Mbahet takimi i Shtabit Emergjent, diskutohet për 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit kanë marrë shërbime 187 banorë të komunë së Deçanit me simptoma të njëjta si shkak i helmimit nga uji i pijes. Kjo është bërë e ditur sot në takimin e Shtabit Emergjent ku i pranishëm ishte edhe i pari i komunës së Deçanit z.Bashkim Ramosaj, dhe të gjithë anëtarët e Shtabit Emergjent ku bashkë kanë diskutuar lidhur me situatën e krijuar në komunën e Deçanit dhe menaxhimin e sajë. Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare, Dr.Selmon Berisha, tha se krahasuar në 24 orët e kaluara kemi numër në rënie të pacientëve mund të themi se janë 65 pacient më pak që do të thotë se duke e menaxhuar mirë situatën, jemi në fund të kësaj gjendje dhe gradualisht po i kthehemi normalitetit. Berisha bëri të ditur se furnizimi me barëra është në nivelin e duhur falë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Deçanit, po ashtu dhe stafi mjekësor është në krye të detyrës duke falënderuar edhe infermierët e FSK-së të cilët gjatë tërë kohës janë afër pacientëve. Në anën tjetër kryetari Ramosaj, falënderoi të gjitha kompanitë dhe njerëzit e vullnetit të mirë për mbështetjen me kontingjente me ujë të pijes për qytetarët e komunës së Deçanit, bëri të ditur se 90℅ e qytetarëve tashmë janë furnizuar më ujë të pijes nga ekipet vullnetare dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim deri në stabilizim të kësaj gjendje. Ndryshe deri më tani është raportuar për mbi 1.501 pacientë të helmuar, e që shkaku i këtij infektimi, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sot del me këto rekomandime: Në vazhdën e hulumtimit epidemiologjik në terren ekipet e IKShPK-së kanë vazhduar kërkimin e shkaktarit të shpërthimit epidemik në komunën e Deçanit.

  1. Në mostrat e ujit të ujësjellësit të datës 13. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF, në laboratorët e IKShPK-së në Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie jo patogjene. Këto baktere mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm, kurse në kaptazhën e Drenocit janë izoluar vlera të shtuara të baktereve koliforme dhe E.coli.

Uji nga kaptazha e Drenocit deklarohet jo i pijshëm.

  1. Më datë 15 Korrik 2021 është bërë analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike e tri (3) mostrave të ujit të pijes nga rrjeti i ujësjellësit, i cili i furnizon fshatrat: Prilep, Irzniq, Gllogjan – Komuna e Deçanit (burimi i Gurrave të Hasanagës).

Në këto 3 mostra sasia e klorit rezidual është 0.00.

  1. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal, janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.

Rekomandime:

  1. Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësinë e të dhënave për pacientët.

  2. Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Mjedisor në identifikimin e kyqieve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.

  3. Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës së Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale.

  4. Të bëhet furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje të ushqimit.

  5. Pas rikthimit të ujit në rrjet rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri.

  6. Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin.

  7. Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal për të pamundësuar kontaminimin dhe për të parandaluar epidemitë hidrike.

  8. Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojnë nyjet e kanalizimeve dhe të gjejnë pikat e dobëta në rrjet ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike.

  9. Të ndalohet dhe ndërpritet rreptësishtë kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellësit.

  10. Të aplikohet respektimi i zonave të sigurisë.

  11. Të bëhet pastrimi me tretje hiperklorike i kaptazhave dhe rrjetit shpërndarës.

  12. Të bëhet instalimi i klorizimit të vazhdueshëm.

  13. Të realizohet monitorimi i sforcuar i ujit në të gjithë rajonin.

  14. Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …