Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, po tregohet një diplomat tejet i vendosur dhe i kategorisë së rëndë, pikërisht sikur ishte Riçard Hollbruku, tani i ndjerë. Qëndrim i tij parimor, është krejtësisht në mbështetje të së drejtës, të ligjit dhe të Kushtetutës në Shqipëri. Intervista e tij dhenë për “Zërin e Amerikës”, ua ka bërë të qartë shqiptarëve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përkrahin opozitën e djathtë, të Bashës, Berishës e të Metës, i cili është laraman partiak, opozitë e cila me çdo kusht angazhohet të krijojë politikë me thirrje kundër komunizmit, me ulërima kundër diktaturës së majtë, me kërcënime kundër rendit e ligjit, me djegie të institucioneve…
Ky zë i qartë që sot erdhi nga Amerika, përmes “Holbrukut” të ri është shpresëdhënës dhe shihet se ka dhënë dhe po jep rezultate. Ilir Meta, jo vetëm i ka zbutur fjalët, por duhet se është lagur fare dhe është fishkur edhe më keq se dje, kur rrahte gjoks dhe me frymëzimin që i bënte opozitës, u dogjën shkolla në Shkodër, në Va të Dejës e kudo në qendrat e rezervuara për votime.
Nuk po ndihet për së gjalli as “tupani” zhurmues i Berishës, as vrulli hapareshur i Bashës. “Koka e Madhe” e Monikës ka filluar të zvogëlohet ashtu si ajo e bashkëshortit të saj.
Kaq kishte, tash për tash, por dardha e ka bishtin prapa. Tani ky tresh që bën përshesh Shqipërinë e ka të vështirë t’ i ndalë militantët, të cilët kanë bërë gati armët, për ta përmbysur Shqipërinë me pretekst se po e përmbysin komunizmin.
Basha, Meta dhe Berisha tani do të korrin atë që kanë mbjellë qe 30-vjet rresht duke u munduar ta gënjejnë botën se po e mbrojtkan demokracinë dhe po e luftuakan komunizmin, duke qenë vetë në atë kohë, pjesa më militante dhe me e komprometuar e partisë dhe Shtetit.
Zëri i Palmerit i ka zhgënjyer edhe antikomunistët prej letre, ata që krejt biografinë e tyre të mjerë e kanë qepur duke u shpallur viktima të komunizmit edhe pse kanë qenë bashkëpunëtorë të tij, më shumë se të zellshëm.
Tani po kuptohet fare mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e luftojë të kaluarën si Don Kishoti që luftonte mullinjtë e erës, por duan rend, ligj, demokraci të njëjtë për të gjithë, respekt për Ligjin e Kushtetutën, Vetting për të korruptuarit, ndalim hyrje në Amerikë për matrapazët e kriminelët.
Palmer e tha qartë: Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore.
Dihet cilat janë deklaratat e Bashës, Berishës e Metës, të majtëve të djathtë dhe të djathtëve të majtë. Dihet cilat janë qëllimet e tyre. Ata i frikësohen vettingut, krimeve të kanë kryer, parave që kanë vjedhë, ata i frikëson arketipi i tyre, sepse tashmë e kanë kuptuar më mirë se kurrë, se me mollotov, sulm në institucionet, me përsëritjen e vitit 1997 nuk do ta kenë përkrahjen e Amerikës e as të botës demokratike, por do ta kenë përkrahjen pa rezervë të Athinës, Beogradit e Moskës ashtu sikur e kanë pasur në vitin 1997, por asokohe ata kishin gënjyer shqiptarët duke u thënë se duhet të shkatërroni krejt çka është ndërtuar në kohën e komunizmit, në mënyrë që Amerika ta ndërtojë Shqipërinë e djathtë me prejardhje balliste e neofashiste.
Megjithatë, duhet pasur para sysh faktin se bisha e çartur, në grahmat e fundit është shumë e rrezikshme. Ata që kanë vepruar në rrogëz prej vitit 1991, janë po ata që do të provojë sërish ta zhbëjnë Shqipërinë. (A.Q.)