leoni

Maria Sinatra: Drama onirike e Fate Velaj dhe “Via Regia” e Sigmund Freudit në romanin, “KREUZTANNE”

Maria Sinatra: Drama onirike e Fate Velaj dhe “Via Regia” e Sigmund Freudit në romanin, “KREUZTANNE”

Marc Chagall, në biografinë e tij theksonte se “pikturat e mia janë kujtimet e mia “. Ky citim vlen edhe për Fate Velaj. Kujtimet e tij janë e kuqja, si zjarri që djeg dhe sjell me forcë mallin, si vdekja, si e kuqja e gjakut të sorkadhes derdhur nëpër rrugë me të cilin hapet romani por, edhe si jeshilja, si shpresa për rilindje që e mbyll atë.

“Pikturoj në thellësi të dritës” dhe “Kujtime nga e ardhmja” i titulloi ai dy ciklet e pikturave të tij.

Cilën ngjyrë përdori Velaj?

Vetëm të kuqen?

Po ngjyrat e tjera?

Shërbejnë ato si plotësuese ndaj pamjeve që kalojnë hapësirën që iu është lejuar dhe zgjaten drejt pafundësisë duke përshkuar “Via Regia”të Froid’it për të arritur të pandërgjegjshmen, thellësitë dhe majat e saj dhe në këtë mënyrë dimensionin onirik, aty ku humbasin jetën dhe figurat e saj.?

“Mua nuk më intereson objekti, por mbi të gjitha, atmosfera përreth objektit”, thotë Fate Velaj. Pra, jo ekzistenca e tij, se si ai është efektivisht. Atij i intereson ndjenja që objekti krijon. Befindlichkeit i tij.

Janë pikërisht ato figura që transformohen në personazhet e “Kreuztanne” aty ku tregimi i Velaj rrëfen kujtimet si pikturat e tij dhe pikërisht këtu kemi një Chagall nga e kundërta. Të pikturosh në telajo dhe të shkruash në letër, janë për Velaj e njëjta gjë, produkt i një eksperience perceptuese dhe krijuese që shkrihen dhe konkretizohen në “fakte familjare”.

Por, bëhet fjalë për një fakt që, duke kaluar në një retrospektivë autobiografike, e drejton vëmendjen e lexuesit drejt një serbatori kujtimesh ku “Ich Erzählung” (uni rrëfyes) është i aftë ti paraqes ato vetëm atëhere kur ai vendos të kalojë pa frikë kujtimet e së shkuarës, aty ku nuk dalin shumë në pah vuajtjet e të qenurit emigrat, por pikërisht ndarjet përfundimtare nga humbja e miqve dhe shokëve tek ajo e fëmijës së parë të lindur e vdekur si dhe ajo e babait, e treguar kjo, në faqet e fundit të vëllimit, thuajse për të shërbyer si kundrapeshë ndaj vdekjes së sorkadhes të faqeve të para. Dhe pikërisht në përshkrime të tilla “Kreuztanne” ndërmerr një atmosferë të dendur psikologjike, duke u afruar fortësisht tek pikturat, me rrugën e të papërcaktuarës dhe të pandërgjegjshmes.

Përmbajtja onirike e Velaj trajtonte shfaqjen e një gruaje gri me flokë të bardhë që lajmëronte vdekjen e vajzës pikërisht pak kohë para se të ndodhte lindja. Një ëndërr të ngjashme kishte pasur babai i tij, Melo, që jetonte në Vlorë, larg nga djali, dhe që i kishte atribuar kësaj figure pamjen e nënës së tij të vdekur përpara lindjes së Fate’s, për më tepër të panjohur për të. Ëndërr paralajmëruese dhe njëkohësisht, telepatike?

Në çdo rast është një ëndërr që shumë vështirë mund të interpretohet në tërma të ngushtë froidiane nëse reflektohet tek fakti që, për Frojd, ëndrra tejkalon pengesat duke përfaqësuar mundësinë që të kemi një realizim fantazmatik të dëshirës së ndaluar. Sipas tij, atëhere, del që Velaj nuk e kishte dashur lindjen e vajzës? Apo, do të kete pasur frikë prej saj, frikë se do ta kalonte atë në plan të dytë në marrëdhënie me gruan e tij? Këto janë interpretime shumë të përcipta. Por, nëse do të kontrollojmë me vëmendje, veç tekstit të vitit 1900 mbi interpretimin e ëndrrave, midis viteve 1921 dhe 1922 Frojd realizoi studime të tjera shpesh të harruara si përshëmbusll “Psikoanaliza dhe telepatia” e lexuar ndaj ndjekësve të tij në malet Herz, “Ëndrra dhe telepatia” e publikuar vitin pasardhës në revistën “Imago” si dhe “Kuptimi okult i ëndrrave” e shkruar ni vitin 1925 dhe prezantuar në psikoanalizën e “Hyrjes së Re” në vitin 1933.

Edhe pse qëllimi i vërtetë i Frojd’it ishte të delimitonte kufijtë midis psikoanalizës dhe të ashtquajturës “okulte”, kjo nuk ndaloi trajtimin e rasteve të parashikimit të së ardhmes, shpjeguar në termat e njohurive dhe tendencave që subjekti posedon dhe transmeton në rrugë të panjohura nga sistemet e zakonshme sensoriale dhe modalitetet komunikuese.

Duke u larguar nga mendimi frojdian, Carl Gustav Jung e konsideroi ëndrrën të lidhur jo dhe aq drejpërdrejtë me shpërblimin e një dëshire, por si një përfaqësim simbolik i situatës aktuale të jetuar në nivel të pandërgjegjshëm. Në këtë këndvështrim, ai ishte i mendimit se në ëndrra mund të manifestohet si pandërgjegjshmëria, po ashtu dhe paralajmërimi dhe këto, në terma joezoterike ose parasociologjike, pikërisht mbasi këto janë të lidhura me aftësitë e të pandërgjegjshmes që lajmëron paraprakisht situata të rrezikshme në bazë të perceptimeve ende të pakapura nga ndërgjegjia, por të afta të lulëzojnë në mënyrë simbolike në ëndërra.

Nga ana tjetër, ëndrra e Velaj nuk mund të interpretohet si rast unik, por do të hynte me meritë të plotë në letërsinë botërore. Shumë autorë kanë realizuar dhe përcaktuar vepra pasionante, lirike dhe jo me pamje që vijnë nga “nëntoka”. Djali i Dante’s, Jakobi për shembull, ëndërroi të atin që i tregonte vendin ku kishte fsheur trembëdhjetë pjesët që mungonin te Komedia Hyjnore. Lord Byron gjeti te ëndrrat një përbërës profetik sepse shenjat flasin për të ardhmen. Aktivitetet paralajmëruese komplekse të ndodhura në jetën onirike janë njohur edhe në fushën e filozofisë. Nëse Emmanuel Kant në vitin 1766 parandjente – njësoj si Volter – që “idetë që përballen përgjatë gjumit mund të jenë më të qarta se ato që përballen përgjatë shfaqjes”, në një kohë që Cartesio kishte pasur tre ëndërra qartësuese tek “Diskursi mbi Metodën”.

Në vitin 1929 Frojd, jo pa qëllim shkroi veprën “Një ëndërr e Cartesio: letër për Maxime Leroy”, në të cilën mund të lexojmë se “…ëndrrat e filozofit tonë hyjnë në tipin e quajtur ëndërra nga lartë…formacione idesh që mund të ishin realizuar përgjatë e nëpërmjet mendimit ëndërrimtar, ashtu si edhe përgjatë gjumit, dhe që vetëm në pjesë të caktuara e kanë nxjerrë përmbajtjen e tyre nga gjendjet psiqike mjaftueshëm të thella”. Sipas tij, ëndrrat nga lartë kishin lindur nga shqetësimet e ditës, për tu kundërvënë ndaj ëndrrave nga poshtë, të krijuara nga pulsimet.

Asgjë e çuditshme nëse mendohet se aspekte të jetës së përditshme fillojnë të bëhen pjesë e ëndrrave, duke hapur pjesë të jetës, duke ndriçuar pjesët në hije, duke gjetur më pas takim në realitet. Më shumë se paralajmërim ose telepati, do të ishte më e përshtatshme të flisnim për një intuitë shumë të spikatur, që është klasike te artistët dhe që të lejon të korrësh qasjet emotive në zhvillimin e ngjarjeve.

Por, a është po kjo intuitë që njëtrajtëson dhe lidh pazgjidhshmërisht dy Velajt, atë dhe bir. Vetëm se te Velaj bir intuita bëhet lirike. Njësoj siç bën Erlkönig, mbreti i Kukudhëve, që në poezinë e Gëte’s rrëmben nga krahët e babait birin që është duke vdekur, në një kohë që tek “Kreuztanne” gjyshja – fantazmë heq nga Fate vajzën dhe babain së bashku, duke transformuar ndërgjegjien perceptive të autorit në dhimbje.

Dhe rikthehemi tek ngjyrat. Jeshilja? Lindja e Helena’s, që duket e zhytur në një ëmbëlsi dhe muzikë të lehtë, si tingujt e harpës. Velaj rrëfimtar dhe Velaj piktor shkrihen në një dhe kompletohen si një unikalitet me njëra-tjetrën.

Duke lëvizur nëpër shtigje letrare, që qartas i përkasin botës gjermane, që shkojnë nga udhëtimet Gëte-iane nëpër Itali, e deri tek “Reisebilder” (Mbresa e pamje udhëtimesh) të Heinrich Heine’s, ky moment kulmor – Kreutzanne, vjen dhe rilindja e “Ich – Erzählung” (zëri im, ndjenja ime, ndrërgjegja ime), e një romani formues, që e lejom autorin, të braktisë kuptimin e brengave karakteristike, të cilat e kanë detyruar të lërë vendin e tij dhe të udhëtojë përtej vetvetes dhe tjetrit, së brendshmes dhe të jashtmes, midis asaj që ka patur dhe asaj që dëshiron të ketë, ndërmjet dëshirës dhe pasazhesh ëndrrash, dhe këto të fundit, thellësisht frojdiane.

Si përfundim, kemi një udhëtim metaforik i një jete në të cilën vijojnë vazhdimisht përvoja emocionesh, që e largojnë romanin si nga kriza solipsistike (e unit) të përcjella në fjalë, ashtu edhe nga sjelljet estetike të “art pour art” (arti për art), në të cilën “Ti” shërben për të ekuilibruar unin lirik; ku më tepër objekti është një domethënie holistike, e cila është përmbushja e “gjithçkaje”, që materializohet, dhe gjen realitetin e vet. Duke qëndruar në terrenin gjerman, të vijnë në kujtesë vizionet onirike (të ëndërrta), të pashkëputura kurrë nga ndjeshmëria e patriotizmit, të trajtuara aq bukur nga piktori romantik Caspar David Friedrich, i cili do të kishte thënë: “Mbylli sytë e trupit, derisa veprën tënde të mund ta shohësh me syrin e shpirtit. Më pas, zbuloje atë që pe në errësirë, për t’ja u përcjellë të tjerëve, nga jashtë-brenda tyre.”

Ndoshta do të ishte e mjaftueshme ta mendosh atë “duke u endur në detin e mjegullt” të tij, për ta kuptuar besnikërinë si ndjesi të njeriut apo më mirë, në formën e saj përballë maleve dhe detit të mbuluara nga mjegulla, si një metaforë e udhëtimit në brendësi me objektivin, për të arritur thelbin e vërtetë të botës, ngjitjen e fshehtësise së vërtetë të pamjes.

Peisazhi i vendeve ku Velaj nuk është vetëm transfiguruesi i gjendjeve emotive, por më tepër mishëruesi i pritjeve dhe pyetjeve ekzistenciale të tyre, përfaqëson kërkesën e mundësisë për t’i komunikuar përvojat më të thella të këtyre fakteve njerëzore të mbledhura aty.

Duke mënjanuar aspektin soditës të Friedrich, historia e Velaj, në fakt, dëshiron të përcjellë tjetër gjë.

Ndërsa reflekton privimet e jetës, luftërat njerëzore për t’i përmbushur ato, të pasuruara nga dashuria dhe dëshira, nga nostalgjia dhe nga trishtimi, e vënë individin në një raport kaq intensiv me ambientin, ku tregimi hapet vetëm nga syte e autorit, jo magjikisht e ireal, për sugjestion të ndjenjave, por për të bërë një rezyme të vendeve dhe gjërave ku ai ka jetuar.

Prandaj, ndodh që gërmimi në kujtimet e fëmijërisë dhe të adoleshencës të jetë kryer përmes një takimi të ri topografik, që sjell pika dhe sugjerime thelbësore, për ndërtimin e një jete ndryshe.

Por, në brendësi të ngjyrave të ndezura, të peisazheve, gjendet e verdha dhe e kuqja, ngjyra drite diellore, ekstroverte, të pasionit, të gjakut, të impulseve jetësore, të veprimit, të besimit në vetvete, ngjyra të shpresës, të rilindjes.

Duke dashur të nënvizoj apo t’u atribuoj një kuptim zanoreve, poeti Arthur Rimbaud shkruan:

“I, purpur, fjollë gjaku,

buzë të bukura, qeshje plot afsh,

në mllefe pendesash a në hove dalldie.”

Romani “Kreuztanne”, si përfundim, është tejet i pasur nga mundësitë interpretuese, si nga ato të traditës ashtu dhe nga ato të modernes, të teknikës shprehëse dhe të kapacitetit të tregimit, duke u nisur nga një sfond madhështor i kulturës së hulumtimit, megjithëse, pikë së pari, është rezultat i dukshëm në karrierën e një autori, tek i cili, zhdërvjelltësia, premton vazhdimin e bashkëbisedimit të tij me lexuesin.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …