leoni

MBAHET AKTIVITETI NË SHËNIMIN E 23-VJETORIT TË ZHDUKJES SË PROFESORIT UKSHIN HOTI

Nën organizimin e Komunës së Rahovecit, në praninë e familjarëve të Ukshin Hotit, bashkëvendësve dhe bashkëveprimtarëve të shumtë, në Shtëpinë Muze, mbahet aktiviteti në shënimin e 23-vjetorit që kur u pa për herën e fundit, profesori i shquar, politologu dhe luftëtari i paepur i çështjes shqiptare, Mr. Ukshin Hoti. “Ai  nuk ishte vetëm profesor, ai ishte një intelektual jokonformist që rebelohej pa menduar për pasojat ndaj padrejtësive. Braktisi pozitat dhe shkoi në burg, nga Universiteti i Harvardit u kthye në Krushë të Madhe, në kohën kur nevoja për njerëz si ai ishte më e madhe se asnjëherë më parë. Mendja brilante e Ukshin Hotit ishte bërë kërcënim për pushtuesin shtypës, që donte zhbërjen e kombit shqiptar në Kosovë. Prandaj, jo rastësisht, ai u shënjua si armik i sistemit”-u shpreh Kryetari Latifi, duke çmuar lartë figurën komplekse dhe veprimtarinë e profesorit Ukshin Hoti. Ndërsa Ramush Haradinaj, në fjalimin e tij përshëndetës tha se: “ Para figurës dhe madhështisë së Ukshin Hotit, jemi të gjithë të vegjël, por, marr guximin të them se Ukshin Hoti ishte dhe mbetet figura më rrezatuese në zërin moral të shoqërisë shqiptare. Të përulur me respekt, në shtëpinë muze të Ukshin Hotit, kujtojmë intelektualin, kryengritësin, rrezatuesin mbi injorancën dhe njeriun që formësoi mendimin politik shqiptar, promovoi etikën në politikë dhe mbetet shembull për elitat politike të shqiptarëve”. Haradinaj në nderim dhe respekt të veprës së tij jetësore ndau medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”. Ndërsa Andin Hoti, djali i profesor Ukshin Hotit, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, duke u shprehur se “Në ditë si kjo, ju ndihmoni në lehtësimin e dhimbjes, sepse jo vetëm për ne si familjarë të Ukshin Hotit, por, për secilin që akoma ka familjarë të pagjetur,  lufta ende nuk ka përfunduar”. Andin Hoti po ashtu falënderoi Institucionin e Komunës së Rahovecit, Kryetarin Latifi dhe stafin për angazhimin e tyre të parezervë në kujtimin dhe dokumentimin e fakteve që kanë të bëjnë me Ukshin Hotin. Andin Hoti bëri thirrje për ngritjen e zërit në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, si plaga më e madhe e këtyre 23 viteve. Të pranishmit vizituan Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit dhe më pas bën nderime para bustit të tij.

Mund të jetë një imazh i 4 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …