Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (ACC) ka njoftuar se mbi 1 milion udhëtar kanë fluturuar nga dhe për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” thuhet në komunikatën e ACC-së.
“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021 kjo shifër shënon një rritje prej 95%, por krahasur me periudhën e njëjtë të vitit 2019, pra para pandemisë rritja është 25%. Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti, 275,770 udhëtarë kanë fluturuar nga dhe për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thuhet në komunikatën e ACC-së.
Në krahasim me muajin maj të vitit 2021, sipas ACC–së kjo shifër tregon një rritje prej 91% ndërsa në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2019 rritja është 41%. Ndryshe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është në mesin e 100 aeroporteve më të ngarkuara në Evropë.
Dy aeroporte në Ballkan janë renditur ndër 100 më të ngarkuarit në kontinent, sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve për Evropën (ACI).
Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, hyri në top 100 për herë të parë, duke u pozicionuar si i 88-ti më i ngarkuari me 2 milion e 176 mijë e 36 udhëtarë të trajtuar.
Këtë vit, Aeroporti i Prishtinës ka shumë gjasa të regjistrojë më të ngarkuarin në histori dhe të kapërcejë rezultatet e tij para pandemisë.
Aeroporti i Splitit, si i treti më i ngarkuar në ish-Jugosllavi, u rendit pak jashtë listës 100-të, si i 103-të. Ai u pasua nga Zagrebi, i cili u pozicionua në vendin e 112-të, ndërsa Shkupi ishte në vendin e 113-të. Dubrovniku ishte aeroporti i 129-të më i ngarkuar i Evropës, ndërsa Sarajeva i 132-ti. Aeroporti i Lubjanës, i cili ra jashtë dhjetëshes më të ngarkuar në ish-Jugosllavi në vitin 2021, ishte i 154-ti më i ngarkuar në Evropë, pak pas Aeroportit Sinop në Turqi dhe përpara Aeroportit Rennes në Francë. Siç është raportuar më parë, aeroportet në ish-Jugosllavi trajtuan një total të kombinuar prej pak më shumë se 14.8 milionë pasagjerë në vitin 2021, 97.3% më shumë se një vit më parë, por ende 49.7% në rënie nga periudha e para-pandeminë (2019).
Stambolli u bë aeroporti më i ngarkuar i Evropës në vitin 2021, i ndjekur nga Moska Sheremetyevo, Paris Charles de Gaulle, Amsterdam dhe Moska Domodedovo. Me një rënie prej 34,6% të numrit të udhëtarëve në krahasim me vitin 2019, aeroportet jashtë Bashkimit Evropian tejkaluan ndjeshëm mesataren e kontinentit, e cila qëndroi në një rënie prej 64,6% të pasagjerëve në nivelet para Covid-19.
Tregu evropian më i prekur në vitin 2021 ishte Finlanda, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia, Republika Çeke dhe Irlanda.