MASHTRIMI I MADH

Ja pse ishte e nevojshme polemika që nisi Ismail Kadare
Shkruan: profesor, doktor, Rexhep Qosja 


Më 22 qershor, në Tiranë u mbajt një konferencë me gazetarët, në të cilën shkrimtari, Ismail Kadare i rishpjegoi, i ndryshoi apo i mohoi disa nga idetë e tij të shfaqura në librushkën polemike “Identiteti evropian i shqiptarëve”.
Konferenca në të cilën, si u njoftua, morën pjesë politikanë, ministra, diplomatë, publicistë, ndonjë shkencëtar dhe, natyrisht, shumë gazetarë u organizua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe nga Instituti i Kërkimeve Politike Alcide De Gasperi. Lajme më të gjata a më të shkurtra për mbajtjen e kësaj konference, të cilën organizuesit e saj e quajtën tryezë e diskutimeve, u dhanë, mandej, në gazeta, në radio, në televizione në Tiranë dhe në disa radio e televizione, që kanë emisione në gjuhën shqipe, edhe në disa vende evropiane e në SHBA.
Kjo konferencë shënoi inkuadrimin e anshëm e kjo domethënë të pamoralshëm të institucioneve të shtetit shqiptar në një polemikë midis intelektualëve.
Dhe ishte kjo një kërkesë e pamoralshme e Ismail Kadaresë që të jetë i ndihmuar prej shtetit në polemikë me kolegun. Po ky ishte një nga veprimet e palejueshme intelektuale të Ismail Kadaresë që i ka bërë ai në vazhdimësi sidomos në të kaluarën komuniste.
Kjo konferencë, e organizuar, pra, nga qeveria shqiptare, kishte disa qëllime.
Qëllimi i parë i konferencës në fjalë ishte që të arsyetonte platformën politike mbi të cilën Ismail Kadare e shkroi librushkën e tij Identiteti evropian i shqiptarëve.
Por, ky qëllim nuk u arrit.
Megjithëse në konferencë morën pjesë edhe disa nga tarafexhinjtë e Ismail Kadaresë, të cilët në shkrimet e tyre për polemikën futën shumë zjarr politik, ideologjik, fetar dhe, natyrisht, partiak, zëri i tyre aty gati se nuk u dëgjua apo ndoshta s’u bë botor nga mediet. Në gazeta, në radio e në televizione theksi u vu mbi diskutimet e disa të tjerëve, që nuk ishin paraqitur me shkrime rreth polemikës. Disa nga ata shfaqën mendime që nuk mund të quheshin të pajtueshme me mendimet e Ismail Kadaresë. Ajo që mungoi në diskutimet e tyre apo, së paku, nuk u paraqit në mediet, ishte distancimi nga disa ide që kishte shprehur dhe nga disa qëndrime që kishte mbajtur Ismail Kadare në librushkën “Identiteti evropian i shqiptarëve”.
Pse Ismail Kadare shpreh ide raciste në sprovën e tij ndaj disa popujve myslimanë, në radhë të parë ndaj popujve turq dhe arabë, nuk është shumë tragjike: kritikë të tij tashmë kanë dëshmuar se me ide raciste i ka “stolisur” ai veprat e tij edhe ndaj disa popujve të tjerë qoftë evropianë, qoftë aziatikë. Është tragjike, ndërkaq, pse në konferencën me gazetarët, në të cilën, le të përsëritet, ishin politikanë, ministra e diplomatë, idetë e tilla u lanë në heshtje. Dhe, kjo heshtje mund të krijojë përshtypjen e palejueshme e të pandodhur se shteti i sotëm shqiptar i vuri vulë pajtimi racizmit të Ismail Kadaresë ndaj Lindjes turko-arabe ashtu siç u vente shteti shqiptar komunist vulë pajtimi ideve dhe qëndrimeve të tij socrealiste, sovjetizuese, kundërmoderne, kundëkapitaliste dhe kundërperëndimore!
Përpos qëndrimit të parealizuar që të mbrohej platforma politike dhe ideologjike, në thelb raciste, mbi të cilën Ismail Kadare e shkroi sprovën e tij në fjalë, konferenca me gazetarët kishte edhe një qëllim tjetër: kishte qëllim që, mundësisht, të parandalonte mendimet ndryshe, e kjo do të thotë të vërtetat, për krijimtarinë e Ismail Kadaresë në përgjithësi dhe për rolin e tij në jetën letrare, kulturore dhe politike shqiptare, në njërën anë, në kohën e komunizmit e, në anën tjetër, mbas ikjes nga demokracia shqiptare dhe daljes në Francë.
As ky qëllim i konferencës nuk u arrit.

RISHQYRTIMI I KRIJIMTARISË DHE I ROLIT TË ISMAIL KADARESË KA FILLUAR 

Shkrimet ndryshe për veprën dhe jetën e Ismail Kadaresë, që dallojnë prej kritikës regjimore dhe prej shkrimeve që frymëzon tarafllëku, nuk do të mund të ndalen. Rishqyrtimi i krijimtarisë dhe i rolit të Ismail Kadaresë në jetën letrare, kulturore e politike shqiptare, sidomos, në kohën e komunizmit, ka filluar. Shkrimtari më i mbiçmuar i letërsisë shqipe, i mbiçmuar si pasojë e trysnisë që mbi mendimin për të ushtronin, dhe ushtrojnë, shteti dhe tarafët e tij, të përbërë prej gazetarësh dhe disa shkrimtarësh, ngadalë, por gjithnjë e më qartë, do të sillet në vendin që objektivisht i takon.
Në konferencën ndodhi edhe ajo që nuk pritej: Ismail Kadare e zhvlerësoi vetë nocionin qendror të sprovës së tij Identiteti evropian i shqiptarëve duke e quajtur “një term pune shqip”. Nuk mund të thuhet se ai nuk dinte se, si e tha njëri nga diskutuesit, nocioni identiteti evropian, i përdorur në njëjës mund të ketë vetëm përmbajtje politike, po jo edhe antropologjike, gjuhësore, historike, kulturore e të tjera. 
Në Evropë jetojnë popuj me prejardhje të ndryshme, me gjuhë të ndryshme, me histori të ndryshme, me kultura të ndryshme, me tradita të ndryshme – popuj të tri familjeve të mëdha etnike: latine, gjermane dhe sllave, të cilët po ashtu kanë identitete të ndryshme. Nuk mund të thuhet se Ismail Kadare nuk ishte në gjendje të shihte se sa dallojnë, fjala vjen, identiteti i finlandezëve prej identitetit të portugezëve, identiteti i suedezëve prej identitetit të francezëve, identiteti i gjermanëve prej identitetit të italianëve, identiteti i hungarezëve prej identitetit të grekëve, identiteti i baskëve prej identitetit të polakëve e kështu me radhë. Megjithatë, të gjitha këto ndryshime që janë pasuri e madhe qytetëruese dhe kulturore e Evropës, Ismail Kadare i fshin, i bën rrafsh dhe i fut nën një nocion ideologjik: identiteti evropian (në njëjës) thuajse të gjithë këta popuj janë një dhe nuk ndryshojnë prej njëri- tjetrit.

IDEOLOGU I NDARJES SË IDENTITETIT TË SHQIPTARËVE 

Për Ismail Kadarenë duket se është e rëndësishme që të gjithë këta popuj, sado me prejardhje,me gjuhë, me histori, me tradita, me kultura të ndryshme, kanë një të përbashkët dhe kjo e përbashkët quhet krishterimi. Dhe, pikërisht krishterimi është përmbajtja, është thelbi (kuintesenca) që e shfrytëzon ai për t’i djegur ndryshimet e identiteteve të popujve evropianë dhe për t’i shkrirë ata në një identitet: në identitetin evropian (të shkruar në njëjës)! Tani pashmangshëm shtrohet pyetja: a mund të mbulohen me këtë nocion, përmbajtja e të cilit është kryekëput njëfetare, disa milionë myslimanë të Evropës sot? A mund të mbulohen me këtë nocion hebrenjtë e Evropës sot? A mund të mbulohen me këtë nocion hindusët e Evropës sot? A mund të mbulohen me këtë nocion disa milionë shqiptarë myslimanë, që jetojnë në Ballkan e në Evropë sot? Pa dyshim, jo. Ata i përkasin një populli evropian – popullit shqiptar, por ata nuk i përkasin fesë së krishterë, që është përmbajtja e nocionit të Ismail Kadaresë Identiteti evropian i shqiptarëve.
Në këtë mënyrë, Ismail Kadare në të vërtetë bëhet ideologu i ndarjes së identitetit të shqiptarëve. Duke e mbështetur idenë e tij të integralizmit shqiptar mbi krishterimin, ai e ndan, e përçan, e thërrmon identitetin kombëtar shqiptar, që është i përbërë prej përbërësish edhe myslimanë edhe të krishterë.
Për ta bërë të bindshëm këtë koncept sa kundërshkencor, aq edhe kundërdemokratik dhe kundërhuman, Ismail Kadare ua qet lexuesve dhe dëgjuesve të tij karremin e gjithmonshëm politik: se jugosllavët, e kur thotë jugosllavët ai do të thotë serbët, gjoja e kanë indoktrinuar opinionin evropian me mendime mbi problemet që na paskan shqiptarët me identitetin e tyre.
Ashtu siç e thoshte të pavërtetën kur thoshte se studentët shqiptarë në vitin 1981 u çuan në demonstrata duke kërkuar që bashkëkombësit e tyre të kthehen në fenë e të parëve, domethënë në fenë e krishterë, ashtu e thotë të pavërtetën Ismail Kadare dhe kur e thotë se jugosllavët e kanë përhapur idenë mbi problemet që kanë shqiptarët me identitetin e tyre. E vërteta është krejt ndryshe.
Në Jugosllavi jo vetëm politikanë po edhe intelektualë sllovenë e kroatë thoshin dhe shkruanin se në Jugosllavi janë katër popuj me identitet të formuar kombëtar: kroatët, sllovenët, serbët dhe shqiptarët. Të tjerët, thuhej, e të tjerët ishin maqedonasit, boshnjakët dhe malazezët, kishin identitete të dyshimta, domethënë nuk kishin identitete të formuara. Madje, edhe intelektualë dhe akademikë serbë, të dalluar për qëndrimet e tyre kundërshqiptare, shkruanin se shqiptarët janë popull me identitet të fortë dhe me vetëdije të fuqishme shtetkrijuese.
Identitetin e shqiptarëve në Evropë mund ta kenë bërë të dyshimtë vetje si Ismail Kadare që aq lehtë e aq papërgjegjshëm mohojnë e përbuzin qoftë edhe me shkrime fenë së cilës i takojnë.
Po ta lëmë kontributin që Ismail Kadare mund t’u ketë dhënë mendimeve të evropianëve për problemet e identitetit tonë kombëtar e të shohim ç’thotë mbasi e ndërron qyrkun e tij të para dy muajve. 

KADARE ME TË DREJTË E SHPALL JOSHKENCOR EDHE SHKRIMIN E TIJ IDENTITETI EVROPIAN I SHQIPTARËVE 

Duke e shpallur edhe vetë të dyshimtë, domethënë joshkencor, domethënë demagogjik, domethënë mashtrues, nocionin identiteti evropian (shkruar në njëjës), Ismail Kadare me të drejtë e shpall joshkencor edhe shkrimin e tij “Identiteti evropian i shqiptarëve” me të cilin e filloi valën e polemikave, që ende nuk po marrin fund. Ai tha, seriozisht tha nëse pajtohet me fjalët që si të tijat u thanë në gazetën Shekulli: libri që kam shkruar unë (domethënë libri që ka shkruar Ismail Kadare “Identiteti evropian i shqiptarëve” është një sprovë. Sprovë do të thotë pjesë e letërsisë, nuk është shkencë, nuk është polemikë politike, as filologjike, as politologjike, është sprovë letrare. Një sprovë letrare ka ligjet e saj, ajo i shikon dukuritë që ndodhin nëpërmjet mënyrës së saj, ligjeve të saj”! Shkurt: Ismail Kadare na e thotë gojavetë se shkrimi i tij me të cilin e filloi polemikën kundër meje, është një hiçgjë! Dhe, kështu Ismail Kadare më në fund u pajtua me autorin, i cili ndër të parët tha se sprova e tij në fjalë është aq e cekët, aq dobët e shkruar, aq naive, saqë nuk kishte dinjitet të mjaftueshëm intelektual për të qenë e botueshme. Dhe, kështu ai u pajtua edhe me vlerësimin tim për sprovën e tij. Bukur, apo jo.
Po ta lëmë edhe këtë vetëdijësim të vonuar të Ismail Kadaresë dhe të shohim çka na thotë tutje ai në konferencën me gazetarët, të organizuar nergut për të nga qeveria shqiptare: për t’i dhënë mundësi që t’i paraqitet opinionit shqiptar me një shkëlqim të ri letrar, politik dhe ideologjik.
Çka, vërtet, tha më tutje Ismail Kadare?
Herën e parë tha: “diskutimet e lindura për identitetin evropian të shqiptarëve, janë të panevojshme”!
Herën e dytë tha: “është një gabim i rëndë hapja e këtyre polemikave”!
Nuk është polemika që nisi kundër meje me librushkën raciste Identiteti evropian i shqiptarëve shkrimi i parë, as e bëra e parë e Ismail Kadaresë të cilën Ismail Kadare e quan të panevojshme, madje gabim të rëndë! Nuk do të jetë as e fundit. Ai ka arsye ato që thotë sot t’i mohojë nesër. Kjo është politika e tij!
Ismail Kadare ka arsye të thotë, tani, se është një gabim i rëndë hapja e këtyre polemikave. Si mos të jetë për të gabim i rëndë hapja e një polemike në të cilën ai pësoi disfatë intelektuale dhe morale. Polemika ishte shumë e nevojshme pikërisht për të bërë të mundshme që të fillojë dritëhedhje në mashtrimet me të cilat e ushqen Ismail Kadare opinionin shqiptar.
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe ishte e nevojshme për t’i çmaskuar idetë raciste të Ismail Kadaresë dhe për të treguar se sa të rrezikshme mund të jenë ato në jetën politike dhe kulturore shqiptare: për të treguar se ç’rol shpërbërës (çintegrues) mund të luajnë ato në jetën kombëtare shqiptare.
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe ishte shumë e nevojshme për të demaskuar, në njërën anë, qëndrimet e tij kundër myslimane, të shprehura në vazhdimësi gjatë 15 vjetëve të fundit dhe, në anën tjetër, propagandën e tij për kthim në fenë e të parëve, domethënë në krishterimin – ishte e nevojshme për të treguar se trajtimi i këtillë i pabarabartë i dinjitetit të feve të ndryshme është një punë e rrezikshme, që mund të cenojë baraspeshën dhe bashkëjetesën e harmonishme shekullore mes shqiptarëve të feve të ndryshme.
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe ishte shumë e nevojshme për të treguar se, si në kohën e diktaturës komuniste, ashtu edhe sot, Ismail Kadare po shfrytëzon parti dhe institucione politike e shtetërore, në njërën anë, kurse tarafin vetjak të përbërë prej disa gazetarësh e shkrimtarësh, në anën tjetër, për të ushtruar dhunë mbi kritikën dhe, në përgjithësi, mbi shkencën letrare me qëllim që të ruajë edhe më tutje si në kohën e komunizmit, pushtetin në jetën letrare dhe kulturore shqiptare në përgjithësi.
Duke e ruajtur këtë pushtet të tij dhe të tarafit të tij në jetën letrare dhe kulturore kombëtare, ai në të vërtetë ruan privilegje të veçanta.
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe, ishte shumë e nevojshme për të parë se si me ndihmën e institucioneve politike e shtetërore dhe me tarafin e tij të përbërë prej gazetarësh dhe shkrimtarësh, Ismail Kadare ushtron dhunë edhe mbi mendimin kritik, në të vërtetë mbi historinë letrare shqipe, duke i shkaktuar asaj deformime të veçanta shkencore dhe morale. Edhe sot si dje, si në kohën e diktaturës komuniste, ai bën trysni mbi kritikën dhe historinë letrare me qëllim që të mbetet i zyrtarizuar mendimi për të si Njëshi i letërsisë shqipe!
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe, ishte shumë e nevojshme për të parë se nuk është aspak i vogël numri i atyre që shkruajnë sot në kulturën tonë duke mos ngurruar aspak që të komprometojnë mendimin shkencor: duke shpallur të vërtetë çdo gjë që për ta dhe miqtë e tyre është e dobishme. Një qëndrim i këtillë ndaj mendimit shkencor është shkaku kryesor i aq shumë bërllok-shkencës në shkrimet e Ismail Kadaresë dhe të bashkëmendimtarëve të tij.
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe. Ishte shumë e nevojshme për shkak se ua qiti për tokë maskat disa vetjeve gjatë të maskuara. Së pari ia qiti për tokë maskën Ismail Kadaresë, të cilin vetëm leverdia vetjake e nxiti të veçojë identitetin e shqiptarëve të Shqipërisë prej identitetit të shqiptarëve të tjerë duke e shkruar atë fjalinë famëkeqe: “Letrat e Shqipërisë janë të qarta”! Dhe, këtë separatizëm të tij e ndoqën pastaj miq të tij, njëri prej të cilëve nuk ngurroi të thotë se edhe po të bëhej i mundshëm referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do të votonin kundër, kurse tjetri nuk ngurroi të thotë se identiteti i shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë ndryshon prej identitetit të shqiptarëve të Shqipërisë, gjoja për shkak të jetës së tyre gati njëqindvjeçare në një bashkësi tjetër shtetërore! Nuk ka nevojë të theksohet se separatizmin e këtillë që nuk është pa ithtarë edhe në Kosovë, e komprometon vetë njëmendësia shqiptare, por është e nevojshme të theksohet se separatizmin e këtillë duhet komprometuar duke e demaskuar kudo që paraqitet ai: në fushë të gjuhës standarde, në fushë të përpjekjeve për shpalljen e identitetit kombëtar kosovar, në fushë të tejshquarjes, të tejtheksimit të vetëdijes fetare dhe, së fundi, në fushë të qëndrimeve kundërmyslimane të Ismail Kadaresë.
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe, ishte shumë e nevojshme për të parë se sa servile ndaj të huajve dhe sa brutale ndaj të vetëve janë klasa jonë politike dhe intelektuale. Dhe, ky servilizëm, në njërën anë, dhe ky brutalitet, në anën tjetër, tregojnë se sa jodemokratike janë gjuha jonë politike dhe gjuha jonë intelektuale. E, dihet: nuk mund të flitet për demokraci të vërtetë në një vend pa u demokratizuar gjuha politike dhe intelektuale. Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe, ishte shumë e nevojshme për të parë se mendimet tona, vlerësimet tona, horizontet tona intelektuale ende janë mendime, vlerësime, horizonte krahinore (provinciale). Mendimet e të huajve, vlerësimet e të huajve bëhen përcaktuese të mendimeve dhe të vlerësimeve tona për vetjet tona, për vlerat tona, pavarësisht pse në mendimet dhe në vlerësimet e tyre mund të jenë të përmbajtura interesat e tyre!
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe, ishte shumë e nevojshme për të parë se sa shumë, tmerrshëm shumë, janë përmbysur parimet dhe standardet etike në jetën tonë letrare dhe kulturore në përgjithësi e të mos flitet për përmbysjen e tyre sketërrore në jetën tonë politike. Vetëm në një kulturë në të cilën aq poshtë janë përmbysur parimet dhe standardet etike mund të rehabilitohet aq lehtë edhe aq agresivisht një shkrimtar politik si Ismail Kadare, i cili politikisht e fetarisht vishet e zhvishet aq lehtë e aq shpejt, i cili me mendimet kritike, historiko-letrare, me vepra publicistike, me disa vepra letrare në prozë e në vargje, dhe me rolin në jetën letrare e kulturore, aq shërbimet ia ka bërë diktaturës komuniste. Në një varg vendesh ish-komuniste bëhen të ashtuquajturat antologji të turpit kombëtar, në të cilat botohen shkrime – vjersha, poema, sprova, studime, fragmente prozash, që shkrimtarë të ndryshëm u kanë kushtuar diktatorëve komunistë të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tyre, kurse ne e lavdërojmë dhe e festojmë ideologun e sovjetizimit të letërsisë dhe të kulturës shqiptare, bashkëpjesëmarrësin ideologjik dhe politik në krimet ndaj krijimtarisë letrare e shkencore dhe ndaj disa krijuesve! Është harruar, tragjikisht është harruar, se etika kombëtare, që përmban vepra e Naim Frashërit dhe krenaria kombëtare, që përmban vepra e Gjergj Fishtës duhet të jenë obliguese ndaj çdo krijuesi shqiptar. Dhe, ndaj opinionit shqiptar.
Polemika që nisi Ismail Kadare ishte shumë e nevojshme. Dhe, ishte shumë e nevojshme edhe për një sërë arsyesh të tjera, për të cilat është e pamundur të flitet në këtë shkrim-reagim ndaj konferencës me gazetarët që shteti shqiptar ia organizoi Ismail Kadaresë. Ajo që duhet të thuhet në fund është kjo: e vërteta për krijimtarinë e Ismail Kadaresë dhe për rolin e tij të vërtetë në jetën letrare dhe kulturore shqiptare, sidomos, në kohën e diktaturës komuniste nuk mund të burgoset më pavarësisht prej përpjekjeve të tij, të njerëzve të tarafit të tij dhe të institucioneve shtetërore që ta burgosin atë.
Le të jetë kjo një përvojë historike për brezat e ardhshëm të krijuesve shqiptarë. 


Dr.prof. REXHEP QOSJA: PSE KJO REPLIKË ME ISMAIL KADARENË ?! 

Populli thotë: Më mirë vonë se kurrë. Vazhdoj të besoj në etikën intelektuale, me të cilën jam pajisur duke lexuar rilindësit tanë dhe mendimtarët evropianë: Luftoji mashtrimet edhe në qoftë se lufta duket e kotë. Kurrë s’është vonë. Kam pritur shumë reagime në trajtesën “Realiteti i shpërfillur”, me të cilën iu kam përgjigjur polemikës së Ismail Kadaresë ndaj pikëpamjeve të mia mbi identitetin kombëtar dhe vetëdijen fetare, por në asnjë rast nuk kam pritur që aq shumë ngjyrë politike dhe ideologjike do të hidhet në fytyrën time!
Kjo përgjigje e dytë ndaj polemikës së dytë, në të vërtetë ndaj pamfletit të Ismail Kadaresë me titullin “Pabesia e një polemisti”, të botuar në gazetën “Shekulli”, më 17 maj 2006 dhe, pastaj, të ribotuar në disa gazeta edhe në Prishtinë, përpos në gazetën “Epoka e re”, në të cilën është botuar përgjigjja ime “Realiteti i shpërfillur”, botohet me vonesë. Dhe, kjo vonesë ishte e detyrueshme: ishte pasojë e pjesëmarrjes së shumë vetjeve në këtë polemikë midis tij dhe meje, qoftë me shkrime në gazetat e Tiranës e të Prishtinës, qoftë me letra e artikuj në forume të ndryshme e në internet. Megjithëse reagimet vazhdojnë, sado më rrallë, konsideroj se nuk është e nevojshme të pritet më shumë: mendimet kryesore janë thënë, ndjenjat më të papërmbajtura, ndoshta, janë shprehur.
Përgjigjja ime, prapë, do të jetë e gjatë, por, megjithatë, shumë më e shkurtër se pamfleti i Ismail Kadaresë bashkë me pamfletet e disa prej miqve të tij, që janë kujdesur aq shumë të më “përpunojnë” ideologjikisht, politikisht dhe fetarisht, duke më vënë përpara turli flamujsh!
Qëllimi i përgjigjes sime dallon rrënjësisht prej qëllimit të pamfletit të Ismail Kadaresë. Ndërsa ai shkruan me pezëm, ab irato, dhe ka për qëllim kryesor të më fyejë, madje, si e thotë lehtësisht njëri nga reaguesit, të më përbuzë, qëllimi im është krejtësisht tjetër: qëllimi im është që të shpjegoj çështjet e ngritura ashtu siç duhet t’i shpjegojë njeriu që nuk pranon të zëvendësohen arsyeja me urrejtjen e argumenti me mashtrimin, domethënë qëllimi im është që të bëj një përgjigje që do të jetë e dobishme për letërsinë, për historinë e letërsisë, për kulturën dhe, ndoshta, për politikën tonë. Si as në përgjigjen e parë, Realiteti i shpërfillur, as tani, në të dytën, unë, natyrisht, nuk i lejoj vetes t’i shmangem rolit që ka intelektuali në jetën kulturore, politike dhe shoqërore në përgjithësi e që është, siç është thënë shumë herë për-para meje prej shumë intelektualëve: kuptimi dhe shpjegimi objektiv, i ndershëm i njëmendësisë. Të dhënat që sjell, përfundimet që bëj prej përimtimit të tyre, mund të jenë të padëshiruara, madje, të hidhura, qoftë për vete, qoftë për grupe, por unë nuk fyej dhe nuk përbuz kënd. Fyerja dhe përbuzja nuk ishin mjeti im në asnjë kohë – pavarësisht sa e ngrysur mund të ishte ajo dhe në asnjë situatë -pavarësisht sa kërcënuese mund të ishte ajo. Fyerja dhe përbuzja s’bëjnë pjesë në edukatën time.
Si lexues i veprave të Ismail Kadaresë, prandaj edhe i intervistave dhe përgjigjeve që ka dhënë ai për gjykimet e të tjerëve mbi krijimtarinë e tij, kam parë se ai me lehtësi ka shqiptuar shpesh fyerje dhe përbuzje për ata, të cilët për veprën e tij dhe për të nuk mendojnë e nuk shprehen siç do të donte ai. Fyerja dhe përbuzja janë dëshmuar kështu si mjet i tij i shpeshtë në qërimin e hesapeve me oponentët në diskutimet mendore. Më kujtohet se si një kritik, të mos pajtuar me të, e quante plehurinë, një tjetër plehërishte, një të tretë halldup, një të katërt gërxho! Më kujtohet se si bamirësin e vet të dikurshëm do ta quajë homoseksual! Më kujtohet se si “plehurinat”, “plehërishtet”, “halldupët”, “gërxhot”, “homoseksualët” kur e kur do t’i quajë edhe tradhtarë! Siç dihet, në përbuzjen mbështetet ideologjia e racizmit. Ata që e dinë se sa gojëlëshuar është shkrimtari Ismail Kadare, ata mund të jetë se nuk janë befasuar shumë kur në sprovën e tij mbi “Identitetin evropian të shqiptarëve”, me të cilën i është përgjigjur trajtesës sime “Ideologjia e shpërbërjes”, kanë parë se ai nuk përmbahet nga përbuzja ndaj botës islame e kjo domethënë nuk përmbahet nga shprehja e racizmit ndaj kësaj bote!
Të jem i sinqertë: nuk kam pritur se mund të jem i fyer prej tij jo vetëm për një sërë arsyesh, për të cilat nuk mund të flas këtu, por edhe për arsye se në trajtesën time “Ideologjia e shpërbërjes”, kundër së cilës është ngritur me sprovën “Identiteti evropian i shqiptarëve”, askund nuk e kam përmendur dhe nuk e kam përmendur, sepse në asnjë rast nuk kam menduar për të. As nuk e kam përmendur Ismail Kadarenë në atë trajtesë, as nuk e kam cituar në çfarëdo mënyre ndonjë vepër, intervistë a deklaratë të tij. Pse, atëherë, ai e fillon këtë polemikë? Pse, atëherë, ai shkruan një librushkë kundër meje? Pse, atëherë, ai më fyen me fjalët që kurrë nuk do t’i pritja prej tij? Pse, atëherë, ai aq lehtë tregohet i pabesë ndaj meje? Pse, atëherë, e shfrytëzon trajtesën time “Ideologjia e shpërbërjes” për të filluar një polemikë për çështje fetare, sado unë në trajtesën e përmendur merrem edhe me çështjen e gjuhës standarde dhe me përpjekjet për krijimin e identitetit kombëtar kosovar? Sigurisht, kishte një arsye, në të vërtetë një interes të veçantë vetjak për këtë.
Ata që i kanë lexuar veprat publicistike të Ismail Kadaresë pas daljes në Francë, dhe ata që i kanë lexuar a dëgjuar intervistat dhe deklaratat e tij të ndryshme në këtë kohë, dhe ata që sadopak i kanë përcjellë paraqitjet e tij botore në Atdhe, në Evropë e në SHBA, ata nuk e kanë pasur të vështirë të binden se ai po bënte shumë përpjekje për të krijuar përfytyrim të ri për veten: një përfytyrim që, vetëkuptohet, do të ndryshonte plotësisht prej përfytyrimit që për të ishte krijuar në kohën e komunizmit. Dhe, këto përpjekje as nuk ishin të papritura, as nuk ishin shumë, shumë të çuditshme. Një varg shkrimtarësh, nga vendet ish-komuniste, që kishin qenë pjesëtarë të nomenklaturave komuniste, që i kishin shërbyer përtokas komunizmit, që kishin qenë të privilegjuar si Ismail Kadare apo përafërsisht si Ismail Kadare nga udhëheqjet komuniste, do të bëjnë përpjekje që të lahen e të shpërlahen sa më fort prej të kaluarës së tyre! Por, përpjekjet e Ismail Kadaresë për të ikur sa më larg nga e kaluara e tij komuniste, do të jenë më origjinale dhe më të veçanta se të shumicës së bashkëmendimtarëve e ngjashëmvepruesve të dikurshëm, qoftë në vendet e tjera ish-komuniste, qoftë në Shqipëri.
Ndryshe prej shumë shkrimtarëve të tjerë oborrtarë të komunizmit, që do të përpiqen të krijojnë përfytyrim të ri për veten duke e kritikuar komunizmin, në radhë të parë, si ideologji dhe praktikë shtypëse mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, mbi lirinë e krijimtarisë dhe lirinë e ndërgjegjes, Ismail Kadare do ta përqendrojë kritikën kundërkomunist e mbi njeriun që e kishte përkrahur, që e kishte mbrojtur, që e kishte afirmuar, që kishte bërë të mundshëm përkthimin e veprave të tij të para në gjuhën franceze: Enver Hoxhën. Nuk mund të thuhet se Ismail Kadare nuk e dinte, se nuk kishte lexuar, se diktatorët nuk lindin diktatorë, por diktatorë i bëjnë, kryesisht, të tjerët: çiftat e Ismail Kadaresë – ata që turren për t’u ngritur, për t’u shquar, për të përfituar sa më shpejt duke iu servilizuar sundimtarëve. “Nuk qëndron problemi te Qezari që triumfon mbi të tjerët – shkruante filozofi bask Ortega Gaset – por te të tjerët që ia bëjnë të mundshme Qezarit të triumfojë”. Dhuna e diktaturës nuk është dhunë e bërë me duart e diktatorit, por dhunë e bërë me duart e atyre që në emrin e tij ushtrojnë dhunë: e vetjeve të etshëm për pushtet – e frikacakëve, e servilëve, e mashtruesve të ndryshëm, e demagogëve të ndryshëm, e dhunëtarëve të ndryshëm. Diktatori, vërtet, krijon sistemin e dhunës, ngrihet në sajë të dhunës, por falangat e dhunëtarëve e mbajnë dhe e zbatojnë atë sistem. 
Ismail Kadare e kishte kuptuar se kritika e tij e paskohshme kundërkomuniste, se kritika e tij e komunizmit pas varrosjes së komunizmit, mund të ishte e bindshme dhe, sidomos, përshtypjelënëse në qoftë se do të përqendrohej në Mitin e komunizmit shqiptar, në Zotin e komunizmit shqiptar – në Enver Hoxhën. Të kritikosh komunizmin pas varrimit të komunizmit – kjo ishte dukuri e përgjithshme, kjo ishte punë e thjeshtë, këtë e bënin të gjithë, madje edhe ata apo, sidomos, ata, që komunizmit i kishin shërbyer më së përkulshmi në institucione të ndryshme të pushtetit dhe në fusha të ndryshme të jetës shoqërore; por të kritikonte komunizmin një shkrimtar me popullorësi të jashtëzakonshme në kohën e komunizmit, të kritikonte Mitin e komunizmit, Zotin e komunizmit biri i tij shpirtëror, krenaria e tij letrare artistike dhe, pse jo, teorike ideologjike, siç konsiderohej atëherë Ismail Kadare kjo do të thoshte shumë më tepër se ç’ mund të thoshin kritikat e të tjerëve, kjo kishte kuptim shumë më të madh, kjo kishte jehonë shumë më të gjerë, kjo ishte kritikë pambarimisht shumë përshtypjelënëse. Të kritikosh komunizmin, dhunën e tij, patologjinë e tij politike, ideologjike dhe, mbi të gjitha, praktike përmes kritikës së Zotit të komunizmit dhe ta kritikosh duke zbuluar edhe të këqijat e supozuara intime të tij – e këtë mund ta bënte vetëm ai që kishte qenë i afërt me të, që kishte shkruar roman-apoteozë dhe apoteoza për të, e të cilit s’ka se si të mos i besohej.
Ikja e Ismail Kadaresë prej të kaluarës komuniste dhe prej Zotit të komunizmit shqiptar, babait shpirtëror, Enver Hoxhës, sado jehuese, sado përshtypjelënëse nuk do të jetë e mjaftueshme për rehabilitimin, prandaj as për popullorësinë atje ku Ismail Kadare ishte i interesuar të depërtonte, të ishte i pranuar dhe i popullarizuar. Për këtë arsye, Ismail Kadare do të kujdeset të gjejë edhe një temë tjetër për trajtim intelektual, për vetërrëfim të ndryshuar që do të jetë politikisht e koniunkturshme dhe që do të zgjojë kureshtjen për të dhe për krijimtarinë e tij, që do t’ia çelë dyert e depërtimit në tregun letrar. Dhe, kjo temë do të quhet: feja.

QËNDRIMET KUNDËRMYSLIMANE 

Shihej qartë se bota, fatkeqësisht, po hynte gjithnjë e më dukshëm në kohën e fërkimeve fetare, të cilat studiues të dukurive globale do t’i quajnë konflikt i qytetërimeve: i qytetërimit islamik dhe i qytetërimit të krishterë. Natyrisht, shkrimtari Ismail Kadare nuk mund të qëndronte pa thënë mendimin e tij për çështje fetare sepse ai nuk kishte qëndruar kurrë asnjanës, eunuk, ndaj problemeve më të mprehta të përtashësisë. Interesat e tij letrare dhe politike e kërkonin që Ismail Kadare, kur drejtpërdrejt e kur ndërmjetueshëm, t’i shprehte pikëpamjet e tij fetare. Dhe, ai do ta bëjë këtë si gjatë disa retushimeve më sipërfaqësore a më rrënjësore të disa veprave letrare ashtu edhe në intervistat, në deklaratat dhe në veprat e ndryshme publicistike. Dhe, do ta bëjë këtë në fillim më kujdesshëm e me kalimin e kohës gjithnjë e më zëshëm. Nuk është e vështirë për të vërejtur se në ato retushime, shkrime publicistike, intervista e deklarata, ai nuk i trajton të barabarta dinjitetet e fesë myslimane dhe të fesë së krishterë. Në njërën anë duke folur shpërfillshëm apo, madje edhe fyeshëm ndaj fesë myslimane, ai do të bëhet propagandues gjithnjë e më i përkushtuar i fesë së krishterë në anën tjetër. Ndryshe prej shkrimtarit anglez me prejardhje pakistaneze, Salman Ruzhdi, i cili do të shkruajë romanin e shpallur kundërmysliman, “Vargjet satanike”, për ç’ shkak, mandej, do të jetë i shtrënguar t’i kalojë disa vite në “ilegalitetet”, Ismail Kadare do të jetë më i kujdesshëm dhe nuk do të shkruaj vepër të veçantë të tillë. Në qoftë se Salman Ruzhdiut nuk mund t’i afrohej me fuqinë krijuese, Ismail Kadare do t’ia kalojë atij me vigjilencën, e cila kohë pas kohe do t’i dobësohej deri në ditët tona.
Qëndrimet e tij kundërmyslimane, ndërkaq, të shprehura, sidomos, në shtypin e huaj, përpos atyre të cilëve Ismail Kadare donte t’u binin në sy, u kishin rënë në sy edhe lexuesve shqiptarë, prej të cilëve do të priten me keqardhje të veçantë. Do të bëhen edhe reagime.
Një prej reagimeve të tilla do të botohet edhe në javoren e Prishtinës, Zëri, më 27 maj 1992. Në të, përpos të tjerash, thuhet: “Qendrat Islame Shqiptaro-Amerikane në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, mbajtën një takim në Xhaminë e Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane në Nju- Jork-Nju Xhersi, për të shqyrtue dhe diskutue bashkarisht, disa qëndrime tejet negative, sa absurde aq edhe indinjuese të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, të shprehun kohëve të fundit, si në vepra të tija ashtu edhe përmes të intervistave të tija në shtypin e jashtëm, dhe të cilat janë drejtue direkt kundër myslimanizmit. Takimi i naltëpërmendun, nuk e kishte për qëllim, me i dalë në mbrojtje fesë islame, sepse atë e mbron kultura e vetë mijëravjeçare dhe themeli i saj që asht libri i shejtë: Kur’ani, meqë populli shqiptar i takon tri besimeve, ku ma se 70% i takojnë besimit islam, dhe këto tri besime, nuk i kanë sjellë ndonji të keqe, por përkundrazi, gjithmonë mirëkuptim, harmoni dhe vëllaznim, dhe si konseguencë e gjithë kësaj, vijmë në përfundim, se shprehjet e pakontrollueme të shkrimtarit kriptokomunist Ismail Kadare, i cili islamizmin, të cilin po ta zbërthejsh do të thotë PAQE, e krahason me ideologjinë komuniste, e cila nuk njef fe as Zot, familje as traditë; dhe me bindje të plotë themi: se ky akt asht i drejtuemë në radhë të parë kundër krejt kombit shqiptar…
Tue qenë se, Ismail Kadare, në dukje i takon besimit islam, tubimi në fjalë, u distancua nga qëndrimet e padrejta dhe tejet të damshme për kombin shqiptar të Ismail Kadaresë, tue i kualifikue ato si të dëmshme, të padrejta, antinjerëzore dhe antihumane, dhe për antishqiptare – të mos flasim”. Nuk ka dyshim se krijimtaria e Ismail Kadaresë në kohën e komunizmit dhe krijimtaria e veprimtaria e tij pas rënies së komunizmit dëshmojnë se ai e kishte mësuar me kohë mësimin: një shkrimtar bëhet i rëndësishëm varësisht sa është politikisht i përdorshëm. Ai do të dijë të jetë politikisht i përdorshëm sot jo më pak se dje! Lobi shqiptar tashmë i krijuar për Ismail Kadarenë në Nju-Jork, dëshmon qartë se retushimet fetare të disa veprave të tij, paraqitjet kundërmyslimane dhe, sidomos, propagandimi i kthimit në fenë e të parëve i premtojnë shkëlqime të reja emrit të tij: përkthime e çmime ndërkombëtare! Çmimi i pamerituar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro- Amerikan ishte njëri prej tyre!

ESADIZMI 
Në përgjigjen e tij “Pabesia e një polemisti”, Ismail Kadare i shmanget plotësisht diskutimit për çështjet që kishte ngritur në sprovën “Identiteti evropian i shqiptarëve”. Nuk jam i sigurt për cilën arsye më shumë i shmanget diskutimit: për shkak se nuk do të heqë dorë nga qëndrimet raciste ndaj Lindjes myslimane, ndaj qytetërimit mysliman, prandaj edhe ndaj fesë myslimane, apo për shkak se nuk do që për qëndrimet e tilla të shkruhet edhe një herë në gazeta. Në qoftë se në përgjigjen “Pabesia e një polemisti” iu ka shmangur rrëshqitjes së sërishme në racizëm, nuk mund të thuhet se i ka shpëtuar rirrëshqitjes në myslimanofobi. Dëshmi për këtë është qëndrimi i tij ndaj Haxhi Qamilit – një figure fare skajore historike.
Nuk ka dyshim se ideologjia e Haxhit Qamilit, në qoftë se mund të flitet fare për një ideologji të tij, ishte e jashtëkohshme, prandaj edhe në shpërputhje me të përtashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Por, gjithashtu, nuk ka dyshim se Ismail Kadare për arsye fetare e sheh qimen në syrin e Haxhi Qamilit, por nuk e sheh traun në sytë e disa figurave të tjera historike në të njëjtën kohë. Ai e tejzmadhon rebelimin e një njeriu, pa farë ndikimi të veçantë politik, kundër feudalëve, duke e njëjtësuar këtë rebelim me një ideologji pothuaj mosekzistuese filoturke. Nuk mund të besohet se prijësi i një kryengritje fshatare kundër feudalëve dhe kundër sundimit të të huajve, sidomos, serbëve e grekëve, në Shqipëri, nuk e dinte se në vitet 1914-1915 as nuk mund ta bënte Turqinë më sovrane të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, as nuk do të mund ta çonte Shqipërinë përtej Adriatikut e Mesdheut dhe ta bashkonte me Perandorinë e dikurshme Otomane. Shqipëria ishte shtet me kufij të caktuar ndërkombëtarisht, të njohur që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe ajo ishte bërë shtet kur ishte çliruar nga Perandoria Otomane, që tani quhej e shkatërruar.
Për këtë arsye mund të thuhet se shumë më e rrezikshme për Shqipërinë shtet dhe për shqiptarët komb ishte politika tradhtare e Esad Pashë Toptanit, i cili, në Luftën e Parë Ballkanike, ua kishte lëshuar Shkodrën malazezve, kurse pas luftërave ballkanike kishte hyrë në marrëdhënie politike dhe ushtarake me Serbinë. Esad Pashë Toptani kishte shkuar dy herë në Nish në takime me Kryeministrin e Serbisë, Nikolla Pashiq, dhe i kishte dërguar katërqind ushtarë shqiptarë, ithtarë të vet, në ushtrinë serbe, që po merrte pjesë në Luftën e Parë Botërore. Për shkak të politikës separatiste dhe për shkak të pajtimit me pushtimin serb, Esad Pasha do të quhet tradhtar dhe për tradhti do të jetë i vrarë në Francë. Esad Pashë Toptani dhe Nikolla Pashiqi do ta ekzekutojnë Haxhi Qamilin, jo për shkak të politikës së tij prej turkoshaku, po për shkak të mospajtimit të tij me politikën tradhtare të të parit dhe të mospajtimit me pushtimin e të dytit. E kjo domethënë se do ta ekzekutojnë si kryengritës shqiptar.
Ta gjykosh tani një kryengritës, qoftë edhe të pajisur me ide turkomane, për ide që s’mund të sillnin pasoja e të heshtësh tradhtinë e një separatisti që bashkëpunonte me pushtuesin e tokave shqiptare dhe, madje, të Shqipërisë shtet, ky gjithsesi nuk mund të quhet atdhetarizëm shumë i kthjellët. Cila është më e durueshme: të trajtohesh tradhtar si Esad Toptani a kryengritës turkashak, por kundërserb, si Haxhi Qamili? Po të na dënonte Zoti të zgjidhnim dhunshëm, Ismail Kadare, pa dyshim, do të zgjidhte të parin. Dhe, le ta zgjedhë e le të jetë -esadist!
Lindjefobia e kjo domethënë myslimanofobia mund të konsiderohet arsye pse, përpos tradhtisë së Esad pashë Toptanit, Ismail Kadare e hesht edhe politikën, po ashtu, kundërhistorike, të dy figurave të tjera të asaj kohe po ashtu skajore historike: e hesht politikën e Marka Gjonit e të Preng Bibë Dodës. Në qoftë se Haxhi Qamili na qenka lektisur kot pas një pushtuesi të dëbuar, që në Shqipëri kurrë më nuk do të mund të sundonte, Marka Gjoni dhe Preng Bibë Doda i bënin dëm të dyfishtë Shqipërisë: në njërën anë bënin politikën e përkrahjes së pushtimit italian, kurse, në anën tjetër, bënin politikën separatiste të shpalljes së Mirditës autonomi- njëri i ledhatuar nga Beogradi e tjetri nga Cetina.
Gjykimi i një kryengritësi për një iluzion politik e lënia në heshtje e dy separatistëve, politikat e të cilëve mund të tregoheshin më të rrezikshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët, gjithsesi nuk duket gjykim i drejtë historik. Pas gjykimit të tillë, në njërën anë, dhe pas heshtjes së tillë, në anën tjetër, nuk është e vështirë të shihen motive ideologjike fetare.

REAGIMET NDAJ POLEMIKËS 

Në gazetat e Tiranës dhe në gazetat e Prishtinës deri sot kur po e shkruaj këtë përgjigje janë botuar shumë reagime ndaj polemikës midis Ismail Kadaresë dhe meje. Numri më i madh i reagimeve në gazetat e Prishtinës në të vërtetë janë reagime më parë të botuara në gazetat e Tiranës.
Si historian i letërsisë shqipe nuk di shkrim që të ketë nxitur më shumë reagime se çka nxitur përgjigjja ime “Realiteti i shpërfillur” ndaj sprovës “Identiteti evropian i shqiptarëve”, me të cilën Ismail Kadare i kishte kundërshtuar pikëpamjet e mia të paraqitura në kreun “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare” të trajtesës “Ideologjia e shpërbërjes”. Le të thuhet se më i madh se numri i reaguesve që çështjet e ngritura në këtë polemikë kujdesen t’i trajtojnë objektivisht, pa paragjykime fetare, politike, partiake, ideologjike, pa anime miqësore e të tjera, është numri i reaguesve, të cilët nuk dëshmojnë se janë të liruar prej disa paragjykimeve të tilla apo prej animeve miqësore. Nuk është e vështirë për të vërejtur se paragjykimet dhe animet e tilla posaçërisht shprehen në shkrimet e disa gazetarëve, publicistëve dhe të disa miqve indigo të Ismail Kadaresë. 
Ndër mediat që mbajnë qëndrim objektiv, mjerisht, nuk do të mund të radhitej pa sadopak ngurrim as gazeta “Tirana Observer” dhe nuk do të mund të radhitej në radhë të parë për shkak të pyetjes që u bën të ftuarve për deklarata në lidhje me polemikën: A mendoni se polemika e dëmton imazhin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare? Me të njëjtën arsye do të mund të bëhej pyetja: A mendoni se polemika e dëmton imazhin e skrimtarit, historianit të letërsisë dhe intelektualit tonë të madh Rexhep Qosja? Shumë më normale, më frytdhënëse për kulturën e diskutimeve intelektuale e politike do të ishte pyetja, që përjashton gara e hierarki sportive: Sa ndriçon çështjen e i kontribuon të vërtetës kjo polemikë?
Inkuadrimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në këtë polemikë në anën e Ismail Kadaresë, sikur i shpjegon këto paragjykime dhe anime të disa reaguesve. Partitë në pushtet, po e tregon edhe kjo polemikë, ende përcaktojnë politikën, etikën dhe estetikën e shumicës prej nesh, prandaj edhe të shumë gazetave dhe mediave elektronike. Disa nga miqtë e Ismail Kadaresë, si edhe miku i tyre, në reagimet e botuara bëjnë përpjekje që t’i zhvlerësojnë pikëpamjet e mia – duke i shtrembëruar e duke i falsifikuar dhe që të më zhvlerësojnë mua – duke më fyer kur më butë e kur më vrazhdë se ai! Bëjnë përpjekje të krijojnë përshtypjen në opinion se kjo polemikë në të vërtetë është polemikë, si e thotë njëri prej tyre, midis një shkrimtari të madh, botëror, dhe një shkrimtari normal, domethënë, thotë ai, lokal! U mbetet pa thënë, si e tha njëri që s’i duartroket Ismail Kadaresë, se kjo në thelb është polemikë midis Goliatit dhe Davidit. Gjedhet mitologjike përsëriten! Bariu i vetmuar, Davidi, me një shkop në dorë dhe me llastik në brez, ka marrë guximin t’i kundërvihet Goliatit. Për ta krijuar bindjen se kësaj radhe Goliati do të jetë ai që do ta mundë mendërisht dhe moralisht Davidin, miqtë e Ismail Kadaresë, bashkë me të, do të më bëjnë një portret të shëmtuar, që do të donin të shihej gjithmonë në galerinë kombëtare të portreteve.

Çka do të thonë ata për mua? 
NJË PORTRET PËR GALERI 

Pavarësisht pse unë për ta kurrë s’kisha thënë fjalë portretizuese, ata do të thonë:
se unë jam një enverist, që e mundon nostalgjia për Enverin,
se unë jam Enver i letrave,
se më mundon nostalgjia edhe për Jugosllavinë; dhe, Serbinë,
Se jam njeri që kam ngritur një flamur të ri, të quajtur flamuri myslimanizmit,
se unë jam gardian i Lindores,
se unë jam taliban,
se jam blasfemues i religjionit,
se po ndërtoj një politikë dhe një ideologji të re, së cilës do të shohin si do t’ia vënë emrin;
se jam hiç më pak se një delirant,
se kam ide fikse,
se hidhem në ekstreme,
sa jam njeri me karakter autarkik, se të gjitha këto që i shkruaj, i shkruaj për arsye se dëshiroj të më trajtojnë numër një e jo numër dy në komb;
se në duel me një ish-kryetar në Kosovë humba,
se në zgjedhjet lokale në Kosovë në vitin 2000 humba,
se në zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri humba,
se jam halldup,
se jam gërxho,
se jam një nga mbytësit e një idiome (të gegërishtes),
se jam ballabani i vonuar,
se jam nacionalist fondamentalist (ndoshta fundamentalist),
se jam një skriboman, se jam nj ë shkrimtar lokal, domethënë i njohur vetëm në Bregun e Diellit, në Prishtinë!
se jetoj me kompleks gjenerali,
se jam gjeneral i pamundësuar,
se jam kolos i lidhun!
Se, se, se, se, se, se…!
Portretizuesve të mi, të dhuruar me dhuntinë që të bëjnë portrete me epitete, që të fyejnë të tjerë, nuk do t’u përgjigjem në fyerjet dhe në falsifikimet e pikëpamjeve të mia. Do të merrem vetëm me çështjet, pavarësisht prej cilëve reagues janë të ngritura, diskutimin e të cilave e çmoj të nevojshëm. Kjo do të thotë se para se t’ia jap fjalën portretizuesit më të talentuar dhe, njëkohësisht, më të çmuar në artin tonë figurativ, Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, do të flas edhe për disa shqetësime të reaguesve të tjerë ndaj polemikës.


KADARE, SOVJETIZMI DHE EVROPIANIZMI 
>br> Vetëm e vërteta i bashkon njerëzit 

1. Disa nga reaguesit shprehin shqetësimin se polemika midis Ismail Kadaresë dhe meje do të shkaktojë ndasi mes intelektualëve shqiptarë, e ndoshta, edhe mes kosovarëve dhe shqiptarëve, si po na ndajnë ata që bëjnë përpjekje të kota të krijojnë identitetin kombëtar kosovar dhe një gjuhë tjetër, standarde për të. Edhe më i mprehtë është shqetësimi i atyre që thonë se kjo polemikë, në rastin më të keq, mund të shkaktojë ndasi fetare!<> Është për nderim shqetësimi i këtyre reaguesve, por, disa të tjerë mendojnë se një shqetësim i tillë është i paarsyeshëm. Një polemikë, sado e ashpër dhe sado e shtrirë, nuk mund të krijojë ndasi, sepse polemikat, që sqarojnë çështjet, në thelb synojnë mënjanimin e ndasive. Ato edhe s’mund të bëhen si duhet midis njerëzve që, megjithatë, s’do të mund të merreshin vesh. Përvoja historike, kudo dhe kurdo, ka dëshmuar se ndikim të padëshiruar mund të ushtrojnë, në radhë të parë, problemet e fshehura, problemet kulturore, politike, morale, shoqërore e të tjera që mbulohen me, ta themi, tepih politik. Nuk e thotë populli i urtë kot: Plaga që fshihet nuk shërohet. Sqarimi i problemeve më parë se ç’i ndan, i afron njerëzit. Nuk e them unë i pari se njerëzit përhershëm bashkohen vetëm rreth të Vërtetës dhe të Drejtës. Rreth mashtrimeve, gënjeshtrave, kodeve të rrejshme, njerëzit mund të bashkohen vetëm përkohësisht – derisa të mos i shohin e të mos i kuptojnë.
Hapshmëria (transparenca) nuk është kot nocion aq i çmuar në vendet me tradita më të gjata demokratike. Meqenëse e kanë shijuar gjatë dobishmërinë e saj, ato vende jo rastësisht po kërkojnë që ta zbatojmë edhe ne.

KU E LAMË KOSOVËN? 

2. Është e çuditshme dhe, njëkohësisht, treguese se si një numër i reaguesve, kur flasin për identitetin shqiptar, kanë parasysh vetëm Shqipërinë. Për këtë arsye emërvendi Shqipëri bëhet zëvendësim për emërnjeriun shqiptar. I pari që e bën këtë është Ismail Kadare kur, duke folur për identitetin e shqiptarëve në sprovën Identiteti evropian i shqiptarëve, e thotë atë fjalinë e papranueshme: “Letrat e Shqipërisë janë të qarta”! Nuk ka dyshim se kjo është një pikënisje e gabuar për çdo gjykim për identitetin e shqiptarëve. Nuk mund të gjykohet shkencërisht për çështje të identitetit shqiptar duke pasur parasysh vetëm Shqipërinë, domethënë duke mos pasur parasysh të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe shqiptarët në diasporë. Gjykimi për pjesën nuk mund të zëvendësojë gjykimin për tërësinë. Pjesa, sado e madhe dhe sado e rëndësishme qoftë, nuk është tërësia. Ata që për identitetin e shqiptarëve do të gjykojnë duke pasur parasysh të gjitha trevat shqiptare e jo vetëm Shqipërinë shtetërore, të gjithë shqiptarët e jo vetëm ata që jetojnë në Shqipërinë shtetërore, nuk do t’i lejojnë vetes që të shpërfillin përbërësit e shumtë të kulturës e të qytetërimit mysliman në identitetin e gjithësishëm, të përbashkët, historik të shqiptarëve. Pikënisja metodologjike e Ismail Kadaresë, e formuluar në fjalinë përjashtuese ndaj Kosovës “Letrat e Shqipërisë janë të qarta” si edhe e miqve të tij reagues ndaj kësaj polemike, vetëm sa i frymëzon përpjekjet e disa vetjeve, disa grupeve dhe ndonjë institucioni në Kosovë për krijimin e identitetit kombëtar kosovar. E shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe kudo qofshin sot, vetëm së bashku përbëjnë identitetin e përbashkët, të përbërë, të gjithësishëm shqiptar. Për identitetin kombëtar shqiptar si për një identitet të përbashkët, të gjithësishëm, historik mund të flasim vetëm kur t’i marrim parasysh të veçantat e shqiptarëve të krahinave të ndryshme, të dialekteve të ndryshme, të feve të ndryshme dhe të politikave e të fateve të ndryshme historike shqiptare, sidomos prej copëtim-it të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1912-1913.


BESIMI DHE MOSBESIMI 

3. Ka nga reaguesit që e quajnë të papranueshëm konstatimin tim mbi rëndësinë e përbërësit fetar (mysliman) në identitetin e përgjithshëm, historik, shqiptar. Qëndrimin e tyre të tillë e mbështesin në konstatimin se qenkemi populli më mosbesimtar në Evropë, me ç’ rast pohimi më mosbesimtar tingëllon këtu si vlerësim pozitiv. Në qoftë se, sipas konstatimit të këtyre reaguesve, ne, vërtet, qenkemi populli më mosbesimtar në Evropë – më mosbesimtar se popujt me tradita më të gjata shtetërore e demokratike dhe me tradita më të pasura kulturore, mos do të thotë kjo se ne qenkemi populli më i përparuar, më i zhvilluar, më i kulturuar i Evropës? Le ta japin ata vetë përgjigjen në këtë pyetje, kurse unë po shtoj: ndoshta në kohën e komunizmit edhe mund të radhiteshim ndër popujt, si i quajnë ata, më mosbesimtarë të Evropës, por nuk jam aspak i sigurt se sot jemi aq mosbesimtarë sa dje. Dëshmi për shtimin e përkushtimeve fetare të pjesëtarëve të të tri feve mund të shihen e mund të dëgjohen kudo: në familje, në kisha e në xhami, në hapësirat para tyre, në shkolla e në fakultete, në institucione të shkencës, të kulturës e, madje, të politikës. Ata që i shpallin shqiptarët popullin më mosbesimtar në Evropë sot, mund të mos besojnë, ndoshta, në qoftë se u thuhet: në institucione shkencore në Prishtinë, për shembull, para, ta themi, njëzet vjetësh nuk dihej nëse e agjëronte kush ramazanin, kurse sot këtë e bëjnë jo pak prej tyre, përpos të tjerësh, edhe këshilltarë shkencorë; në shkollat e mesme në Kosovë, para njëzet vjetësh, ta themi, nuk dihej nëse agjëronte ndonjë nxënës a ndonjë mësues, arsimtar a profesor, kurse sot dihet për shumë e shumë prej tyre; në xhamitë e Kosovës para njëzet vjetësh nuk dihej nëse shkonte të falej ndonjë profesor fakulteti, kurse sot është gjithnjë e më i dukshëm numri i tyre që të premteve shihen në xhami. Në Kosovë sot me rituale fetare varrosen edhe anëtarë të ndjerë të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës; por, në Kosovë sot me rituale fetare ngjet të varrosen edhe ish-funksionarë të lartë, madje, edhe më të lartit, të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Si në Kosovë, përkushtimet fetare mbas rënies së komunizmit janë shtuar edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi. Të mos i shohësh këto sot do të thotë të mos e shohësh njëmendësinë. Dhe, të shpërfillësh përbërësit e besimit mysliman – që në Kosovë e në Shqipëri kanë ardhur nga Lindja turko-arabe – e kjo do të thotë edhe të kulturës me bazë besimin mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar, do të thotë të shpërfillësh njëmendësinë: të shpërfillësh njëmendësinë qoftë pse nuk je në gjendje ta shohësh, qoftë – çka, mjerisht, ngjet më shpesh – pse nuk dëshiron ta shohësh të tillë çfarë është ajo. E kur flitet për identitetin e shqiptarëve në përgjithësi e jo vetëm për identitetin e shqiptarëve në Shqipërinë shtetërore, do të duhej të dihej se në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, jetojnë sot gati gjysma e shqiptarëve në Ballkan, kurse mbi 95 për qind e këtyre shqiptarëve i takojnë besimit mysliman.
Besimin e autorëve të pohimit se shqiptarët na qenkan populli më mosbesimtar në Evropë e përgënjeshtrojnë edhe të dhëna të tjera, ndër të cilat mund të përmendet një emision i udhëhequr prej Alban Dudushit në Top Channel, në të cilin, përpos se u theksua racizmi i Ismail Kadaresë, u paraqitën të dhëna për rënien e numrit të martesave të përziera e për shtimin e numrit të konflikteve fetare dhe këto të dhëna flasin, ndoshta, për forcimin, apo, madje, për tejshquarjen e vetëdijes fetare në jetën tonë.


KËSHILLA E REAGUESIT TJETËR 

4. Njëri prej reaguesve ma merr për të keq se për njërën prej çështjeve për të cilën është folur në përgjigjen ndaj sprovës së Ismail Kadaresë paskam folur si myftiu i një qyteti tonë. Dhe, kjo – se paskam folur ashtu siç paska folur edhe myftiu, nuk e di nëse fola unë përpara tij apo ai përpara meje – qenka e palejueshme. Mos do të thotë kjo se një intelektual për asnjë çështje nuk do të duhej të fliste siç flet një myfti? Dhe, mos do të thotë kjo se çdo gjë që thotë një myfti që përpara qenka e papranueshme? Nuk e di nëse shqiptuesit të këtij pohimi i shkon mendja se vetëm në kohën e komunizmit ishte e padëshiruar, madje, e palejuar që të thuash diçka që do të pajtohej me atë që për atë diçka e paska thënë një myfti, një kardinal a një rabin!
Nuk e di si mund të kuptohet më parë ky qortim: si paragjykim fetar, si myslimanofobi, apo si një klishe komuniste e strehuar në ndërdijen e qortuesit. Pak më e vrazhdë, ndoshta, do të mund të quhej këshilla e reaguesit tjetër, i cili shqiptarëve, që mund të mos mendojnë si ai, ua tregon udhën e pelegrinazhit, për të zgjidhur, si thotë, brengat e veta! A bash kështu duhet të flasë një shqiptar ortodoks për shqiptarin mysliman që për haxhillëk shkon në Qabe, apo një shqiptar mysliman për vëllain ortodoks që për pelegrinazh shkon në Patrikanën e Stambollit e për vëllain katolik që për pelegrinazh shkon në Vatikan?!

KRAHASIME QË S’BËHEN 

5. Një reagues tjetër pa ndonjë ngurrim dhe pa ndonjë hamendësim shpërfill kritikën letrare, teorinë letrare dhe historinë letrare e kjo domethënë shkencën e letërsisë në krahasim me letërsinë. Ç’më duhet mua, mendon ai, studimi i veprës së një shkrimtari kur e kam atë vepër? Ç’më duhet mua, thotë ai pa ngurrim, monografia e Rexhep Qosjes për Naim Frashërin? Dhe, unë nuk e di a nuk i duhet kjo monografi e pse e paska shkruar Rexhep Qosja, apo pse qenka e shkruar mbi krijimtarinë e Naim Frashërit? Ky pohim shqiptohet për t’u dëshmuar pohimet e disa miqve të Ismail Kadaresë e, pastaj, edhe mendimi i Kryeministrit të Shqipërisë, se polemika ndaj së cilës reagojnë ata është polemikë midis dy autorëve me popullorësi të ndryshme: një shkrimtari, një poeti botëror dhe një kritiku, një historiani letrar-lokal! Ta lëmë krahasimin midis popullorësive e të merremi me krahasimin vlerësues midis fushave krijuese: midis poezisë dhe shkencës, midis poezisë dhe trajtave të tjera të veprimtarisë mendore të njeriut.
Krahasimet vlerësuese midis arteve të veçanta dhe midis arteve e trajtave të tjera të veprimtarisë mendore të njeriut, siç janë shkenca dhe filozofia, quhen të tejkaluara, të papranuara, të gabuara, sepse të gjitha artet, të gjitha shkencat dhe filozofia i duhen njeriut, janë shprehje e mundësive të tij dhe i shërbejnë jetës së tij. I takon një kohe të shkuar koncepti romantik, sipas të cilit poezia dhe muzika përfaqësojnë dëshminë më të fuqishme të gjeniut, ashtu siç i takon një kohe të shkuar koncepti hegelian, sipas të cilit poezia (e kjo domethënë letërsia) i takon fëmijërisë, kurse filozofia dhe shkenca pjekurisë së njerëzimit. Për këtë arsye, në kulturat e zhvilluara nuk bëhen krahasime vlerësuese midis shkrimtarit dhe kritikut, midis shkrimtarit dhe shkencëtarit, midis shkrimtarit dhe filozofit.
Studiuesi i njohur polak, Henrik Markieviq, thotë, fjala vjen, se sot “gjithnjë e më dukshëm po hiqen kufijtë midis letërsisë dhe filozofisë, shkencës, reportazhit ose publicistikës”; studiuesi francez, Robert Eskarpi, thotë se ka shumë vepra të shkruara me qëllim funksional që çmohen si vepra të vërteta letrare; teoriku i njohur i letërsisë, Cvetan Todorov, në trajtesën Nocioni i letërsisë, fjala vjen, thotë se “çdo tip i ligjërimit që zakonisht e quajmë letrar, e ka tipin e ngjashëm joletrar, me të cilin është më i afërt se me një tip tjetër të ligjërimit letrar”. Krijuesit e ndryshëm të arteve, të shkencës dhe të filozofisë çmohen jo varësisht pse njëri është poet, tjetri shkencëtar e i treti filozof po varësisht prej vlerës, kuptimit, rëndësisë së veprave të tyre. Cili intelektual francez do të thoshte, fjala vjen, se Rasini, Kornej a Molieri janë më të çmuar në kulturën franceze se Dekarti? Asnjëri. Cili intelektual francez do të thoshte se Lamartini është më i çmuar e më i rëndësishëm për kulturën franceze sesa Rusoi? Asnjëri. Cili intelektual francez do të thoshte se Pol Valeri në kulturën franceze është më i çmuar e më i rëndësishëm se Henri Bergsoni apo Gustav Lansoni? Asnjëri. Cili intelektual gjerman do të thoshte se Gëte dhe Shileri për kulturën franceze janë më të rëndësishëm se Kanti dhe Hegeli? Asnjëri.
Në letërsinë italiane të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe të shekullit njëzet kanë krijuar me mijëra poetë, prozatorë e dramaturgë, por ndër, të themi, pesë shkrimtarët më të lavdishëm të shekullit nëntëmbëdhjetë hyn kritiku dhe historiani i letërsisë italiane, Francesko de Sanktis, kurse ndër më të lavdishmit e shekullit njëzet hyn kritiku dhe esteti Benedeto Kroçe. Albert Kamy dhe Zhan Pol Sartri janë dy nga figurat më të mëdha të letërsisë franceze të shekullit njëzet, por janë aq të mëdhenj, aq të çmuar e aq të rëndësishëm në këtë letërsi dhe në letërsinë botërore në përgjithësi, jo vetëm si prozatorë, por edhe si filozofë, kritikë, eseistë, intelektualë me formim dhe ndikim universal – Sartri dhe jo vetëm si prozator e dramaturg po edhe si mendimtar, kritik, intelektual i gjithanshëm – Kamy.
Ç’përfaqësojnë mijëra e mijëra romancierë në krahasim me Herodotin, Plutarkun, Livin, Tacitin, Erazmon, Bekonin, Montenjin, Lesingun, Vikon, Volterin, Didronë, Renanin, Tenin, të cilët trajtohen shkrimtarë të mëdhenj sepse janë, para së gjithash shkencëtarë, mendimtarë, moralistë të mëdhenj?
Krahasimet vlerësuese midis intelektualëve tanë, midis krijuesve tanë, varësisht prej fushës krijuese me të cilën merren, nuk e tregojnë të vërtetën për rëndësinë dhe për rolin e tyre të përgjithshëm në letërsinë dhe në kulturën kombëtare.


SOVJETIZIMI DHE EVROPIANIZIMI 

6. Disa prej reaguesve – ithtarë të Ismail Kadaresë, nuk ngurrojnë që në reagimet e tyre të më mbajnë ligjërata për evropianizimin e letërsisë shqipe, duke i treguar me gishtin tregues evropianizuesit dhe kundërevropianizuesit e saj, duke e bërë Ismail Kadarenë europianizues e mua kundërshtar të këtij evropianizmi. Janë turrur të marrin një flamur që nuk iu takon, ndërsa Ismail Kadarenë si shumë herë dhe për shumëçka e vënë përpara! E ai, për t’u treguar çka s’ishte e pështyn edhe njërin nga mësuesit e tij të dikurshëm: Çernishevskin.
Ç’mund të thuhet për këto pohime dhe për këto krahasime?
Mund të thuhet: mbi tridhjetë e pesë vjet i ka kaluar Ismail Kadare, duke e sovjetizuar jo vetëm me poezi e me prozë, po edhe me shkrime kritike dhe “teorike” letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Përmasat e vërteta të kësaj dukurie në krijimtarinë e tij mund të shihen në gjithë shtrirjen e saj vetëm kur të studiohet ajo.
E sovjetizimi dhe evropianizimi janë koncepte të papërputhshme, madje, të papajtueshme. E sovjetizimi dhe evropianizmi janë praktika letrare, artistike dhe kulturore në përgjithësi, të ndryshme, të papërputhshme dhe të papajtueshme. Shkrimin e fundit apo, ndoshta, të fundit teorik dhe historiko-letrar, me të cilin i kontribuohej sovjetizimit të letërsisë shqipe, të shkencës letrare dhe të kulturës shqiptare, Ismail Kadare do ta shkruajë në çastet kur po dëgjoheshin grahmat e fundit politike, ideologjike dhe sistemore të komunizmit në Evropë dhe po fillonte çsovjetizimi i letërsisë dhe i kulturës shqiptare: në vitin kur po shënohej dyzet e pesë vjetori i Çlirimit. Ishte kjo fjala teorike dhe historikoletrare e Ismail Kadaresë mbi amshimin e realizmit socialist, e paraqitur në Konferencën Shkencore Koha jonë, letërsia, shkenca letrare në njërën nga sallat e Pallatit të Kongreseve më 13 nëntor 1989, që do të botohet mandej në numrin e janarit 1990 të revistës Nëntori. Ishte kjo fjala teorike dhe historiko-letrare e Ismail Kadaresë, me të cilën ai zhvlerësonte të ashtuquajturën letërsi dekadente, mikroborgjeze, domethënë evropiane, me të cilën e shpallte të përjetshme letërsinë e realizmit socialist dhe me të cilën e madhëronte edhe një herë rëndësinë e vijës së Partisë për letërsinë dhe artet. Në Evropë nuk kishte krijues, nuk kishte intelektual, që nuk shihte se në arkivolin e komunizmit po nguleshin gozhdët e fundit, kurse Ismail Kadare i shkruante himn për pavdekësinë! Në letërsinë shqipe kurrë një poet s’ishte treguar më kundërprofet. Fatmirësisht, një numër i prozave dhe i poezive të Ismail Kadaresë nuk e dëshmojnë teorinë e tij, me të cilën propagandohej sovjetizimi i mëtejshëm i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Dhe, fatmirësisht, krijimtaria e tij letrare dhe publicistike, pas rënies së komunizmit, është krijuar në kundërshtim me atë teori. Por, pesëmbëdhjetë vjet vetëdije për nevojën e evropianizimit nuk janë shpagim i mjaftueshëm për mbi tridhjetë e pesë vjet teori dhe propagandë për sovjetizimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.
Në vitet kur Ismail Kadare bënte sovjetizimin teorik dhe, në një pjesë të madhe, praktik të letërsisë shqipe, unë bëja evropianizimin e saj: evropianizimin e gjithanshëm të saj. Dhe, kjo dëshmohet në referencat e përdorura në veprat e mia për letërsinë shqipe. Dhe, kjo dëshmohet në indekset e emrave në veprat e mia për letërsinë shqipe dhe për kulturën shqiptare. Mbi 95 për qind e emrave të shkrimtarëve, të krijuesve të tjerë të arteve të tjera, të filozofëve, të shkencëtarëve në veprat e mia janë emra shkrimtarësh, krijuesish të arteve të tjera, filozofësh dhe shkencëtarësh evropianë-francezë, gjermanë, anglezë, italianë, spanjollë, holandezë dhe amerikanë. Dhe, kjo dëshmohet edhe me pikëpamje teorike në sprovën time “Letërsia kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve”, të botuar në vitin 1972. Dhe, kjo dëshmohet edhe me koncepte teorike në veprën “Tri mënyra të shkrimit shqip”, të shkruar në fund të viteve të shtatëdhjeta, në të cilën politizimi dhe ideologjizimi, domethënë sovjetizimi, që predikonte e zbatonte Ismail Kadare në njërën anë, kurse folklorizmi, në anën tjetër, trajtohen si pengesa për evropianizimin e letërsisë, të arteve, të dijeve, të kulturës sonë në përgjithësi e kjo domethënë si pengesë e evropianizimit të identitetit tonë. Të thuash, prandaj, ç ‘thotë Ismail Kadare për veten dhe ç’ thonë magnetofonat e tij për rolin tim dhe rolin e tij në evropianizimin a çevropianizimin e letërsisë dhe të kulturës sonë, do të thotë të mos e shohësh të vërtetën dhe të mos e pranosh të vërtetën.


SI PO ZGJIDHET ÇËSHTJA KOMBËTARE 

7. Një numër i reaguesve, megjithëse i vogël, i quajnë të jashtëkohshme e kjo domethënë anakronike diskutimet për çështje që po diskutohen në këtë polemikë e në reagimet ndaj saj dhe i quajnë kështu të jashtëkohshme, domethënë anakronike, sepse u tingëllojnë shumë kombëtare. Në kohën e globalizmit, që, mendojnë, u sjell vetëm të mira kombeve, preokupimet kombëtare, thonë, të largojnë prej qëllimit kryesor, që është zhvillimi ekonomik dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve. Nuk janë këto, natyrisht, deklarimet e para, as të vetmet në disa nga mediat tona në Prishtinë dhe në Tiranë, në të cilat ideja kombëtare quhet tashmë ide e tejkaluar. Harrohet se, siç po shihet në të gjitha anët e planetit, kombi është edhe më tej ajo forca e cila, si e thoshte De Goli, e lëviz historinë. Popujt e mëdhenj nuk janë më pak nacionalistë se popujt e vegjël, që ende s’kanë zgjidhur as çështjen kombëtare as çështjen demokratike. Dhe, harrohet se autorë perëndimorë, evropianë dhe amerikanë, në vendet e të cilëve globalizmi predikohet më së shumti, thonë se:
1. kapitalizmi me tregun e lirë; 
2. të drejtat e njeriut me demokracinë liberale sekulare; dhe 3. shteti kombëtar – përfaqësojnë tri parimet, mbi të cilat qëndrojnë e sotmja dhe e ardhmja e Perëndimit dhe e njerëzimit. Dhe, harrohet se ne, si komb, ende nuk e kemi zgjidhur çështjen kombëtare dhe, si duken punët, nuk do ta zgjidhim përfundimisht as në këtë cikël historik. Është e vërtetë se pozita e shqiptarëve në Maqedoni, në Serbinë Jugore dhe në Mal të Zi sadopak po përmirësohet dhe është e vërtetë se Kosovës do t’i njihet pavarësia me ose pa farë kufizimesh, por është e vërtetë se shqiptarët mbesin të ndarë, siç ishin, në pesë shtete! E ashtu i copëtuar si shqiptarët nuk është asnjë popull evropian. Bashkësia ndërkombëtare nuk ua ka paracaktuar disa kufizime bisedimeve mbi statusin e Kosovës për hir të shqiptarëve, po, në radhë të parë, për hir të serbëve. Vullneti i, të themi, 10 për qind të serbëve të Kosovës vihet kështu mbi vullnetin e 90 për qind të shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Sikur të mos favorizohej vullneti i serbëve, shqiptarëve të Kosovës do t’u njihej e drejta e popullit të ndarë dhunshëm prej shumicës së tij: e drejta e bashkimit me Shqipërinë.
E, sa rëndësi të madhe do të kishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë, ndoshta, vetëm tani po shihet plotësisht. Përpara mendoja se duke u bashkuar me Shqipërinë do të shpëtonin njëherë e përgjithmonë prej Serbisë. Tani mendoj, ndërkaq, se duke u bashkuar me Shqipërinë, njëkohësisht, do të shpëtohej Kosova prej Kosovës dhe Shqipëria prej Shqipërisë. Domethënë: bashkimi do të kishte rëndësi jo vetëm ekzistenciale, ekonomike e politike, po edhe shoqërore, intelektuale dhe morale. Vetëm të bashkuar shqiptarët do të bëheshin çka mund të jenë, çka s’do të duhej të jenë dhe çka do të duhej të jenë edhe në pikëpamje shoqërore, edhe në pikëpamje të shëndetit moral.
Për këtë arsye, jo diskutimet intelektuale për çështje kombëtare, prandaj edhe për identitetin, po mohimet e nevojës për diskutime të tilla mbi çështje kombëtare mund të quhen të jashtëkohshme dhe të jashtëvendshme.


PJESA E DYTE 

BERISHA, PSE KUNDER MEJE PRO KADARESE?! 

Kategori e ndryshueshme 
8. Disa nga reaguesit, madje edhe nga reaguesit që nuk mbajnë anën e njërit polemist, thonë se që të dy polemistët e trajtojnë identitetin si diçka të ngurtë, të ndërtuar njëherë e përgjithmonë, domethënë të pandryshuar. Në shkrimet e mia “Ideologjia e shpërbërjes” dhe “Realiteti i shpërfillur” nuk shikohet ashtu identiteti i as-një populli. Siç shihet prej sprovës “Identiteti evropian i shqiptarëve” dhe siç thuhet për të edhe në përgjigjen time “Realiteti i shpërfillur”, ashtu e shikon identitetin Ismail Kadare. Unë, përkundrazi, e trajtoj si kategori historike, dinamike, domethënë të ndryshueshme. Në përgjigjen “Realiteti i shpërfillur” nuk e kam quajtur të arsyeshme, prandaj as të nevojshme, të përsëris disa….

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …