U mbajte mbledhja e radhës e këshillit të drejtorëve të Komunës së Rahovecit, mbledhje kjo e cila mbahet çdo të hëne ku nga drejtorët raportohet për punët të cilat janë kryer gjatë javës që lamë pas dhe për planet dhe punët të cilat do të kryhen në ditët në vijim.
Mbledhja u drejtua nga kryetari i Komunës së Rahovecit z. Idriz Vehapi, të pranishëm ishin z. Xhemali Haxhimustafa nënkryetar i komunës dhe drejtorët e drejtorive komunale. Fillimisht, kryetari Vehapi, kërkoj nga të gjithë drejtorët që zotimet për mjete financiare për projektet që janë në vazhdim dhe projektet të cilat janë planifikuar të realizohen gjatë vitit 2016, të bëhen sa më shpejtë që të mos ketë ndonjë vonesë të panevojshme.
Në raportin e tij Muhamet Behra, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, raportoi për projektet të cilat i ka kjo drejtori dhe tha se kompanisë projektuese i kemi dhënë detyrat që të përgatisin projektet për rrugët Drenoc-Zatriq , Rahovec-Pataqan i Poshtëm, Pataqan i Poshtëm –Lagjja Bellaqa, Retij-Mamushë dhe Ratkoc-Babofc. Drejtori Behra raportoi edhe për fillimin e punëve për fazën e fundit në projektin e kanalizimit fekale në fshatin Pastaselë.
Feim Fetoshi, drejtor i DBZhR-së raportoi për fillimin e aplikimit nga ana e bujqve për subvencionet të cilët jepen nga MBZhR-ja. Me stafin i cili është angazhuar në këtë proces besojmë se do të menaxhohet mirë fluksi i bujqve të cilët vijnë për të aplikuar.
Gardalin Shtavica, drejtor i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport, tha se janë publikuar nga MKRS-ja edhe projektet të cilat do të mbështetën nga kjo ministri dhe sipas publikimit del se do të mbështeten festivali “Anadrinia Jehon”, “Festa e Rrushit”, “festivali i poezisë” dhe “Kolonia e Artistëve”.
Kryetari Vehapi, kërkoj nga drejtori për Shërbime Publike që të shikohet mundësia e rregullimit për furnizim me ujë të pijes për fshatrat Guri i Kuq dhe Polluzhë. Po ashtu në këtë mbledhje, kryetari kërkoj nga DSHP, që të bëhet një zgjidhje edhe për deponime ilegale të mbeturinave të ngurta e cila është në hyrje të qytetit të Rahovecit në aksin rrugorë Rahovec- Malishevë.