(Letër e hapur Gjykatës speciale në Prishtinë dhe prokurorit Sylë Hoxha)
Shumë i nderuari prokuror, Sylë Hoxha, shumë të nderuar gjykatës dhe gjykatëse në Gjykatën speciale në Prishtinë Që nga 8 tetori 2017 është privuar nga liria Dr. Sadri Ramabaja. Dr. Ramabaja gjendet në paraburgim. Në aktakuzën prej vetëm 3 faqesh Dr. Sadri Ramabaja akuzohet „për planifikim vrasjesh të zyrtarëve të rangut të lartë të Republikës së Kosovës dhe në gjithë Kosovën.” Ai gjoja paskësh përgatitur akte terroriste kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës.
Për të gjithë ata që e njohin personalisht socialdemokratin dr. Sadri Ramabaja këto akuza tingëllojnë absurde. Aktakuza kundër dr. Ramabajës është e motivuar politikisht. Rrethanat e rastit: Në mars të këtij viti shqiptari kosovar Murat Jashari shtiu kundër Azem Vllasit në zyrën e tij të avokaturës në Prishtinë. Azem Vllasi qe plagosur në krah. Autori i veprës që prej shumë vitesh gjendet nën trajtim psikologjik në Zvicër. Që nga incidenti prokuroria kosovare konstruktoi një organizatë të hamendësuar me emrin “Syri i popullit”. Gjatë kësaj kohe një numër i madh mediesh kosovare hodhën akuza sikur prapa këtij sulmi qëndrojnë individë të njohur që për vite të tëra ishin të detyruar të qëndrojnë në emigracion.
Azem Vllasi (ish-udhëheqës i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, si dhe lider i lartë i rinisë jugosllave) që prej muajsh ka akuzuar përmes shtypit dr. Sadri Ramabajën për “bashkëplanifikim të sulmit”. Prova për pohime të tilla nuk kanë prezantuar as Azem Vllasi (sot këshilltar qeverie) as prokurori Sylë Hoxha. Ata zotërojnë vetëm një të ashtuquajtur indicie të vetme. Ata i referohen një restorani turistik të preferuar, Restoranit Cafe Villa Panorama në lagjet periferike të Prishtinës. Prokurori pretendon se dy ditë përpara sulmit, përndryshe të ekzekutuar në mënyrë amatoreske, “Sadri Ramabaja është parë në Villa Panorama në periferi të Prishtinës së bashku me Murat Jasharin”. Ky fakt as nuk përfaqëson një provë dhe as një indicie për t’u marrë seriozisht. Dr. Ramabaja e njihte Murat Jasharin që nga koha e qëndrimit të tij në emigracion në Zvicër. As nuk ekzistojnë transkripte përgjimesh dhe as çfarëdo prove se Dr. Ramabaja ia ka siguruar ndonjë armë Murat Jasharit. Akuzën e tij z. Prokuror e drejton kundër një akademiku dhe një socialdemokrati. Edhe argumenti i tij se Dr. Ramabaja kinse ishte përpjekur të arratisej nuk është argument.
Në Kosovë tashmë kanë vdekur të burgosur politikë nën mbrojtjen e shtetit. Kështu ndodhi në rastin e Astrit Deharit nga VV (Lëvizja për Vetëvendosje) në Burgun Hetimor të Prizrenit me 5 nëntor 2016. Sipas opinionit të të gjithë ekspertëve të pavarur, Astrit Dehari nuk vdiq nga vetëvrasja, por përmes ushtrimit të jashtëm të dhunës, dhe si rrjedhim, përmes një vrasjeje të porositur politikisht. Akuza kundër Dr. Ramabajës nuk ka kurrfarë baze. Lirojeni menjëherë Dr. Ramabajën! Në të kundërtën, do të rrezikoni që të fitoni në Evropë po atë nam që ka fituar Tribunali Special i diktatorit turk Erdogan.
Nënshkruesit e parë të peticionit: –
Prof. H.C. Max Brym, lektor i ftuar shumëvjeçar në Universitetin Publik të Prishtinës –
Agron Sadiku, Redaktor i web-portalit Kosova- Aktuell –
Ricky Burzlaff, Kryetar i Shoqatës “Përgjegjësi për refugjatët e.V” Leipzig –
Andrea Müller Këshilltar politik Ish-raportues i Televizionit Zviceran (në mes tjerash dhe për Kosovën 1998-2001) –
Florian Pollok Sekretar sindikal Përfaqësues Qarkut të Bajernit Departamenti 13/ –
Osman Osmani, punonjës social dhe aktivist politik shqiptaro-zviceran i së majtës –
Skender Hajdari, editor i portalit informativ prointegra.ch ne Zvicer dhe ish i burgosur politik shqiptar ne ish-Jugosllavi.