Margarita Xhepa

Margarita Xhepa: Pasioni, përgjegjësia, vërtetësia, e bëjnë aktorin të pavdekshëm në sytë e spektatorëve

AFP, intervistë me aktoren dhe artisten  e  mirënjohur shqiptare, Margarita Xhepa

Pas marrjes së Titullit të lartë Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Margarita Xhepa shprehet: . “Kam marrë shumë trofe të ndryshme, në festivale filmash, teatrosh, poezish apo aktivitete të tjera, por ky vlerësim, është i një lloji të veçantë. Para 7 vjetësh, mora dekoratën “Nderi i Kombit”. Si unë dhe disa shoqe të miat. Nuk them se nuk e vlerësoj atë dekoratë, por kjo e fundit sikur më mbush një zbrazëti. Ishte gëzim i madh, i bukur, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time. E theksoj këtë, për familjen time, sepse ato më kanë mbështetur në gjitha arritjet e mia. Më kanë mbështetur kur shkoja për ditë të tëra në sheshet e xhirimit, kur shkoja në fshatrat e largët dhe ata sakrifikonin pa mua. Shumë njerëzve nuk i besohet, por, në atë sistem, shpesh herë, fëmijët i merrja me vete në sheshet e xhirimit. Sakrificat e tyre janë të panumërta dhe unë ua shpërbleva me këtë dekoratë. Një shkrimtar i madh grek, Kazanxaqis, ka thënë “Kur të do familja, është bukur, kur të do dhe të nderon shoqëria, është mrekulli, por kur të nderojnë institucionet shtetërore, është hyjnore!”. Kështu që kjo dekoratë është hyjnore për mua dhe familjen time. Njëkohësisht dua të falënderoj të gjithë regjisorët që më kanë besuar rolet nga më të ndryshmit, dhe ende, më besojnë.

AFP: Cilët janë dy filmat që luajtët vitin e kaluar?

“Filmi i parë ishte me regjisorin Marko nga Spanja. Film për të përndjekurit politikë. Filmi i dytë, me Edmond Topin ishte një film për moshën e tretë, rol që i përshtatej moshës time, sipas një skenaristi gjerman. Unë luaja rolin e një violinisteje që ka dalë në pension, të cilin e pranova me kënaqësi. Ishte film që më dha kënaqësi të veçantë. Një film ndryshe, që më përshtatej në moshë, ide, por edhe në aspektin e të qenit artiste”.

AFP: Ende luani me atë fuqi dhe me atë përkushtim, si dikur e re?

E dua artin, profesionin tim, e dashuroj atë! E ndjej se kam ende për të dhënë në art. E them këtë, se e shoh se kam forcë, memorie, energji, dëshirë, ide që më mbajnë të gjallë në këtë rrugë të bukur. Jam me parimin se artin duhet ta lësh, kur ai të lë; pra, të lënë këto elemente që përmenda më lart. Unë e them me bindje se ende do të jap, se nuk më mungojnë energjitë, por edhe kërkesat e regjisorëve janë të shpeshta. Konkretisht, për vitin 2107, kam dy filma që do të realizoj dhe po përgatitem.

AFP: Sa role keni realizuar në tërësi në teatër dhe kinematografi?

Nuk e kam bërë bilancin e saktë të filmave, sepse ende punoj dhe realizoj. Por në teatër kam realizuar 150 role. Pra, role me tre shifra që kur i kujtoj, tendosem mirë. Ishin vite të tëra pune dhe energjie të pashtershme. Kurse për filmat mund të them se, në monizëm kam bërë rreth 35 role filmash dhe rreth 15 në këtë sistem. Mund të jenë rreth 50 role në filma, por në këtë gjini arti, unë vazhdoj të punoj. Kam ende punë për të bërë.

 

AFP: A keni ndonjë peng nga sistemi i kaluar dhe e keni realizuar tanimë?

Në atë sistem kisha peng dhe ëndërr antikitetin. Doja të luaja role të asaj periudhe të ndritur. Në demokraci kam luajtur një rol tepër interesant, Elektrën e Sofokliut, të cilin e vuri në skenë regjisori i madh grek, Dhimitër Mavriqo. Por jam ftuar nga një tjetër regjisor i madh grek Sotiris Akzaqis. Më thirri për të luajtur një dramë. Një dramë që, me të vërtetë, nuk e prisja kurrë që ta sillte në skenë një regjisor grek. Është pikërisht drama “Kush e thirri Doruntinën”, ajo që më befasoi pasi e vendosi në skenë ky regjisor i talentuar. Regjisori Sotiris Akzaqis po sillte një frymë të re në skenën teatrale. Ai kishte lexuar të përkthyer në greqisht “Kush e solli Doruntinën”, të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, legjendë e shkruar në të gjitha vendet e Ballkanit, sipas mënyrës së tyre. Kanë afërsisht të njëjtën fabul, personazhe, por në këndvështrime të ndryshme. Secili shkrimtar e ka përcjellë sipas karakteristikave, gojëdhënave, veçorive të vendit të vet, por me emra të ndryshëm personazhesh. Ndoshta, regjisori grek i kishte lexuar të gjitha variantet dhe si më të mundshmin më të realizueshmin, më të arrirë artistikisht, ka marrë variantin e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Atë vura dhe unë në skenë. Por, mbi të gjitha, me regjisorin tjetër grek, Vangjelis Theodhoropulos, kam luajtur në dramën “Trojanët” që e humbën mbretëreshën e Trojës, rol që e kisha ëndërr. Këtu luajta rolin e Ekubës, rol që vinte tamam në moshën time. Roli ishte brenda dramaticitetit dhe potencës time dhe duke thënë me modesti, në Greqi, për këtë rol kam marrë vlerësime që nuk i prisja kurrë. Kritikët grekë theksuan në dy gazeta: “Margarita Xhepa nga Tirana, na solli Katina Paksinu”. Katina është një ndër aktoret më të mëdha greke – së bashku me Milena Mërkuri dhe Irene Papas – që ka luajtur më bukur nga të gjitha rolin e Ekubës, mbretëreshës së Trojës. Madje, një kritik shkruante “Zëri i Margarita Xhepës shkërmoqi teatrin e Melina Mërkurit”. Më këtë vlerësim ndihem mirë, pasi Katina ka luajtur rolin më të bukur të Ekubës në Greqi. Por ajo ka mbi 16 vjet që ka vdekur dhe grekët thanë, na kujtove Katina Paksinu. Me këtë pjesë të sjellë nga antikiteti, që m’u besua nga Vangjeli Theodhoropulos, plotësova një ëndërr timen. Ishte rol i jashtëzakonshëm, i cili mbante brenda vetes gjithë dhimbjen e Trojës. Atë mund ta vlerësoj edhe si një nga rolet më angazhues. U përfshiva kaq shumë në të, sa mbaj mend se edhe gjumin e braktisa. Për këtë rol, nga revista “Kult”, mora çmimin e atij viti. Nga kryetari i bashkisë, mora çmimin për rolin më të mirë të vitit.

Si i kujton miqtë e tu, që tanimë i takojnë përjetësisë?

Ah, sa shumë kanë ikur! Sa më mungojnë! Kanë ikur yjet e artit, por më e keqe është se kanë ikur në moshë të re, kur kishin për t’i dhënë ende, artit shqiptar. Këto vdekje kanë lënë shumë gjurmë tek unë. Kanë ikur disa pa i mbushur të 60-at. Askush nuk e beson, askush nuk e merr me mend. Sa dhimbje e madhe! Ata ikën në kulmin e artit, në kulmin e pjekurisë artistike. Mund të përmend Bujar Lakon e madh, me të luajta “Kush e solli Doruntinën”. Ishte një kujtim i bukur, me atë aktor të madh, të mrekullueshëm! Po ashtu, mund të përmend Fatos Selën, Agim Qirjaqin, Fadil Kujofska, Roland Trebicka. Kam luajtur me të gjithë këta yje dhe kam mbresa të veçanta. Ata mbeten në kujtesën e popullit për thjeshtësinë, për bukurinë që sollën në skenat dhe në sheshet e xhirimit. Ishin aktorë të mëdhenj dhe njerëz të mirë. Me vdekjen e tyre, arti shqiptar ka humbur shumë!

 

Arti, si vlerësohej në sistemin komunist? Po sot?

Të jem korrekte, e them se në atë sistem arti vlerësohej, ndaj dolën dhe artistë të mëdhenj. Por çka është më e veçantë, në atë periudhë, artin, artistët i vlerësonte populli më shumë. Atë respekt që të jep populli, nuk ka top që e luan. Artistin kur del në rrugë dhe e takojnë, i flasin qindra njerëz; është nota dhe vlerësimi më i mirë që mund ti bëhet. More apo jo trofe, more apo jo kupë, nëse ti merr vlerësimet e njerëzve kudo që shkon, atëherë je e vlerësuar. Vula e popullit është e madhe, e rëndë, peshon. Populli nuk e ideologjizon artin, as artistin, ai vlerëson vetëm artin. Artisti më shumë jeton me rolin, me personazhin dhe e duhet ta çojë atë të gjallë tek spektatori. Pasioni, përgjegjësia, vërtetësia, e bëjnë aktorin të pavdekshëm në sytë e spektatorit, të njerëzve. N.q.s. ke lënë gjurmë në këto role, në këto karaktere, atëherë mbetesh i pavdekshëm, pasi jeta në të vërtetë është e shkurtër. Në jetë mbetet vepra,  ajo mbetet gjallë. Lum ai që ka lënë vepra të mëdha dhe të pavdekshme pas!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …