Gjatë kohës së kolonializmit francez në vendet e Afrikës, qysh prej fillimit të shekullit 19-të, shume vende arabe të Mesdheut u pushtuan nga Franca dhe u mbajtën në sundim për afër dy shekuj. Një fat të keq të robërisë kolonialiste, përveç popujve të tjerë afrikano-veriorë, kanë pësuar sidomos algjerianë, vendi i të cilëve ishte nën sundim kolonial të Francës prej vitit 1830 e deri në vitin 1962.
Më 1830 trupat ushtarake franceze okupojnë Algjerin, Uran-in dhe Bune-në dhe filluan me sukses të sulmojnë pjesën tjetër të këtyre vendeve. Me këtë rast fillon edhe kthimi i Kalifatit Islam në një provincë franceze. Deri në vitin 1906 edhe pjesa e Saharës, e cila i takonte Algjerisë, ishte vënë nën kontrollin dhe sundimin e Francës.
Algjerianët kanë bërë përpjekje të pareshtura për t’ u çliruar nga regjimi kolonial, por deri në vitin 1962 kur Franca ua njohu pavarësinë, ata kanë kaluar në një periudhë të rëndë të luftërave për çlirim, të cilat janë pasuar me luftime, masakra të tmerrshme e të përgjakshme dhe me humbjen e qindra mijëra jetë njerëzish.
Në masakrën e njohur dhe shumë të përgjakshme, të majit të vitit 1945, me ç rast sipas burimeve të Francës janë vrarë 10, 000 qytetarë dhe revolucionarë algjerianë, (sipas burime algjeriane 37000), fillon edhe lëvizja për pavarësi e këtij populli të robëruar në shekuj, fillimisht nga romakët, pastaj, vandalët, arabët e turqit.
Masakrat në Setif, Guelma dhe Kherrata janë regjistruar si formë e represionit më të përgjakshëm e më djallëzot të Qeverisë franceze të asaj kohe, për t’ i shuar demonstratat nacionaliste, për pavarësi dhe qëndresë anti-kolonialiste që ndodhi në maj të vitit 1945 në Konstandinia.
Më 8 maj të vitit 1945, forcat kolonialiste franceze ishin tubuar në një paradë për të festuar fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren e aleatëve kundër forcave fashiste, gjermane e italiane të Boshtit.
Partitë algjeriane, nacionaliste, duke përfituar nga prania e veçantë e popullatës në paradë, organizuan një demonstratë paqësore për t’i shfaqur pretendimet e tyre patriotike, që kishin të bënin me çlirimin parësor nga Franca. (Ata kishin marrë pjesë në Frontin e Rezistencës së Francës dhe mijëra prej tyre kishin rënë duke luftuar për çlirimin e Francës).
Atë ditë një algjerian i ri, i quajtur Saal Buzid, ishte duke valëvitur një flamur të Algjerisë, me ç’ rast është vrarë nga një polic francez. Vrasja e tij kishte shkaktuar një revoltë të përgjithshme të qindra mijëra njerëzve, në shesh. Forcat franceze kishin urdhëruar zjarrin me qëllim për të shtypur demonstruesit. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë edhe Ushtria, e cila kishte përgjakur tërë sheshin duke vrarë mijëra algjerianë. Sipas burime zyrtare, në mesin e forcave franceze e evropiane ishin vrarë102 veta, ndërsa ishin plagosur shumë të tjerë. Numri i viktimave algjeriane asnjëherë deri tani nuk është saktësuar dhe debati për numrin e e tyre ka arritur deri në ditët tona. Autoritetet franceze, pas masakrës kishin dhënë numrin e vdekjeve, që thuhej se përafërsisht arrinte në 1.165. Qeveria algjeriane ka të dhëna për masakrimin e 45.000 algjerianëve. Kjo ditë martirizimi përkujtohet çdo vit në Algjeri. Ambasadori i Francës në Algjeri, në një fjalim zyrtar, në Setif në shkurt 2005, e përshkruar masakrën si një “tragjedi të pafalshme” të regjimit të Francës kundër algjerianëve paqësorë.
Në nëntor të vitit 1954, lëvizja për pavarësi shndërrohet në Front të luftës për çlirimin e Algjerisë. Pas luftimeve të përgjakshme, filloi edhe presioni sistematik shtetëror, që rezultoi me vrasjen e dhjetëra mijëra algjerianëve. Në vitin 1962, në Evian, arrihet marrëveshja e cila përmbylli luftën tetë vjeçare të përgjakshme nga dy anët.
Një masakër tjetër çnjerëzore e forcave franceze kundër algjerianëve ka ndodhur edhe më 17 tetor të vitit 1961, në Paris. Demonstrata e algjerianëve ishte organizuar nga Federata e Francës e Fronit Nacional Çlirimtar. Shkas për këtë protestë masive ishte bojkot i orës policore gjatë natës, të aplikuar, jo për të gjithë qytetarët, por vetëm për afrikano-veriorët, në radhë të parë për algjerianët.
Fronti kishte ftuar në manifestim algjerianët, burra, gra e fëmijë, por iu kishte ndaluar bartjen e armëve. Marshi i zemërimit popullor gjatë natës, në rrugët kryesore të kryeqytetit, çoi në konfliktin e protestuesve dhe policisë, e cila hapi zjarr duke përgjakur të gjitha rrugët dhe sheshet. Represioni brutal policor që kishte vazhduar edhe përtej natës së 17 tetorit të atij viti, pati për pasojë mijëra të ndaluar dhe të burgosur nga radhët e demonstruesve algjerianë dhe mijëra të tjerë të vrarë nëpër rrugët e Parisit. 17 tetori i vitit 1961 dhe pasojat, janë perceptuar si njëra nga ngjarjet më të dhunshme që lidhen me luftën në Algjeri. Kjo dhunë e shfrenuar e autoriteteve kundër algjerianëve çoi më në fund edhe në çlirimin e Algjerisë nga kolonializmi qindra-vjeçar i Francës, në vitin 1962. (A.Q.)