Maxhun  Osmanaj: NJË LIBËR QË RUAN DËSHMI DHE  KUJTESËN TONË NGA BARBARITË  SERBE

Maxhun  Osmanaj: NJË LIBËR QË RUAN DËSHMI DHE  KUJTESËN TONË NGA BARBARITË  SERBE

(  Adem  Lushaj , “ Krimet  serbe  në  Kosovë ( Rasti  i  Deçanit)”,   Shtëpia Botuese “Jalifat Publishing” ,  Houston  2023 )

                                            ( Prolog)

“ Nëse  ndonjë   miku  krijues- shkrimtar,  nuk  do  t’ia  lexoj  librin  dhuratë,  herët  a  vonë,  për  shkak  të  pamundësisë,  le  të  më  falë,  një  libër  i  tillë  në  fjalë  i  publicistit  mr. Adem  Lushaj,  “ Krimet  serbe  në  Kosovë,  (Rasti  i  Deçanit) “,  nëse  nuk  e  lexoj- më,  mos  të  më  falë  asnjëherë,  sepse  ky  libër  nuk  meriton  të  qëndrojë  i  fshehur  në  kthinat  dhe  sirtarët  e  bibliotekës  dhe  ta  mbulojë  pluhuri  i  harresës. Brenda  librit  klith  zëri  i  viktimave,  zëri  i  prindërve- vëllezërve  tonë,  i  fëmijëve  tonë,   i  nënave  dhe  motrave   tona. Dëshmitë  e  këtij  libri  nga  të  mbijetuarit- mbijetuarat,  më flasin  mua,  ju  flasin    ju  lexues,  i  flasin   drejtësisë  ndërkombëtare   dhe  vendore , botës  paqedashëse  demokratike “ ( M. Osmanaj).

                                        (Autori- libri)

Kush  është   autori  i  librit? Adem  Lushaj  nuk  është  historian,  nuk  është  as  shkrimtar,  por  është  publicist,  veprimtar,  intelektual  që  prore ngre  zërin  ndaj  padrejtësive  dhe  dukurive  negative  në  shoqëri  dhe në  mjedisin ku jeton  dhe vepron. Është  gazetar,  para  se  gjithash  është  pedagog,  mësimdhënës,  matematicient,  autor  i  disa  librave  publicistitkë. Libri  në  fjalë  është  i  tipit  memoaristik- dokumentar,  pse  jo  edhe  historik,  i  sintetizuar  në  vetën  e  tretë  dhe  në  vetën  e  parë. Një  libër  mbështetur  në  fakte,  dokumente,  që   dëshmon  qindra  dëshmi  barbarie  nga  forcat  serbo-sllave,  i  shkruar  me  brumin,  themelet  e  tragjedisë,  episodeve  tragjike,  dhimbjeve  që  s’i  përthekon  as  mendja  e  njeriut  nga  çfarë  përjetoi  popullata  e  pafajshme   shqiptare  në   Rrafshin  e  Dukagjinit.

                                          ( Struktura  narrative  e  librit)

Fundshekulli  XX   për  popullin  shqiptar  në  Kosovë  paraqet  dramën  më  të  dhimbshme,  më  trishtuese,  më  të  përgjakshme,  që  njeh  historia  e  popullit  shqiptar. Por  krahas  kësaj  drame  me  episode  të  dhunës  dhe  torturave  psiqike, dhunës  fizike,  dhunës  seksuale,  djegie,  vrasje,  shfarosje  gjenocidiale,  plaçkitje  dhe  në  fund,  dëbim  nga  vatrat  shekullore  kundër  popullsisë  së  pafajshme,  epilogun  e  pati  me një  Çmim  dhe  Kurorëzim  shekulli;   çlirimi  i  Kosovës,  falë  UÇK-së  dhe   forcave  aleate  të  NATO-s,  që  për  78  ditë  bombardimesh  kundër  forcave   pushtuese  të  makinerisë  vrastare,  arriti  deri  të  dorëzimi  dhe   kapitullimi  i    pushtuesit  më  10  qershor 1999. Libri  në  fjalë  është  një  nga  monumentet  e  shkruara,  ndërtuar  me  gjakun  e  mijëra  shqiptarëve,  mbi  dhembjet  dhe  dhunën  që  ushtroi  shteti  serbo-sllav  me  forcat  paramilitare-ushtarake,  policore,  me  të  vetmin  qëllim;  shfarosjen  e  farës  shqiptare  në  Kosovë. Autori  Lushaj  ka  bërë  një  punë  madhështore  duke  sjellë  para  lexuesve  një libër  publicistik, historik,  dokumentar,  të  përjetuar  nga  popullata  e   Rrafshit  të  Dukagjinit,   përkatësisht  nga  fshatrat  e  dy  komunave;  Deçani  dhe  Juniku.  “ Autori  në  këtë   libër,  me  një  kujdes  të  veçantë   ka  përfshirë  mbi  300  dëshmi,  të  cilat  janë  marrë  drejtpërdrejt  nga  qytetarët,  menjëherë  pas   përfundimit  të  luftës. Dëshmitë  e  paraqitura  në  këtë  libër  janë  të  periudhës   kohore   nga  marsi  i  vitit  1998,  e  deri  më  qershor  të  vitit  1999-ës,  kur  edhe  kanë  hyrë  forcat  paqëruajtëse  ndërkombëtare (KFOR)”  (Po  aty,  fq. IX). Deçani  dhe  Juniku,   duke  qenë  dy  nga qendrat  kryesore  të  Dukagjinit,  një  udhëkryq,  lidhje  me  komunat  tjera,  vendstrehime  të  shumë   luftëtarëve  të  UÇK-së,  baza  e  rezistencës  dhe  furnizimit  me  armatim  nga  Shqipëria,  bënë  që   dhuna  të  ishte   më  e  egër    sistematike,  por  edhe   më  dëme   të  paparashikuara  në  njerëz,  shtëpi  familjare,  dëbime ,  manifestuar  me  plaçkitje,  vrasje,   tortura  psiqike,  përdhunime  seksuale…” Hartuesi  i  kësaj  vepre  me  vlerë  për  kujtesën  tonë  historike  ka  dhënë  dëshmi  të  shumta  për  krimet  e  ndodhura  në  shumë  fshatra  të  komunës  së  Deçanit,  si  në  ; Irzniq,  Beleg, Drenoc,  Strellc,  Dubovik,  Isniq,  Broliq,  Llukë,  Kodrali,  Shaptej,  Dubravë,  Lloçan,  Maznik,  Ratish,  Prapaçan,  Dashinoc,  Lumbardh,  Prekolluk,  Junik,  Pobërgjë,  e  kudo  tjetër  brenda  apo  jashtë  Deçanit” (Po  aty,  fq. IX). Duke  lexuar  këtë  libër,   lexuesi  mëson    se  çdo  krim  makabër,  është  histori  në  vete. Dëshmitë  e   të  mbijetuarve   u   janë  afruar  pas  lufte  Grupit  Ndërkombëtar  të  Krizave ( Internacional Crisis . Grupi  ICG “ Misioni  i  tij  ishte  mbledhja   e  dëshmive  për  krimet  e  kryera  gjatë  viteve  1998-1999  në  Kosovë. Zyrtarët  vendorë  dhe  ndërkombëtarë  të  angazhuar  nga  ICG  dhe  KMDLNJ,  gjatë  periudhës  kohore  korrik  -dhjetor  të   vitit  1999,  kishin  marrë  më  shumë  se  500  deklarata  nga  qytetarët  si  dëshmi  për  krimet  serbe  të  kryera  në  komunën  e  Deçanit. Pos  deklaratave  ishin  siguruar  edhe  foto,  të  dhëna  statistikore,  gjurmë,  incizime  të  ndryshme  si  dëshmi  të  krimeve  mbi  popullatën  civile. Këto  dëshmi  janë  mbledhur  pothuajse  në  tërë  teritorin  e   Deçanit ( Juniku  ishte  pjesë  teritoriale  e  Deçanit  deri  në  vitin  2008). Të  gjitha  dëshmitë  me  kohë  qenë  përkthyer  në  gjuhën  angleze “ (Po  aty,  fq.  VI-VII). 

  Në  kapitullin   e  parë,  autori  ofron   informacione  për  Deçanin  në  rrafshin  gjeografik- historik  dhe  demografik  të  paraluftës.

   Në  kapitullin  e  dytë  ,  autori  e  fillon  me titullin,  Deçani  në  flakët  e  luftës  – sulmi  në  familjen   e Hilmi  Haradinaj-t. Ky  sulm  ndodhi  më 24  mars  1998  në  Gllogjan,  rënia    në  altarin  e  lirisë : Agron  dhe  Gazmend  Mehmetaj  dhe  Himë  Haradinaj,  si  dhe  odiseada  e  115  nxënësve   në  shkollë  dhe heroizmi   i    dy  mësuesve   në  mbrojtje  të  nxënësve. Krahas  këtij  sulmi,  fillon  mobilizimi  dhe  qëndresa  e  djemve  të  kësaj  ane,  furnizimi  me  armatim  nga  Shqipëria,  rënia  në  pritë  e  shumë  luftëtarëve,  si  dhe  sulm  pas  sulmi,  betejë  pas  beteje  gjatë  atij  viti. Operacionet  serbe    nuk  kursyen    as  përdorimin  e  raketave  tokë-tokë,  verës  së  vitit  1998,  ndërsa  dëbimi  i  popullatës  së  fshatrave  të  asaj  ane  drejt   Shqipërisë  dhe  Malit  të  Zi,  nuk  kishte  të  ndalur. Dëshmitë  dhe  rrëfimet   e  këtyre  banorëve  janë  tmerrësisht  makabre. As  marrëveshja  Hollbruk-  Millosheviç  në  tetor   të  vitit  1998,  nuk  solli   ndërprerjen  e   dhunës, pos  që  bota  vendosi  Misionin  Civil  Ndërkombëtar – Vëzhgues. Makineria  vrastare  serbe  vazhdonte  vrasjet,  represaljet,  dhunën  fizike,  dhunën  psiqike,  përdhunimet  seksuale, plaçkitjet  karshi   këtij  Misioni.

  Kapitulli  i  tretë   përfshin  një  vit 1999  të  krimeve  monstruoze-makabre,  që  nuk  njeh  historia. Dhuna  shtrihet  në  çdo  fshat,  në  çdo  familje,  sidomos  pas  bombardimeve  të  NATO-s  më  24  mars  1999. Nuk  mund  të  harrohen  masakrat  në  Irzniq  më  24 mars  1999.  “ Edhe  në  varr  do  të  më  kujtohet  tmerri  i  saj  dite”,  rrëfen    i  mbijetuari,  Ahmet  Dervishaj (1941), (po  aty. Fq.91).Po  ashtu,  tmerr  të  tillë  përjetoi  popullata  në  Masakrën  e  Belegut, (29.03.1999),  ku  në  mes  shumë  deklaratave  tmerruese  zgjodhëm :  “  Kam  dëshmuar  tri  herë  para  Tribunalit  Ndërkombëtar  të Hagës  për  krimet  serbe  të  kryera  në Beleg “,  rrëfen  i  mbijetuari  Mehmet  Mazrekaj (1944) , ( po  aty,  fq.100). “  Thotë  se  në  tri  rastet    ka   rrëfyer  hollësisht  për  vrasjen  dhe  zhdukjen  e  40  personave”, (fq. 100). Përderisa  forcat  e  NATO-s  bombardonin  caqet  ushtarake-serbe,  forcat   vrastare  kryenin  masakër  pas  masakre,  si  ajo  e  Strellcit,  më  30  mars  1999,  që  mori  jetën  e  7  personave,  ndërsa  Masakra  e  Lubeniqit,  1  prill 1999,  është  masakër  që  nuk  harrohet  lehtë.

“ Gjashtëdhjetë  persona  mbetën  të  vdekur,  ndërsa  nëntë  ishim  me  fat. Ndërsa  ishim  të  plagosur,  megjithatë  mbetëm  gjallë” ,  rrëfen  i  mbijetuari  Xhevdet  Selim  Aliçkaj ( 1962), (po  aty, fq. 121).

  Vlen  të  theksohet  se  secila  dëshmi  në  këtë  libër  paraqet  trishtim  në  vete. Muaji  prill  dhe  maj,  1999  ishin  dy  muajt  më  rrënqethës  për  popullatën  e  asaj  ane. Edhe  fshati  Shaptej  përjetoi  krime  makabre,  ku  u  vranë    dhjetëra  persona,  u  zhdukën  ,  u    dhunuan  seksualisht,  u  djegën  kufomat,  disa  i  hodhën  edhe  në  puse,  vetëm  e vetëm  për  t’ua  humbur  gjurmët! “ Data  9  maj  i  vitit  1999,  shënon  ditën  kur  paramilitarët  serbë  dhe  një  civil   nga  fshati  Dobrixhë  ekzekutuan  tre  vëllezërit  e  mi: Shemsiun, Bajramin  dhe  Azemin   si  dhe  kushëririn  tonë,  Rifatin. Të  nesërmen   tre  burra  nga  fshati  shkuan  për  të  marrë  lejen  e  policisë,  për  varrimin  e   vëllezërve,  dhe  kushëririt  tim,  por  ata  nuk  u  kthyen  më : Lan  Dobraj ( rapsod  i  njohur), Ukë  Beqiraj  dhe  Bekë  Muslijaj,  shkuan  në  Shaptej  që  të  bëhen  “ kurban”  i  vëllezërve  të  mi”, rrëfen  Osman  Ukë  Muslijaj, (1960), (po  aty.fq  186).

   Kapitulli  i  katërt,  shënon  kapitullin  më  të  ndjeshëm  të  tërë  librit,  thuaja,   përdhunime  seksuale  të  motrave,  nënave  shqiptare! Ata  kriminelë  kanë  emër  dhe  mbiemër. Këtu  lexojmë  deklaratat  më  të  trishta  të  të  dhunuareve,  të  shkruara  me  code,  deklarata  dhënë  para   zyrtarëve  të  huaj; D-1  deri  me  D-23.  “ Pasi  më  plaçkitën,  na  detyruan  të  zhvishemi   para  tyre. Me  bajonetë  të  mitralozit  m’i  shqyen  rrobat  duke  më  zhveshur    tërësisht”ka  treguar  D-2” ( fq. 190).  “ Kriminelët  serbë,  të  udhëhequr  nga  Zoran  Gjurishiq   dhe  Vula  Miriçic,  pos  që  na  i  vranë  burrat  dhe  fëmijët,  edhe  na  dhunuan. Ata  na  kërcënonin  me  armë  se,  do  të  na  vrisnin,  nëse  nuk  bëheshim  të  dëgjueshme,  që  t’i  shfryenin  epshet  e  tyre” ,   rrëfen  e  dhunuara  D-7” (po  aty,  fq. 192).  Secila  deklaratë  e   të  dhunuareve  me  forcë  dhe  kërcënim   për  vrasje,  vajza  dhe  nuse  të  reja  nga  D-1 deri D-23,  janë  më  të  trishta  se  njëra-  tjetra.

 Në  kapitullin  e  pestë,   autori  na  jap  informacione  për  Junikun  si  fshat  më  i  njohur  në  histori,  kujtojmë  Kuvendin  e  Junikut (1918-1924),  si   dhe  vizita  e  Hollbrukut  në  Junik,  ndërsa  më  13  gusht   2008  u  certifikua  si  komunë. Edhe  junikasit   përjetuan  skena  tragjike: vrasje,  djegie,  zhdukje,  përdhunime   seksuale,   dëbime… Nga  data  14  -27  prill 1999,  Meja  paraqet  vendin  e  krimit  dhe  të  tmerrit  për  junikasit  “ Me  të  mbërritur  në   Mejë,  serbët  i  ndanë  rreth  400  burra  të  moshës  15-50  vjeç.  Të  cilët  i  rrahën  me  shkopinj  dhe  me  bishta  puhkësh duke  i  detyruar  t’i  vendosin  duart  pas  kokës. Disa    nga  personat  e  rrëmbyer  ishin : burri  im, Agim  (Hasan) Shehu,  Ismet  (Hasan  ) Shehu,  Bujar  (Beqë) Sheu,  Beqir (Muharrem)  Nimanaj,  Nexhat (Beqir) Nimanaj  dhe   Shani  Fazliu”-  dëshmi    e  mbijetuarës,  Florije   (Islam) Shehu, (1978),  (po  aty, fq. 229) 

Ndërsa  në  kapitullin Shtojcë,  prapë  gjëjmë  varreza  masive,  pusat  e  vdekjes ,  duke  provuar  humbjen  e  gjurmëve  të  krimeve. Prapë  pas  çlirimit  na  vizitojnë   vdekjet  ,  plagosjet,  humbjet  e  gjymtyrëve:  duar,  këmbë,  sy, duke  ç’minuar  minat  e  vendosura    nga  armiku . Në   kapitullin  e  parafundit,  autori  vendos  një   listë  -literaturë   e  përdorur   dhe  burime  tjera  të  bollshme,  që  dëshmojnë  me  fakte  krimet  e  kryera  nga  pushtuesi.

Në  fund    të  librit,  Foto  Albumi,  është  edhe  një    dëshmi  e  rrënqthshme  e  të  vrarëve  në  mënyra  të  ndryshme,  djegia  e  shtëpive,  kufoma   të  karbonizuara,  kufoma  të  gjetura  në  puse,  si  dhe  tubime  përkujtimore  pas  luftës…

                                                            ( Përfundim)

Ky  libër   paraqet  një  peshë  dhe  vlerë  të  veçantë  për  drejtësinë    dhe  lexuesit,  ngase  dëshmitë    i   janë  ofruar  Misionit  të    zyrtarëve  Ndërkombëtarë  të   ICG dhe  KMDLNJ,   nga  të   mbijetuarit- mbijetuarat,    nga  ata –ato  që  panë,  përjetuan   dhe  shpëtuan. Në  shumicën   e   dëshmive  figurojnë  emrat   e  kryersve  të   krimit. Autori  ka  përdorë  literaturë   të  bollshme  nga  libra  të  tjerë  të  ngjajshëm  publicistikë  dhe  nga  interneti. Libri  është  i  pasuruar  në  brendësi  edhe  me  fotografi-dëshmi, si dhe  formulari  i  intervistës,  forma  e  intervistës  lidhur  me  krimin;  llojin  e  krimit,  datën,  vitin,  vendin,  autorin  e   krimit  nëse  e  njeh  dhe  detaje  e  të  dhëna  të  tjera  me  interes. Ky  libër  është  një  dëshmi  e  fortë   për  organet  e  drejtësisë   ndërkombëtare  dhe  vendore   për  zbardhjen   e  krimeve  dhe  dënimin  e  atyre  që  kryen  krime  në  këtë  anë  dhe  në  mbarë  teritorin  e  Kosovës. Autorët  e  krimeve  duhet  dënuar,  ndryshe  familjarët  e  viktimave  kurrë  s’do  të  kenë  qetësi  sa  të  jenë  gjallë,  sa  të  jetë  jeta-  jetë. E,  kush  nuk  do  ta  quajë  këtë  libër  Monument  i  Shkruar ,  që  ruan  dëshmi,   gjak-dhimbje?!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …