Autoritetet më të larta të Republikës së Shqipërisë, bënë sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, në përkujtim të 75-vjetorit të Çlirimit të vendit. Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Erion Braçe, Erion Veliaj sot kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, në Tiranë. Duke u përulur me respekt para kujtimit të tyre, ata vendosën kurora me lule pranë Monumentit, “Nënë Shqipëri”.
Ky 75-vjetor e gjen Shqipërinë në një gjendje të rëndë pas goditjeve nga tërmetet, por edhe “tërmete” të tjera brendshme politike të krerëve të vendit. Po kështu, në Shqipëri gjithnjë e më tepër po lajmërohen mohues, denigrues e përçmues të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. E djathta politike në Shqipëri (me origjinë nga Partia e Punës) po bën përpjekje t’i rehabilitojë përfundimisht forcat balliste, kolaboracioniste. E djathta e quajtur demokratike ka vendosur në Tiranë bustin e mbretit Zog, ndërsa është hequr çdo gjurmë fizike e prijësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, me emrin e të cilit lidhet ngushtë lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe 45 vjet të çlirimit dhe nderimit të Shqipërisë.