Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, nënshkruan sot Kontratën e re Kolektive të arsimit në Kosovë. Ministri Arsim Bajrami tha se nënshkrimi i kësaj kontrate parasheh obligimet e shtetit te Kosovës që mësimdhënësit të kenë një pozitë adekuate dhe të stimulohen. Sipas tij, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mirëpret sindikatën edhe në përpjekjet e përgjithshme për rritje të cilësisë në arsim. Ai tha se së shpejti do të procedohet edhe ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta. Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, tha se e veçanta e kontratës së re kolektive të arsimit është se këtë vit nënshkruhet kontrata e përgjithshme e SBASHK, që përfshin arsimin fillor, të mesëm, universitar dhe të gjitha kategoritë e sindikatës.
