, arrijnë për ta tërhequr të plagosurin Manush Berisha dhe e dërgojnë në fshatin Rogovë të Hasit për t’u shëruar në një shëtpi me spital të improvzuar ushtarak. Në këtë shtëpi-spital Manush Berisha dëgjon krismat e luftëtarëve të lirisë si në Betejën e Mileskës më 28 maj ashtu edhe në Betejën e Gurrazhubit, pra këtej e andej Drinit. Këtej Drinit, Berishët e Valljakës së Klinës mbeten pa Bedriun e andej Drinit, pa Shpendin ndërsa të nesërmen, më 29 maj pushon së rrahuri edhe zemra e luftëtarit të lirisë Manush Ahmet Berisha prej Krushës së Vogël. Përcjelljen e Manushit e organizon Brigada 126 e Zonës Operative të Pashtrikut, ndërsa rivarrimi i dëshmorit bëhet më 1 gusht të vitit 1999 në fshatin Krushë të Vogël, në një rrëzëkodre të bukur, nën hijen e lisave gjigandë pranë Tyrbes së Dervish Hasanit e sot pranë shtëpisë së amshueshme të Manush Ahmet Berishës gjenden edhe shtëpitë e përjetshme të krushjanëve të vrarë e të masakruar madje prej fqinjve të tyre.
Dhe foli Krusha e Vogël ashtu siç flasin: Krusha e Madhe me 295 të vrarë, të karbonizuar, të masakruar e të zhdukur, Celina, me 120 të vrarë që sot kundrojnë lirinë e Kosovës së larë me gjakun e tyre, Fortesa me 65 civilë të vrarë e të vendosur në një “Lëndinë të Pikëllimit” jo larg Celinës fqinje, Hoça e Vogël me rreth 70 të vrarë e të masakruar, Brestosi me 60 viktima, Nagaci me 43, Zatriqi me 20 e Rudina me 130, Apterrushi me 20, Rahaveci me mbi 100 civilë e Retia me dhjetëra të vrarë.
Foli e flet edhe Krusha e madhe të cilës tash e një decenie askush nuk i thotë një fjalë të vetme për profesor Ukshin Hotin madje as Ragipi, i vëllai i profesorit i cili me dhjetëra kushërinj e studentë të Ukshin Hotit prehet në Tokën e Kosovës, në lëndinat e Krushës së Madhe. Foli e flet Krusha e Vogël për të treguar se çka bëri Ajo për Kosovën dhe sa e shtrenjtë është Liria e Kosovës këtu në zemrën e këtij trolli të frytshëm ku buka fitohet me shatë e krah, e liria mbrohet me gisht e me qark. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …