Në Prishtinë të hënën u mbajt konferenca “Diaspora – Investimet dhe Punësimi” e organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, mbështetur nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar Gjermane (GIZ), Qendra Informative Gjermane për Migracion, Arsim dhe Karrierë (DIMAK), dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Diasporës, Programin Global për Migrim dhe Zhvillim (PME) dhe Qendrën për Migrim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (CIM).
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami e cilësoi këtë ngjarje të rëndësishme pasi që përmes saj diskutohen tema tejet të rëndësishme si rritja e investimeve dhe punësimi, objektiva të cilat do të realizohen nëpërmjet intensifikimit të bashkëpunimit me diasporën tonë e cila ka qenë një kontribuese e pakursyer në të gjitha zhvillimet për të cilat ka kaluar vendi ynë të cilat do të realizohen përmes investimeve në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. “Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se diaspora jonë e fuqishme paraqet një potencial të jashtëzakonshëm e cila ashtu si çdoherë edhe tani është e gatshme për të ndihmuar në procesin e zhvillimit ekonomik dhe tranformimin e vendit tonë drejt një shoqërie të prosperuar” theksoi Bajrami.
Ministrja potencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës që nga marrja e mandatit, ka filluar një proces të rëndësishëm të reformave strukturore të cilat kanë për qëllim përmirësimin e mjedisit afarist në vendin tonë dhe rritjen e investimeve nga jashtë. “Në këtë proces kemi qenë mjaft transparent dhe kemi ofruar hapësirë të madhe bashkëpunimi komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile. Gjatë këtij viti kemi punuar shumë në përmirësimin e legjislacionit, kemi krijuar politika më të favorshme fiskale, kemi punuar shumë në mënjanimin e barrierave administrative dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për biznese” u shpreh ajo.
Sipas saj fillimi i implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, përveç që ka hapur mundësi të reja për kompanitë kosovare e shndërron Kosovën në një vend më atraktiv për investitorët për shkak se ata tashmë e shohin vendin tonë si pjesë integrale të një tregu të madh që ofron shumë mundësi për punë dhe afarizëm. Po ashtu, ministrja Bajrami theksoi se themelimi i Fondit për Garantimin e Kredive paraqet një sukses të radhës, sepse ky fond do të lehtësojë qasjen në financa të bizneseve të vogla dhe të mesme duke u krijuar atyre mundësi që të konsolidohen dhe të shtojnë veprimtarinë e tyre afariste si dhe të rrisin numrin e të punësuarve.
Një e arritur tjetër e cila do të ketë ndikim tejet të madh në tërheqjen e investimeve të huaja direkte është Ligji për Investime Strategjike, i cili është aprovuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës. “Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, legjislacioni i Kosovës i ndërlidhur me investimet strategjike do të përafrohet me legjislacionin e vendeve tjera në regjion dhe njëkohësisht do të eliminohen shumë pengesa të cilat e kanë frenuar ardhjen e investitorëve” tha ajo.
Ministrja Bajrami, ndër tjera, tha se ne jemi të interesuar që kontributi i madh i diasporës të mos dominohet nga remitencat por të shkojë në investime të cilat rrisin punësimin e qytetarëve si dhe sjellin përfitime për investitorët nga diaspora. “Zgjerimi i afarizmit të bizneseve nga diaspora në Kosovë, përveç sjelljes së kapitalit të freskët në ekonomi është shumë i rëndësishëm sepse sjell transferin e përvojës moderne menaxheriale dhe teknologjike e cila do t’i jap një kualitet të ri afarizmit në Kosovë duke e bërë ekonominë e vendit tonë konkurrente me ekonomitë tjera gjithandej Evropës” u shpreh ajo.
Në fund ministrja Bajrami, falënderoi të gjithë partnerët për punën organizative të kësaj konference e cila do të plotësohet nesër edhe me një panair pune i cili do t’iu ofrojë mundësinë kompanive vendore të takohen dhe të forcojnë bashkëpunimin dhe partneritetin me investitorët nga diaspora.