Komuna e Hanit të Elezit ka vazhduar me takimin e dytë publik lidhur me Planifikimet Buxhetore për vitet 2022-2024 me banorët e fshatit Krivenik. Shabi Rexhallari, Drejtor për Buxhet dhe Financa elaboroi planifikimin e buxhetit për vitet 2022-2024 për komunën e Hanit të Elezit të ndarë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sipas kufijve final buxhetor, ku theksoi se buxheti për vitin fiskal 2022 do të jetë në lartësi prej 2,759,758€, ku nga ky buxhet shpërndarja është si vijon: në paga dhe shtesa kemi 1,756,083€, për mallra dhe shërbime kemi 385,975€, për shpenzime komunale kemi 67,700€, për subvencione dhe transfere kemi 80,000€, si dhe për investime kapitale buxheti do të jetë në shumë prej 470,000€. Ndërkaq ai tha se buxheti për vitin 2022 në krahasim me vitin 2021 do të jetë më i madh për 239,592€ apo për 9.51%. Nga takimi i mbajtur të pranishmit në krye me administratorin e fshatit, parashtruan kërkesat buxhetore që kanë të bëjnë me infrastrukturë si: ndërtimin e kanalizimit, shtrim me kubëza betoni në disa rrugica, rregullim të prrockës për ujërat atmosferik, etj.