Mbahet dëgjimi i pestë publik me banorët e Vendbanimit të Hani i Elezit; Fshatrat: Dimcë, Laç, Pustenik, Lagjet: Lagja e Re, Rana, Uji i Thartë, Meliq; si dhe Organizatat e shoqërisë civile, Komitetet konsultative lidhur me planifikimin e buxhetit për vitet 2022-2024. Në hapje të takimit, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma theksoi rëndësinë e debateve publike lidhur me planifikimin e buxhetit për vitet 2022-2024. Ai tha se në rrethanat e kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit jemi detyruar që këto tubime ti realizojmë me numër të kufizuar të pjesëmarrësve, megjithatë është me rëndësi që të marrim propozimet e komuniteteve dhe të njejtat ti propozojmë kuvendit për miratim
Ndërsa Shabi Rexhallari, Drejtor për Buxhet dhe Financa e bëri një prezantim të shkurtër mbi planifikimin e buxhetit për vitet 2022-2024 për komunën e Hanit të Elezit të ndarë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sipas kufijve final buxhetor, ku theksoi se buxheti për vitin fiskal 2022 do të jetë në lartësi prej 2,759,758€, ndërsa parashikimet buxhetore për vitet 2023 do të jetë në lartësi prej 2,903,855€, respektivisht për vitin 2024 do të jetë në lartësi prej 3,039,398€. Nga ky buxhet që kemi për vitin 2022, shpërndarja është sipas pesë (5) kategorive ekonomike të shpenzimeve dhe atë si vijon: në paga dhe shtesa kemi 1,756,083€, për mallra dhe shërbime kemi 385,975€, për shpenzime komunale kemi 67,700€, për subvencione dhe transfere kemi 80,000€, si dhe për investime kapitale buxheti do të jetë në shumë prej 470,000€. Ndërkaq ai tha që buxheti për vitin 2022 në krahasim me vitin 2021 do të jetë më i madh për 239,592€ apo për 9.51%.
Ndërsa nga pjesëmarrësit u dhanë propozime dhe u parashtruan kërkesat e tyre buxhetore që kanë të bëjnë me infrastrukturë si rregullim të kanalizimeve atmosferike dhe fekale, rregullim dhe rihapje të disa rrugëve, si dhe propozime tjera në interes të komuniteteve.