Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar të hënën Ottilie Mooshofer, shefe e ekipit të projektit ”Rritja e konkurueshmërisë së sektorit privat në zonat rurale”, në kuadër të organizatës gjermane GIZ.
Ministri e uroi zonjën Mooshofer për detyrën dhe shprehi falënderim për mbështetjen që GIZ deri më tani ka dhënë dhe po jep për bujqësinë në Kosovë, në veçanti në promovimin e verës.
Ai foli për të arriturat e deritanishme në bujqësi, investimet që po bëhen nga MBPZHR-ja në shumë dimensione. Gjithashtu ai foli edhe për disa nga sfidat që ka sektori, e për të cilat po punohet që të tejkalohen.
Ministri vlerësoi se projektet e përbashkëta të GIZ-it dhe MBPZHR-së kanë dhënë rezultate të mira dhe shfaqi gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm, në veçanti në promovimin e verës nga Kosova në ngjarje të rëndësishme promovuese në botë.
Nga ana e saj, Ottilie Mooshofer falënderoi ministrin Krasniqi për bashkëpunimin e ofruar deri më tani në implementimin e shumë projekteve të përbashkëta dhe theksoi përkushtimin e saj që bashkëpunimi mes GIZ dhe MBPZHR të rritet.