Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe turizmit në Ferizaj në bashkëpunim me organizatën “Women for Women” sot në ambientet e komunës së Ferizajt, kanë organizuar një takim informues me grat afariste të komunës së Ferizajt. Qëllimi i takimit ishte për mundësit që ofron organizata “Women for Women” për të gjitha grat të cilat dëshirojnë të merren me biznes. Kushtrim Shehu përfaqësues i organizatës “Women for Women” tha se gjatë këtij viti pritet të përfitojnë trajnime dhe grante 540 gra nga rajoni i Prishtinës dhe Ferizajt. Ai para të pranishmëve shpjegoi për procedurat dhe kriteret të cilat duhet të plotësojnë gratë të cilat dëshirojnë të jenë përfituese nga skemat e kësaj organizate. Drejtori i Zhvillimit Ekonomin dhe Turizmit z. Balton Derguti me këtë rast tha se Komuna e Ferizajt do të jetë në shërbim të bizneseve duke informuar ato për të gjitha mundësit të cilat ofrojnë organizatat e ndryshme për biznese. “Është platformë e qeverisë së Kryetarit të Komunës së Ferizaj Agim Aliu fuqizimi i grave në biznes, e lidhur me këtë ne jemi duke implementuar programin e tij. Siç jeni të informuar tash më, komuna e Ferizajt ka subvencionuar (40) biznese të grave me grante dhe do të vazhdojmë t’i i përkrahim edhe bizneset e tjera në vazhdim”, ka thënë drejtori Dërguti.