- Të kota ishin përpjekjet anakronike dhe donkishoteske për ta UJDI-sur Jugosllavinë e katandisur
Të kota, anakronike dhe donkishoteske u treguan edhe përpjekjet për të krijuar organizata gjithë jugosllave si UJDI i Veton Surroit, të kota u treguan edhepërpjekjet për ta varrosur dhunën, të kota u treguan edhe fikjet e dritave dhe trokitjet me lugë nëpër pjata, që ndërmorën të zhgënjyerit dhe braktisurit titistë, zagarët e Beogradit, të kota ishin edhe shumë orvatje, që bënë skllevërit shpirtshitur, tashmë të braktisur nga padroni, të cilit i kishin kryer shërbime duke vrarë e duke denoncuar pabesisht vëllezërit e tyre të gjuhës dhe të gjakut. Të kota u treguan edhe brohoritjet për Stipe Shuvarin e Kaçusha Jasharin, të kota edhe apelet me nënshkrime të “intelektualëve”, të cilët mendonin se me “potpiset” e tyre të ruanin as aq mund të ruhej në kohën e erozionit të madh, që kishte nisur me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë që në fillim të viteve 90, të kota ishin edhe dorëzimet e triskave të partisë, së cilës i kishin shërbyer deri në neveritja.
Klasa e komunistëve “kosovarë”, e braktisur nga Beogradi, në kohën e të ashtuquajturit pluralizmit politik u rreshtua në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në disa parti të tjera, të cilat në fillet e tyre u udhëhoqën nga ish-komisarët e LKJ-së dhe nga mbeturinat e fundërrinat e UDB-së, që gjetën strehë nëpër parti politike. Ky ishte rezultati që korrën komunistët shqiptaro-jugosllavë për shërbimet e tyre të verbra kundër kombit e Atdheut.
Kjo klasë njerëzish, për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, ende fajëson kreatorët dhe organizatorët e kryengritjes së vitit 1981, sepse ata ua prishën ëndrrat dhe aspirata e tyre për përbashkësi dhe asimilim të qetë. Dhe, çuditërisht, edhe tani 39 vjet më pas, të tillët ende kanë mbetur po në ato pozicione, edhe pse Kosovën e liruan pikërisht ata që projektuan platformën e vitit 1963-1964, 1968, 11 marsin, 26 marsin dhe 1 e 2 prillin e vitit 1981 dhe që çuan përpara proceset çlirimtare duke i kurorëzuar me luftën heroike çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së. Ndodhi kjo, sepse lufta jonë nuk u zhvillua deri në fund dhe nuk i pastroi dot mbeturinat titiste, rankoviçiste e milosheviqiste, ose pastroi fare pak.
Nuk ishte e panatyrshme asokohe të ishe marksist leninist, as enverist, por ishte e panatyrshme të ishe komunist jugosllav, titist e rankoviqist i tipit të Azem Vllasit, Ali Shukriut, të Sinan Hasanit, Rrahman Morinës, etj. Ishte e panatyrshme të denoncoje vëllanë apo nxënësin e klasës sepse kishte shkruar tinëz KR (Kosova Republikë), por ishte e moralshme dhe kombëtarisht e preferueshme të rezistoje, pse jo edhe të mbaheshe i izoluar nëpër burgjet e pushtuesit, për ta kundërshtuar robërinë, qoftë edhe vetëm me bindje, duke iu qëndruar konsekuent, deri në fund, atyre bindjeve. Ishte krejtësisht e panatyrshme dhe e pamoralshme të fitoje grada duke denoncuar bashkëkombësit, apo duke izoluar, sulmuar e përbuzur familjet e atyre që ndodheshin nëpër burgje. Ishte e natyrshme dhe e moralshme të ndihmoje familjet e atyre që i kishte sakatosur regjimi okupator.
- Bërthama e ideatorëve të kryengritjes së vitit 1981 u bë më vonë edhe bërthamë e UÇK-së
Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit.
Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët nxori para gjyqit për vute të tëra sa e sa grupe studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës për Kosovën Republikë angazhoheshin dhjetëra grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.
Edhe pse në luftë për ta thyer “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar” ishte inkuadruar tërë aparatura politike dhe aparatura e represionit fizik, edhe pse luftën kundër këtij “nacionalizmi” e përkrahen të gjitha shtetet e Evropës, me përjashtim të Shqipërisë, e cila kërkesat e rinisë shqiptare i mbështeti fuqishëm, edhe pse në këtë luftë në mënyrën më të paturpshme dhe më të panatyrshme, po merrnin pjesë edhe shumë shqiptarë besnikë të jugosllavizmit, lufta për realizimin e idealeve kombëtare u tregua shumë më e fortë dhe përballoi me sukses të gjitha sfidat në rrethanat e caktuara shoqërore dhe historike.
Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.
Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12,000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe ndonjë epror. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.
Në luftë për ta “thyer” nacionalizmin shqiptar kishte filluar edhe aksioni i diferencimit ideopolitik, të cilit i printe ideologu famëkeq titist, Azem Vllasi dhe kompania e tij diferencuese. Në këtë luftë të panatyrshme, antishqiptare, morën pjesë në mënyra të ndryshme të gjitha republikat e Jugosllavisë e veçanërisht ajo e Maqedonisë, ku po ashtu luftohej nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar. Kjo luftë nxiti fuqishëm nacionalshovenizmin serb, i cili pasi supozonte se i kishte nënshtruar shqiptarët, filloi luftën për të nënshtruar edhe sllovenët, kroatët e myslimanët e Bosnjës.
Me qëllim për të vepruar në drejtim të krijimit të një force kombëtare, kishin shkuar në Shqipëri për t’ u stërvitur ushtarakisht në kohën e regjimit të Ramiz Alisë, dy grupe atdhetarësh, në mesin e tyre edhe komandanti i ardhshëm legjendar i UÇK-së,Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Salih Çeku e disa të tjerë. Po për këtë qëllim qenë organizuar edhe grupe të ndryshme ilegalësh që kryenin stërvitje ushtarake sidomos në Drenicë Dukagjin dhe në Llap. Në krijimin e celulave të para të UÇK-së, po thuajse në të gjitha ato celula kishte ish të burgosur dhe të përndjekur që veprimtarinë e tyre antijugosllave e kishin nisur në Mars Prill të vitit 1981. Një pjesë nga këta veprimtarë, në kushte dhe rrethana të caktuara ishte inkuadruar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila përjetoi batica dhe zbatica të shumta, meqë në kuadër të saj supozohej me të drejtë se ishin futur edhe kuadro të luhatshëm. Pavarësisht nga dobësitë, sektarizmi dhe bajraktarizmi, që mbretëroi në LPK, klasa e ish të përndjekurve kishte zgjeruar veprimtarinë në të gjitha vendet në Evropë, por edhe brenda në Kosovë, ku vepronin grupet e para guerile të armatosura, të cilat tashmë kishin kryer sa e sa aksione kundër stacioneve të policisë serbe kundër milicëve dhe kolaboracionistëve.
Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë dhe në mërgatë, në të gjitha nivelet komanduese ishin inkuadruar ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, sigurimin sekret, institucionet e para informative të UÇK-së, Fondin “Vendlindja Thërret” dhe përgjithësisht Lëvizjen për liri, Kryengritja e filluar në vitin 1981 u kurorëzua me luftën fitimtare të UÇK-së në qershor të vitit 1999. Kërkesa për çlirimin e vendit dhe krijimin e Republikës së Kosovës u kurorëzua më 17 shkurt të vitit 2008.
Ahmet Qeriqi