Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është mbajtur takimi mes përfaqësuesve të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Lulzim Fushtica, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe delegacionit nga Republika e Shqipërisë, të udhëhequr nga Drejtoresha e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, pranë Zyrës së Kryeministrit, Lejdi Dervishi. Në këtë takim u diskutua për metodat që janë duke përdorur të dy shtetet sa i përket ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, mundësitë e koordinimit të veprimeve të të dy vendeve për parandalimin e këtij fenomeni. Me theks të veçante u diskutua për de-radikalizmin e personave të radikalizuar, qasjen që janë duke përdorur të dy vendet, në kthimin në jetën normale të këtyre personave dhe risocializimin e tyre, si një ndër metodat esenciale për kthimin e tyre në normalitet.
