Master Hazis Gjergji: Ëndrra e prishur e Kuvendit të Lushnjes

Mbledhja e parë e Kuvendit Kombëtar të Lushnjes i filloi punimet më 21 janar 1920, në ora 10 paradreke, në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kaso Fuga, por nga që nuk kishin mbërritur akoma shumica e delegatëve, punimet e tij vendimmarrëse u zhvilluan nga data 28 deri më 31 janar 1920. Mbas ceremonisë së hapjes, patrioti i shqur,  Aqif Pashë Elbasani u zgjodh me unanimitet Kryetar i Kuvendit. 37 delegatët shqiptarë të mbledhur në Kuvendin e Lushnjës i kërkuan njëzëri Konferencës së Paqes në Paris përmbushjen e ëndrrës shekullore të shqiptarëve me këto fjalë:

Kuvendi kërkon një pavarësi të plotë me kufijtë etnografikë dhe natyrorë, duke korrigjuar kështu padrejtësitë që janë bërë nga Kongresi i Berlinit dhe nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913…1. Nga të gjitha organizatat atdhetare të ngritura gjatë vitit 1920 për drejtimin e kryengritjeve për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar, katër prej tyre ishin shquar në mënyrë të veçantë: “Mbrojtja Kombëtare” e Vlorës, “Mbrojtja Kombëtare” e Kosovës, “Mbrojtja Kombëtare” e Dibrës dhe “Mbrojtja Kombëtare” e Shkodrës. Më 30 janar 1920, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” do të shpërndante në të gjitha trevat shqiptare një Thirrje, me anën e së cilës kërkonte mobilizimin e përgjithshëm dhe sakrificat më sublime për hir të lirisë dhe të pavarësisë së vendit. Ndër të tjera, në Thirrje kërkohej:

Vullneti i madh, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e patundshme e kombit të vogël shqiptar janë të mjaftueshme për shpëtimin e atdheut e të kombit. Le të bëjmë, pra, sakrifica, le të qëndrojmë; kështu do të fitojmë madje edhe respektin e armiqve të atdheut. Në këtë mënyrë jo vetëm që do të sigurojmë Shqipërinë e 1912–13-ës, por do të shpëtojmë madje edhe vëllezërit tanë të robëruar dhe pjesët me rëndësi që iu shkëputën atdheut… Kombi ynë është detyruar të çojë në vend vullnetin e vet2.

Përfaqësuesit e popullit shqiptar në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës ishin shprehur fare qartë mbi politikën e shtetit të tyre të lirë e të pavarur:

Shqipëria s’ka asnjë pretendim tjetër, veç atij që të zërë një vend në Gadishullin Ballkanik, duke u dhënë fund mjerimeve dhe për t’i hapur rrugë një jete në paqe dhe në harmoni me shtetet fqinje3.

I mbështetur në gatishmërinë e popullit për vënien në jetë të parimit të “vetëvendosjes së popujve”, më 27 mars 1920, Këshilli i Naltë parashtroi përpara Këshillit Kombëtar platformën politike që shteti shqiptar do të ndiqte në marrëdhëniet diplomatike me fqinjët ballkanikë:

Me fqinjët tanë, jugosllavët e grekët, kemi dëshirë të plotë që të rrojmë në një harmoni miqësore. Kemi shpresë se edhe fqinjët tanë kanë me njoftë të drejtat tona etnike e jetike. Dhashtë zoti që, në kohë të këtij parlamenti, daltë Atdheu ynë simbas dëshirëve të përgjithshme të kombit shqiptar, i pavarmë dhe me tanësinë e tij tokësore.

Kuvendi Kombëtar i Lushnjës e kishte deklaruar hapur se shqiptarët ishin të gatshëm të bënin të gjitha sakrificat, deri në pikën e fundit të gjakut, për të mos pranuar asnjë vendim ose veprim diplomatik apo ushtarak që mund të vinte në rrezik tërësinë terri-toriale dhe pavarësinë e plotë të vendit. Në këto kushte, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i kishte dërguar koma-ndës së ushtrisë së Mbretërisë së Italisë në Vlorë ultimatumin tashmë historik:

Ne nuk jemi aspak të pakuptuar që një popull i vogël si i Shqi-përisë të mund ta bindë me fuqi të armës një qeveri si të Italisë kaq të madhe. Por qeveria italiane, sado e madhe që është, nuk mundet kurrë ta ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të vdesë për idealin e lirisë së tij5..

Se çfarë ndodhi më tej, na e rrëfen gazetari e historiani, Tajar Zavalani:

Vullnetarët që nuk dinin se ç’ishte frika dhe që nuk i ndalonte dot asnjë pengesë materiale, kapërcyen telat me gjëmba dhe për-paruen deri në transhet e ushtrisë italiane. Malësorët e Labërisë dhe të krahinave të tjera hudhën gunat prej qime dhije mbi telat me gjë-mba dhe shkuen përmbi to. Ushtarët e transheve u zunë aq shumë befas saqi nuk muejten as me përdorë armët e tyne të vogla për me u mbrojtë.

Mbasi shqiptarë e italianë ishin përleshë fytafytas, në llogoret e ngushta të kampit të përforcuem dhe po u thershin me armë në dorë, topat e luftanijeve në liman nuk mund të përdoreshin për me luftue kryengritësit. Kjo përleshje e gjakëshme vazhdoi tri dit dhe, kur vullnetarët shqiptarë duelën prej llogoreve, lufta ishte fitue6.

Fitorja u buzëqeshi vullnetarëve shqiptarë, të cilët, me heroizmin e tyre, shpëtuan Vlorën me rrethinat e saj nga pushtimi dhe Shqipërinë nga copëtimi. Në mëngjesin e 22 korrikut 1920, kryeministri italian Xhovani Xholiti (Giovanni Giolitti) u detyrua të deklaronte botërisht se e njihte dhe e respektonte “sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe integritetin tokësor të Shqipërisë”. Në situatën e re politike, Xholiti anuloi marrëveshjen antishqiptare Titoni–Venizello dhe i dërguari i tij në Tiranë konti Manxoni përfundoi traktatin e paqes në bazë të kërkesave të shqiptarëve. Me nën-shkrimin e protokollit të paqes më 2 gusht 1920, përfaqësuesit e qeverisë italiane pranuan njëkohësisht edhe pavlefshmërinë e Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 19157.

Fitorja e labëve dhe e vullnetarëve të dërguar në Vlorë frymëzoi dhe u dha zemër mijëra bashkëkombasve të tjerë të mbetur nën pushtimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Revolta e parë e shqiptarëve të Hotit dhe të Grudës kundër dhunës së pushtuesve jugosllavë ndodhi më 26 korrik 1920. Shkaktarë të kësaj revolte u bënë vetë rojat kufitare jugosllave në pikën e kalimit të fshatit Kastrat, të cilët veçuan nga rreshti i refugjatëve shqiptarë 80 burra dhe, pa asnjë shkak, i vranë në sy të prindërve, grave e fëmijëve të tyre. Të revoltuar nga ky akt barbar, qindra hotjanë, grudas e kastratas dhe dy kompanitë e xhandar-mërisë kufitare shqiptare do t’u vërsuleshin vrasësve jugosllavë dhe do t’i ndiqnin deri në afërsitë e qytetit të Tuzit.

Në përgjigje të këtij aksioni të guximshëm të shqiptarëve, shtat-madhoria e ushtrisë mbretërore jugosllave përgatiti tri batalione me ushtarë dhe tri kompani mercenarësh esadistë të komanduar nga Alush Lohja. Pasi thyen qëndresën e dëshpëruar të dy kom-panive dhe luftëtarëve të mbetur pa mbështetje e municion, push-tuesit jugosllavë dhe bashkëpunëtorët e tyre esadistë arritën në fshatin Vrakë, 8 km larg portave të qytetit të Shkodrës. Në qytet u dha alarmi. Siç pohohet nga dëshmitarët, pazari i Shkodrës u mbyll, çirakët, shegertët e qindra burra të tjerë iu drejtuan depove të armëve. Duke i zgjedhur vetë komandantët e tyre, vullnetarët qytetarë e fshatarë vrapuan në fushën e Shtojit, ku ishin rreshtuar për luftë 500 vullnetarë nga Postriba, një mijë luftëtarë nga Hoti e Gruda, Plava e Gucia, Kosova e Rrafshi i Dukagjinit etj. Hoxhë Kadria, kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, u bëri thirrje të gjitha forcave të armatosura të organizatës që kry-esonte, të rrëmbenin armët për çlirimin e vëllezërve grudas e hotjanë nga zgjedha jugosllave. Kolonel Bajram Curri kishte mobilizuar rreth 200 vullnetarë krutanë, të cilët më pas i bashkoi me forcat e tij kosovare.

Kështu, më 1 gusht 1920, 2200 luftëtarë shqiptarë, të ndarë në tri kolona, nën komandën e kapitenëve Hamit Gjylbegu e Taip Shkodra, si dhe të prijësit popullor gjashtëdhjetëvjeçar Hasan Ferri nga Plava, u nisën në drejtim të Koplikut të Poshtëm, Çezmës dhe Koplikut të Epërm. Lufta, që do të merrte emrin e Koplikut, tashmë kishte filluar. Pas një beteje të përgjakshme, forcat shqiptare i sprapsën trupat jugosllave dhe esadiste në vijën e frontit nga Përroi i Thatë deri në Koplikun e Epërm8.

Suksesi i Luftës së Vlorës do të ngrinte në këmbë edhe luftëta-rët dibranë. Ndërsa luftohej në Vlorë, atdhetari i njohur i Dibrës, Elez Isuf Ndreu, kishte grumbulluar rreth 3000 luftëtarë shqipta-rë, të cilët, siç pohojnë zyrtarët jugosllavë, u përgatitën “për një aksion energjik kundër ushtrisë jugosllave”, si kundërpërgjigje ndaj dhunës, vrasjeve dhe plaçkitjeve që ushtronte ajo mbi popull-sinë e atjeshme. Me nismën e prefektit Ramiz Dibra, senatorit Ramiz Daci dhe të intelektualit patriot Jashar Erebara, më 13 gusht 1920, krerët e krahinave të Dibrës u mblodhën në Kuve-ndin e njohur të Arrasit.

Ashtu si në Vlorë, edhe “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” të Dibrës, i dalë nga Kuvendi i Arrasit, i dërgoi komandës jugosllave në Dibër të Madhe një ultimatum, me kërkesën për lirimin e tokave brenda kufirit të vitit 1913, si dhe të qytetit të pastër etnik shqiptar të Dibrës së Madhe. Pas përfundimit të ultimatumit, më 13 gusht 1920, “fuqia vullnetare e popullit”, nën komandën e strategut popullor Elez Isuf Ndreu do t’i detyronte trupat e ushtri-së jugosllave të tërhiqeshin deri në kufirin e vitit 1913, madje të braktisnin edhe qytetin e Dibrës së Madhe9.

Atmosfera luftarake e krijuar nga heroizmi popullor i Vlorës, Dibrës e Koplikut i krijoi kushte të favorshme edhe Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” për të furnizuar me armë e municione çetat kryengritëse kosovare që kërkonin çlirimin e Ko-sovës dhe bashkimin e saj me trungun amë. Sipas statistikave të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në verën e vitit 1920 në Kosovë vepronin mbi 30 çeta atdhetare shqiptare dhe popullsia ishte në pritje të sinjalit të kryengritjes. Për këtë qëllim, Komiteti u përpoq që të siguronte armë e municione. Sipas dokumenteve të AQSH-së, Bajram Curri i kishte siguruar ndihmat në fillim të gushtit, me anën e bashkëpunëtorëve të tij në Itali, disa ndihma që kapnin shumën 30 milion franga (20.000 pushkë, 200 mitralo-za të lehtë, 50 të rëndë dhe 12 topa malorë). Veterani tjetër i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Hasan Prishtina kishte takuar në Fiume (sot Rjeka) poetin revolucionar italian Gabriele d’Annun-zio, i cili njihej si frymëzues i “Komitetit irredentist të shqiptarëve, bullgarëve, malazezve, kroatëve e të hungarezëve të Vojvodinës”.

Pas disa ditëve, në limanin e Shëngjinit arritën dy barka me materiale ushtarake të dërguara nga Rjeka. Në lidhje me këtë ngar-kesë, Eqrem bej Vlora thotë:

D’Annuzio kishte premtuar para dhe armë dhe hollësitë ishin diskutuar me Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin. Brenda Kosovës lëvizja do të përqendrohej rreth rebelit legjendar Azem Bejtja nga Galica. Dhe me të vërtetë, D’Annuncio dërgoi dy torpediniera me armë dhe material luftarak në Shëngjin, të cilat do të merreshin në dorëzim nga koloneli kosovar Dervish Mitrovica10.

Por kur piroskafët apo torpedinierët e ngarkuar arritën në Durrës, kryeministri Sulejman Delvina urdhëroi që ngarkesa e rrezikshme të kthehej andej nga kishte ardhur. Politikani Sejfi Vllamasi, dëshmitar okular në takimet e për-faqësuesit të Qeverisë së Tiranës Ahmet bej Zogolli, ministër i Punëve të Brendshme dhe prefekt i komanduar i qarkut të Shko-drës, me përfaqësuesit e Mbretërisë së Jugosllavisë, dëshmon:

Lufta me jugosllavët vazhdonte në Koplik. Një vapor italian me armë e municione dhe mjete të tjera kishte ardhur në Durrës për të shkarkuar armët që i kish dërguar D’Annuzio për kosovarët. Zogu menjëherë më dërgon mua dhe Xhemal Naipin në Tiranë, te krye-ministri Sulejman Delvina, me qëllim që të provokonte vendimin e Këshillit të Ministrave për ndalimin e shkarkimit të armëve në fjalë në tokën shqiptare…

Pas urdhrit të Kryeministrit Delvina për t’u larguar nga porti i Durrësit, motoskafët u nisën fshehurazi drejt portit të Shëngjinit. Për më tej, Vllamasi rrëfen:

Zogu menjëherë prej Shkodre vjen në Tiranë dhe, së bashku me kryeministrin, vendosin e na nisën Xhemal Naipin e mua, natën, për në Shkodër me 20.000 fr. ari me vete për prefekturën, me mision të provokonim çdo masë paqësore ose ushtarake për të evituar me çdo kusht shkarkimin e armëve nga vapori që kishte ardhur prej Durrësit në Shën Gjin, pasi fuqitë jugosllave ishin përqendruar në grykën e Bunës, gati për të okupuar Shëngjinin, në rast të shkarkimit të armëve.

Ne, qysh atë natë, erdhëm në Shkodër dhe, në orët e vona u takuam me Bajram Currin për ta bindur atë, pasi ishte më i arsyeshëm se të tjerët. E diskutuam çështjen nga çdo pikëpamje, por nuk mundëm ta bindnim Currin, pasi influencohej prej Bedri Pejës, që ishte në favor të shkarkimit të armëve. Atëherë shkuam po atë natë në prefekturë, ku na prisnin ndihmësprefekti Sulçe Bushati me komandantin e xhandarmërisë Malo Bushatin për të marrë vesh përfundimin e bisedimeve. Pasi të gjitha përpjekjet me anë bisedimesh dështuan, u vendos për masa ushtarake. Malo Bushati dërgoi në Shën Gjin një fuqi xhandarësh nën komandën e kapiten Hasan Bushatit për të ndaluar me forcë shkarkimin e armëve.

Nga ana tjetër, të nesërmen u thirr Bajram Curri nga ana e nënprefektit, ku iu njoftua se “Këshilli administrativ i prefekturës, ashtu dhe gjithë populli i Shkodrës, pasi shkarkimin e armëve e shihte të rrezikshëm, u këshillon që të hiqni dorë nga ky mendim, ndryshe do të merren masa për ta kundërshtuar me forcë…

Dëshmitari tjetër i ngjarjeve, Tafil Boletini, shton:

Pasi u mor ky vendim, Hasan Prishtina propozoi që gjithë këtë material ta marri qeveria, por edhe këtë Tirana nuk e pranoi dhe transporti u kthye mbrapa… Zogu, që deri në këtë rast kishte nji miqësi të ngushtë me Hasan Prishtinën, i këputi marrëdhëniet, kurse me Bajram Currin ishin thyer qysh në operacionin kundër esadistëve11.

Fakti që kufijtë e Shqipërisë, në vend që të ndiqnin linjën etnike, ishin produkt i problemeve gjeopolitike, e bënte të qartë se shqiptarët, të dëshiruar për rishikimin e kufijve, do të luanin një rol shumë të rëndësishëm në luftën politike, thotë studiuesi kanadez Robert Austin. Më 1912, trojet ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë (trungu etnik), kishin një sipërfaqe prej gati 52.000 km katrorë, me rreth 1.550.000 banorë, nga të cilët afërsisht 1.335 mijë shqiptarë. Kufijtë politikë të caktuar në Londër më 1913, sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha, kishin lënë brenda trungut etnik shqiptar rreth 28.000 km2, me një popullsi prej 740.000 banorësh; pjesa tjetër e trojeve shqiptare prej rreth 24.000 km2, me 595 mijë shqiptarë, iu aneksua mbretërive të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi. Trojet e aneksuara nga mbretëritë fqinje përfaqësonin krahinat bujqësore më pjellore dhe zinin sipërfaqen më të madhe agrare të trojeve shqiptare. Me këtë gjymtim territorial u ndërpre procesi ekonomik i shkrirjes së trojeve shqiptare në një treg të brendshëm kombëtar; brenda kufijve të Shqipërisë mbetën viset malore dhe ultësira perëndimore, kryesisht zonë moçalore. Në të vërtetë, prob-lemi i kufijve dhe mënyra e përcaktimit të tyre “ka qenë shkaku i lindjes së irredentizmit shqiptar”, thotë historiani Xhorxh Kastelan12.

Historiani Robert Austin jep këtë përkufizim për Komitetin irredentist (it. trojekërkues) “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”:

Komiteti i Kosovës, një lëvizje për rezistencë thellësisht klandestine, që kishte anëtarë në të dy anët e kufirit, u krijua më 1918 për të zhvilluar në Kosovë një politikë akoma më luftarake. Kjo lëvizje synonte në bashkimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve në atë që ishte bërë e njohur si Shqipëri etnike ose e madhe…

Udhëheqësit e Komitetit, veçanërisht Bajram Curri, Hasan Prishtina, Zija Dibra dhe Hoxhë Kadria, ishin njerëz që më shumë se diplomacinë preferonin veprimin e armatosur. Ata kishin kryesisht dy armiq: qeverinë në Beograd, që, sipas tyre luftonte bashkësinë shqiptare, dhe politikanët e Tiranës, që preferonin të rrinin larg politikës në rajon. Në periudhën 1920–24, Komiteti i Kosovës luajti një rol të rëndësishëm, sepse ofronin sfidën kryesore të armatosur kundër Zogut dhe anëtarët e tij ishin njerëz të kalitur në beteja… Zogu karakterizohej nga një oportunizëm i egër, pa skrupuj politikë… Ai ishte në radhë të parë një oportunist që kishte si interes kryesor pushtetin… Për shkak se vazhdonte të tregonte mungesë zelli ndaj çështjes së Kosovës dhe se ishte përhapur gjerësisht mendimi se kishte bërë disa pazarllëqe me serbët, marrëdhëniet e Zogut me Komitetin e Kosovës ishin tendosur13.

Qëndrimet e kundërta ndaj çështjes së çlirimit të Kosovës dhe të Dibrës të Ahmet bej Zogollit, nga njëra anë, dhe Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Hoxhë Kadrisë, Elez Isufit, Zija Dibrës, Azem Galicës e anëtarëve të tjerë të Komitetit “MKK”, nga ana tjetër, do të shkonin deri në luftë të hapur për jetë a vdekje midis tyre. Sipas Sejfi Vllamasit, Bajram Curri:

Ka qenë irredentist i tmerrshëm, pse e donte shumë Kosovën, aq sa nuk pranonte asnjë arsyetim në lidhje me hollësirat e politikës irredentiste. Të gjithë anëtarët e Komitetit MKK, me Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën në krye, u angazhuan në një luftë vendimtare kundër Zogut, që ka qenë për atë kohë shtylla vertebrale e qeverisë, me pretekst se ishte kunati i Ceno bej Kryeziut dhe se ndiqte një politikë personale në favor të Jugosllavisë, duke e konsideruar atë agjent jugosllav14.

A ishte ministri i Punëve të Brendshme i “Qeverisë së Tiranës” Ahmet bej Zogolli “bashkëpuntor i jugosllavëve” apo “agjent jugo-sllav”, siç e akuzonin udhëheqësit e Komitetit “Mbrojtja Kombë-tare e Kosovës”. Historiani Xheison Toms (Jason Tomes), autor i biografisë “King Zog of Albania, Europe’s self-made muslim monarch” (Londër, 2003, New York, 2004), thotë se studiues apo bashkëkohës të ndryshëm të Ahmet Zogut, i kanë vënë cilësime tejet të skajshme, si p.sh.: “ndoshta atdhetari më i mprehtë nga të gjithë”, “shpëtimtar i kombit”, “ati i vendit të tij”, “Napoleon modern”, “një burrë salloni i klasit I”; por edhe “sundimtari i fundit kalorësiak”, “lake i Musolinit”, “malok i paditur”, “bandit despotik”, “gangster i tmerrshëm”, “një aventurier i vërtetë”, “horr i pastër”, “përfundimisht një mizor i paparashikueshëm dhe i pabesë” etj. 15

Gjithsesi, është fakt se populli shqiptar dhe trojet e tij amtare edhe pas 100 vjetësh kanë mbetur të ndarë në 6 shtete; ndër të cilët, Deti Jon dhe Shqipëria e Jugut po rrezikohen nga synimet shoviniste greke, ashtu sikurse Kosova Verilindore nga ish-padronët serbomëdhenj; ndërkohë kur shqiptarët e mbetur jashë kufijve lindorë po shtypen e injorohen nga sllavët maqedonas e serbë, ashtu sikurse kurse shqiptarët e veriut nga ata malazezë…

Shënimet:

  1. Lufta e popullit shqiptar për çlirim kombëtar 1918–1920 (përmbledhje dokumentesh) vëll. II., Tiranë, ASh (Instituti i Historisë) dhe DPASH, 1976, dok. nr. 46, f. 58–59.
  2. Po aty, dok. 48, f. 60–61.
  3. Arben Puto, Çështja shqiptare në arenën ndërkombëtare pas Luftës së Parë Botërore, vëllimi III, dok 22, Tiranë, Albin, 2001, f. 241–242.
  4. Lufta e popullit shqiptar për çlirim kombëtar, vëll. II, dok. nr. 131, f. 165–166; Teki Selenica, Shqipria më 1927 e illustruar, Tiranë, 1928, f. 78: “Dhantë Perëndia që, mbas masave energjike atdhetare që ka marrë qeveria jonë, e cila asht e trajtume prej dëshirit të popullit, të dalë Shqipëria e lirë dhe e pavarun me tansin e saj toksore”.
  5. Lufta e popullit shqiptar për çlirim kombëtar, vëll. II, dok. nr. 280, f. 324–325 (“Drita”, nr. 10, 9 qershor 1920, f. 2; A. Puto, Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare, vëll. III, dok. 29, f. 259–260.
  6. Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, botim i 2-të, Tiranë, Phoenix, 1998, f. 261–262.
  7. AQSH. Fondi 251, viti 1920, dosja 35, fl. 161–163; Historia e Shqipërisë, vëll. II, Universiteti Shtetëror i Tiranës (Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë), Tiranë, 1965, f. 494; Historia e popullit shqiptar, vëll. III, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë: Toena, 2007, f. 165–167; A, Puto, Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtar-re, vëll. III, f. 261–263; Lufta e popullit shqiptar…, vëll. II, dok. nr. 375, 2 gusht 1920, f. 426–428, dok. 386, 6 gusht 1920, f. 437; Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demo-kraci (1917–1941), DPASH, Tiranë, 1959, dokumenti nr. 73, f. 87.
  8. Gjon Zeka, Nëpër lufta për liri. Kopliku në vitin 1920–1921, Tiranë, 1932, f. 19–20; Xhevat Repishti, Lufta e Koplikut, revista “Studime historike”, 1972, nr. 2, f. 49–51; Paskal Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia (1918–1927), Tiranë, Enciklopedia, 1992, f. 112; Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897–1942 (Kujtime e vlerësime historike),përgatitur nga Marenglen Verli,Tiranë: Neraida, botim i 2-të, 2000,f. 229–30; Revista “Agimi”, shtator 1920, nr. 5, f. 75; Tafil Boletini, Kujtime pranë Isa Boletinit & përballë sfidave të kohës (1892–1963), botim II, përgatitur nga Marenglen Verli, Tiranë: Botimpex, 2003, f. 312.
  9. Historia e Shqipërisë, vëll. II (1965), vep. e përm.,f. 497; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), vep. e përm., f. 169–171; S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, vep. e përm., f. 232–235; Lufta e popullit shqiptar për çlirim kombëtar 1918–1920, vëllimi II, vep. e përm, dok. 387, 7 gusht 1920, f. 430; dok. 395, 18 gusht 1920, f. 445; Elez Isufi kreshniku i Dibrës (trajtesa e dokumente), Tiranë: Marin Barleti, 1996, f. 77, 82–84.
  10. Dokumente e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci 1917–1941, vep. e përm., dok. nr. 80, f. 97 (gazeta “Shqipëria e Re”, nr. 10, dt. 10.10.1920); Ajet Haxhiu, Shota dhe Azem Galica, Tiranë: 8 Nëntori, 1976, f. 125 (“Hak”, Shkup, 20 maj 1920); Xheladin Shala, Intervencioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në Shqipëri më 1920, revista “Gjurmime albano-logjike”, Seria e shkencave historike, XII, Prishtinë, 1982, f. 125, 129–130; Tahir Abdyli, Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare e Demokratike Shqiptare (1908–1933), Prishtinë: GME, 2003, f. 228–232; Eqrem bej Vlora, Kujtime 1885–1925, sipas “Lebenserinneru-ngen”, Munchen, “R Oldenbourg” 1973, përkthyer nga Afrim Koçi, Tiranë: Libri & Komunikimi, 2001, f. 476–477.
  11. S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, vep. e përm., f. 230–231; T. Boletini, Përballë sfidave të kohës, vep. e përm., f. 31.
  12. Robert Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit, përkthyer nga Lindita Bubsi, Tiranë: Albin, 1998, f. 37; Georges Castellan, Historia e Ballkanit, Tiranë: Çabej, 1996, f. 398; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), vep. e përm f. 30–31.
  13. R. Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit, vep. e përm f. 29– 30, 37–38, 55.
  14. Ajet Haxhiu, Hasan Prishtina dhe Lëvizja Atdhetare e Kosovës, Tiranë: Naim Frashëri, 1968, f. 174–175 dhe Shota dhe Azem Galica, Tiranë, 8 Nënrori, 1976, f. 147; S. Vllamasi, Ballafaqime politike…, vep. e përm., f. 213–214.
  15. Jason Tomes, King Zog of Albania: Europe’s Self-Made Muslim Monarch, New York University, 2004, p. V.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …