Mazreku: Po shkojmë drejtë tregut 500 milionësh

Dr. Sami Mazreku

Ndryshimet e ndodhura gjatë viteve të fundit në industrinë e sigurimeve janë garanci për zhvillim të mëtutjeshëm të tregut të sigurimeve, i cili brenda një dekade mund të arrijë shumë lehtë kulmin prej 500 milionësh, nga rreth 130 milionë euro sa është mbyllur viti që lamë pas.

Pesëmbëdhjeta vitet e para të tregut të pasluftës kanë shërbyer për krijim dhe konsolidimin e tregut, 5 vitet e fundit mund të themi lirshëm se janë vite të zhvillimit dhe ndryshimit, derisa 10 vitet e ardhshme janë vite kur Industria e sigurimeve pritet të arrijë kulmin e zhvillimit.

Vitin 2022 sektori i sigurimeve në vend e mbylli me stabilizim të plotë të kompanive si asnjëherë më parë, një rritje të dukshme të tregut, rritje të profitit, por më e rëndësishmja është rritje e besimit tek opinioni publik.

Nëse i referohemi të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se në vitin 2018 nga 21.8 milionë euro sa ishte mungesa e kapitalit, në vitin 2022 ka rënë në zero. Gjithashtu, mungesa e aseteve të pranueshme në mbulim të provizioneve teknike nga 16.2 milionë euro sa ishte me 31 dhjetor 2018 ka rënë në zero. Nga gjithsej 12 sigurues Jo-Jetë sa operonin në Kosovë në vitin 2018, gjashtë prej tyre kishin mungesë të kapitalit, derisa aktualisht asnjë sigurues nuk ka mungesë kapitali. Nga gjithsejtë 12 sigurues Jo-Jetë sa operonin në Kosovë në vitin 2018, pesë prej tyre kishin mungesë të aseteve të pranueshme në mbulim të provizioneve teknike, ndërsa tash asnjë nuk ka mungesë të aseteve të pranueshme për mbulim të provizioneve teknike.

Rritja shumë e shpejtë dhe e shëndoshë e tregut të sigurimeve vullnetare po ndodh falë një angazhimi të madh të drejtorëve të kompanive të sigurimit, por edhe falë angazhimit që të gjithë së bashku kemi bërë në sensibilizimin e opinionit rreth rëndësisë që ka një policë e sigurimit.

Fatkeqësisht deri në këtë kohë, shumica e njerëzve me të cilët kemi biseduar gjatë qindra fushatave, kampanjave, tryezave vetëdijesuese etj., policën e kanë cilësuar vetëm si një letër të thjeshtë, derisa sot pas pesë vitesh situata është thuajse krejtësisht tjetër. Me një fjalë, angazhimi i përbashkët po jep rezultatet që ne kemi parashikuar me kohë se do të ndodhin.

Situata shumë lehtë mund të mos ishte kjo që e kemi tash pa një angazhim të madh të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, i cili ka bërë të pamundurën për rregullimin e tregut të sigurimeve në vend. Kur ka ardhur në ketë pozitë ai vetës ia kishte vënë këtë mision, që në përfundim të mandatit rezultatet janë 100 % të dukshme.

Puna dhe angazhimi shumë i madh i guvernatorit Mehmeti është siguri për reforma të mëtutjeshme të tregut, dhe më e rëndësishmja është  se ata që marrin vendimet kanë kuptuar se nga reformat nuk fiton Banka Qendrore, por pikërisht kompanitë që ata drejtojnë.

Gjatë viteve të fundit, përveç rolit menaxhues kam pasur një angazhim direkt në ndryshimin e sektorit, ku kam pasur përkrahjen edhe të Agim Elshanit, i cili gjithashtu mund të cilësohet si një promotor i ndryshimeve dhe reformave të shumta që janë bërë në Industrinë e sigurimeve në vendin tonë.  Elshani ka vizion, ka forcë dhe besim për të vazhduar edhe më tutje rrugën që kemi nisur, zhvillimin e tregut të sigurimeve sikurse në shtete të zhvilluara evropiane.

Reformat dhe dinamika e madhe e punës ka dhënë rezultate të dukshme edhe në Byronë Kosovare të Sigurimit, një institucion i cili merret si model për menaxhim jo vetëm në Kosovë por edhe më larg. Me përkrahjen e drejtoreve të kompanive të sigurimit do të vazhdojmë edhe më tutje.

Pra, angazhimi i përbashkët ka një qëllim të vetëm, anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër. Ne besojmë se kjo kërkese e jona do të realizohet në një të ardhme të shpejtë sepse kemi bërë punën për t’u anëtarësuar në një Institucion të tillë.

Pra, në një kohë rekorde kemi mbyllur mbi 10 mijë dëme, kemi kompensuar qytetarët në një afat të shpejtë kohor dhe numri i lëndëve që gjatë kësaj kohe kanë  shkuar në Gjykata mund të them se është fare i vogël për të mos thëne hiç.

Ashtu sikurse BKS-ja edhe kompanitë e sigurimeve në vend gjatë gjithë vitit që lamë pas kanë paguar demet për palët e dëmtuara në kohë thuajse reale, dhe për këtë merita e veçantë serish shkon për drejtorët e kompanive të sigurimeve.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë pesë viteve të fundit vlera e primeve të shkuara ka qenë 539 milionë euro, derisa vlera e dëmeve të paguara 260 milionë euro. Në vitin 2018 vlera e Primeve të shkruara Bruto ka qenë 92.1 milionë euro, derisa vlera e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimeve dhe BKS-ja ka qenë 42,9 milionë euro, apo 46 % e të hyrave totale gjatë vitit 2018. Gjatë vitit 2019 të hyrat nga Primet e shkruara Bruto kanë arritur në 99,2 milionë euro, derisa vlera dëmeve të paguara ishte 47,9 milionë euro, ose mbi 48 % të hyrave totale të kompanive. Edhe në vitin 2020 kompanitë e sigurimeve në Kosovës në emër të Primit kishin inkasuar 99,3 milionë euro, derisa dëme kishin paguar mbi 46 milionë euro, apo mbi 46 % të të hyrave të përgjithshme të kompanive. Po ashtu, në vitin 2021 kompanitë e sigurimeve në emër të Primit të shkruar Bruto kanë pasur të hyra prej 117,4 milionë euro, derisa këtë vit dëme kishin paguar në vlerë prej 60,3 milionë euro, apo 51,36 % e të hyrave totale të kompanive të sigurimit në vendin tonë. Edhe në vitin 2022 është vlerësuar se të hyrat totale të kompanive të sigurimit kanë arritur pikën më të lartë deri më tash në 130,9 milionë euro, derisa vlera e dëmeve të paguara është 62,1 milionë euro, apo 47,44 % e të hyrave të përgjithshme të kompanive të sigurimit.

Vlera e dëmeve të paguara po rritet dukshëm nga viti në vit, derisa çmimi i policave të sigurimit nuk ka ndryshuar fare viteve të fundit. Nëse bëjmë një krahasim të pagesës së dëmeve në vitin 2022 me vitin 2016, shihet se vlera e dëmeve të paguara gjatë vitit që lamë pas është 68,74 % është më e lartë.

Pas një angazhimi të madh ne besojmë në rezultate të shkëlqyeshme. Besojmë se shumë shpejt me ritmin që janë duke u zhvilluar kompanitë e sigurimeve në vendin tonë do të ofrojnë produkte, shërbime sikurse të kompanive të shteteve të zhvilluara evropiane. Për 20 vite ekzistencë erdhëm deri këtu, unë besoj shumë se gjatë 10 viteve të ardhshme do të arrijmë atë që synojmë, do ta bëjmë një treg të sigurimeve rreth 500 milionë euro.

Kontrolloni gjithashtu

Tetë vjet më parë, Televizioni Dielli ka filluar transmetimin e programit kulturor, informativ, edukativ e arsimor

Sot TV Dielli shënon tetë-vjetorin e fillimit të transmetimit. Tetë vjet më parë,  më 11 …