leoni

Kristë Maloku

Margaritari i mendimit filozofik dhe politik shqiptar

(Kristë MALOKU: Perëndimor apo lindor? (“Përpjekja Shqiptare” 1937)

Lindorizma shqiptare është një sistem mendimesh, ndjenjash dhe instinktesh, si çdo sistem tjetër jetese, me një botëkuptim të tijën. Si më të parën karakteristikë të lindorit shqiptar marrim proverbin e çdo qelepirxhiu të pashpirt: “Haja qenit, pija qenit”. Lindori shqiptar i pret të gjitha të mirat për vete – qelepir – nga të tjerët; bota për të është një burim i pashtershëm mjetesh, qejfesh e lezetesh të cilët ai i shfrytëzon me çdo mënyrë e metodë, pa pyetur se ku nget e ku vret. Detyrë të ndershme apo sakrifica vetëmohuese ndaj botës pranë nuk njeh kurrë lindori shqiptar. Përkundrazi ushujëza lindore, e pangopshme, i ngjitet trupit të përbashkët dhe shoqëror dhe ia thith gjakun pa asnjë droje e kujdes. Dhe në vend që të turpërohet për veprën shkatërrimtare të veten, lindori shqiptar bëhet edhe më kryelartë më kapadai, më qejfli.

 

Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë që t’i nxihet.

Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet.

Shet babë e nënë, besën e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e për vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë.

Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet:

Bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë.

Porse në shpirtin e vet është Lindori kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët, si ata ujqit që vejnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës.

Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek.

Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi.

Është gabim kur thuhet se Lindorizma na ka ardhur fillimisht nga Azia, apo nëpërmjet fesë islame, apo edhe nga populli turk. Jo kurrsesi, Lindorizma jonë është një dhunti fatale e krishterimit euro-aziatik. Po shpjegohem! Në shekullin VIII, aty kah viti 740 epokës sonë, do me thanë 600 vjet para se me shkelë turku në Atdheun tonë, Shqipëria u bë province e Bizantit, nën Leonin III. të quajtur Isaurios. Dhe nga ky despot i tmerrshëm u ngushtuan të gjithë shqiptarët për tu ndarë nga kisha romake perëndimore e për t u fundosur ndër labirintet e errëta të kishës bizantine Lindore të atëhershme. Por s’ishte aq fort ndarja, shkizma kishtare, sesa ai shpirt i administratës bizantine, plot ankth e myk, që u pllakos si një shpirt i zi, si një hije murtaje mbi mbarë kombin shqiptar. Turqia ka qenë trashëgimtarja dhe kujdestarja e mirazit bizantin, dhe kësula e kuqe – një krijesë greko-bizantine – u pranua si një simbol i atij trashëgimi.

Shqiptari i shkret ia ka thithur lëngun asaj bizantizme shkatërrimtare brenda 12 shekujve të kaluar – qysh nga viti 740 – dhe është kalbur dalëngadalë në trup e në shpirt të vet, duke iu shprishur kësodore fuqitë e tij më të thjeshtat e më fisnike bashkë-kombëtare. Shqiptari dikur ka pasur një dashuri të përvëluar dhe një besim të pafund ndaj Zotat e qiellit e të tokës, ndaj vendit dhe trashëgimit të të Parëve dhe ndaj vëllezërve të vet shqiptare.

Vala aristokratike dhe drita politike-filozofike që dridhen edhe sot në amanetet e pluhurosura të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe ndër sa e sa tradita malësore-shqiptare, lënë me kuptuar lartësinë shpirtërore dhe heroizmin vetëflijuese të të Parëve tonë dikur.

Porse të gjitha ato veti të larta e bashkë ndërtuese shkuan dëm e huq nëpër hejmin shkatërrues të bizantizmës. Sepse si në mbarështrimin shoqëror e politik,d.m.th. ndër marrëdhëniet e shqiptarit me shqiptarin dhe ndër marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin e tij, u fut e u përhap shpirti bizantin, si një epidemi rrënimtare dhe e deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit në një bollë amorfe. Kështu i tha nënprefekti djalit të ri, që po hynte rishtas kryetar komune: “Biro, ato që ke mësuar në kurse e libra hidhi mënjanë. Po deshe të jesh një nëpunës i mirë, të lavdërohesh dhe të nderohesh, mbaje popullin me premtime. Sille vërdallë nga një ditë në tjetrën,deri sa të mërzitet dhe mos i kryej ndonjë punë”.

Vet djalëria e shkolluar e ka gabim kur kujton se perëndimorja përmbahet vetëm ndër veshje e mbathje evropiane, apo në të ndeje plot kotësi nëpër sallone, apo edhe me kryerjen e ndonjë detyre sa për formë e për të rrëmbyer një rrogë të majme. Perëndimorja e vërtetë tregohet pikësëpari në kryerjen e një detyre të ndershme, fund e majë për hatër të asaj detyre, dhe pa qenë i shtyrë nga zori, nga ndonjë dëshirë apo nga shkëlqimi i ndonjë fitimi material. Bile perëndimori i vërtetë karakterizohet nga mënyra se si ai i ngarkon vetes me vetëdashje detyra të rënda, jashtë detyrave të zakonshme e të domosdoshme.

Heroizëm s’kërkohet prej askujt, porse lartësia morale e një perëndimori matet me gradën e vetëmohimit dhe vetëflijimit rreth një ideje të lartë, rreth një ideje që s’ka punë me kolltuqe apo llokma. Detyra e përditshme e një perëndimori është: Vepro gjithmonë në një mënyrë të atillë, që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtjeje për të gjithë; sillu si njeri i butë me të tjerët, pa hile; pranoje, nderoje dhe çmoje çdo njeri pa qëllime dhe prapamendime lindore!

Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen te çdo njeri – i madh a i vogël, pasanik apo i varfër, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo frikësime fetare, por vetëm e për vetëm në emër të një njerëzimi të lartë, i cili mbështetet mbi ato të drejta hyjnore që kanë mbirë në zemrën e çdo njeriu pak a shume normal. Dhe shpirti fisnik i një perëndimori është pikërisht ajo dhimbje mëshire dhe flijim plotë që drejtohet kundrejt çdo krijese nevojtare, por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjerë, kundrejt çdo populli varfanjak, e më së forti kundrejt kombit të vet në rrezik.

Gazeta “Përpjekja Shqiptare” 1937.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …