Është mbajtur Konferenca Regjionale me përfaqësuesit e nivelit të lartë të qeverive nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për të miratuar Udhërrëfyesin Rajonal mbi Anti-korrupsion dhe Financat e Paligjshme. Në këtë ceremoni, nga Republika e Kosovës të pranishëm ishin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu shprehu përkushtimin për hapat konkret në drejtim të luftës kundër-korrupsion duke theksuar se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, është njëri ndër top prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, për çka edhe kishin fituar mbi 50% të besimit të qytetarëve në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti. Ndër të tjera, Haxhiu veçoi miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe hartimin e projektligjit, kompletimin dhe miratimin e pakos ligjore kundër-korrupsion, zhvillimin e procesit të vettingut si një hap i rëndësishëm në rritjen e integritetit dhe besimit në sistemin e drejtësisë si dhe hapat tjerë konkret të cilat do t’i ndërmerr Ministria e Drejtësisë në drejtim të shtimit të kapaciteteve profesionale dhe njerëzore në drejtim të adresimit të luftës kundër-korrupsion. Në anën tjetër, Sveçla, në fjalën e tij deklaroi se sundimi i ligjit dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit janë parakusht për një shtet të së drejtës dhe një shtet zhvillimor, prandaj ne jemi të qartë në vizionin tonë në këtë drejtim.