Është mbajtur “Lansimi zyrtar i Indeksit të Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2016 ku mori pjesë edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Kjo konferencë është organizuar nga OECD – Divizioni i Evropës Jug-Lindore, Komisioni Evropian dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Qendrën Evropiane për Trajnim (ETF) dhe Qendrën e Evropës Jug-Lindore për Mësim të Ndërmarrësish (SEECEL).
Ministrja Bajrami, në fjalën e saj, theksoi se kjo konferencë është mundësi e mirë që të diskutojmë për këtë tematikë tepër të rëndësishme sidomos për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e cila po avokon me gjithë kapacitetin për të drejtat e të gjithë ndërmarrësve, si ata që vijnë nga vendet tjera por edhe ata nga vendi. Ne jemi të interesuar që t’i shkëmbejmë në baza të rregullta pikëpamjet tona sa i takon ndërtimit të një ekosistemi sa më të përshtatshëm për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Kosovë, nënvizoi ministrja.
Ajo vlerësoi se Indeksi i Politikave për NVM-të, i hartuar nga OECD dhe partnerët tjerë, është shndërruar tashmë në një dokument të rëndësishëm i cili na ndihmon si Qeveri e vendit që t’i shohim fushat në të cilat kemi shënuar përparime në reformat tona si dhe fushat në të cilat duhet të punojmë akoma më shumë për të shënuar rezultate.
Raporti ka nxjerrë në pah se Kosova ka shënuar përparime të dukshme në disa dimensione të rëndësishme sa i përket zhvillimit të NVM-ve, dhe shtoi se jemi të përkushtuar që rrugën tonë për krijimin e një ambienti më të favorshëm për zhvillimin dhe fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do ta çojmë përpara pa u ndalur.
Ministrja theksoi se ky Indeks u shërben edhe ndërmarrjeve por edhe asociacioneve të biznesit, dhe me këtë rast i ftoi ata që ta analizojnë atë me vëmendje, sepse rezultatet e tij i ndihmojnë komunitetit të biznesit që të jetë sa më konkret në kërkesat e tyre për reforma dhe ndryshim të politikave të cilat çojnë drejt përmirësimit të kushteve për të bërë biznes.
Më tutje, Bajrami nënvizoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, tashmë po punon në implementimin e pakos së dokumenteve strategjike të cilat i kemi aprovuar vitin që shkoi, si: Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Programi i Reformave Ekonomike, Plani për Zbatimin e MSA-së, etj, të cilat janë projekte të sinkronizuara ku fokusi kryesor i tyre është sektori privat dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Ne si Qeveri jemi optimistë dhe kemi arritur të vendosim një trend pozitiv të zhvillimit ekonomik në vend i cili do të vazhdojë të jetë akoma më i fuqishëm në periudhën vijuese, tha në fund ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami.