Ministria e Arsimit e ka anuluar tenderin prej 1.3 milion euro për krijimin e sistemit të digjitalizimit për menaxhimin e arsimit. Ky vendim i Zyrës së Prokurimit të Ministrisë erdhi menjëherë pas notës së protestës që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ia kishte nisur ministrit Ramë Likaj. Ambasada Britanike përmes një letre kishte shprehur shqetësimin me vendimin e Ministrisë për të hapur tenderin, pa u njoftuar paraprakisht Ambasada, me të cilën ishin dakorduar që procesin ta çojnë përpara së bashku. Në arsyetimin për anulimin e këtij tenderi, Ministria thotë se ngjarjet dhe arsye objektive kanë çuar deri në anulimin e procesit. Ambasada Britanike i kishte kërkuar Ministrisë që për këtë tender të priste deri në miratim, në mënyrë që çdo investim të jetë plotësuar dhe i harmonizuar me planin e veprimit.
