Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kurtan Kajtazi, ka marrë pjesë në promovimin e shpargut/asparagut, që u mbajt në Prishtinë, ku pjesëmarrës ishin edhe kultivues të shpargut dhe drejtues të USAID-it në Kosovë.
Me këtë rast, zëvendësministri Kajtazi ka thënë se duke parë rëndësinë e kësaj kulture bujqësore, që nga ky vit, MBPZHR-ja ka filluar ta përkrahë kultivimin e asparagut përmes pagesave direkte me nga 300 euro për hektarë.
“Asparagu është një kulturë që ka leverdi të kultivohet dhe ne besojmë se prodhimi i saj do të rritet në vazhdimësi e bashkë me këtë do të rritet edhe interesimi për blerjen e asparagut vendor, që është më i mirë e më i freskët”, tha zëvendësministri Kajtazi.
Ai ka falënderuar USAID-in për mbështetjen që i ka dhënë bujqësisë dhe përmes bashkëpunimit që kanë pasur, zëvendësministri Kajtazi tha se kanë arritur të sjellin kultura të reja bujqësore, produkte të llojllojshme që e kanë pasuruar tregun me prodhime vendore.
Drejtues të USAID-it thanë se do të vazhdojnë të mbështesin këtë kulturë dhe kultura të tjera në Kosovë, në mënyrë që të rritet prodhimi dhe që konsumatori të blejë produkte vendore të freskëta.
Asparagu është një bimë barishtore, e cila në Kosovë kultivohet kryesisht në Pejë, Kastriot, Vushtrri, Mitrovicë, Lypjan, Burim, Prishtinë dhe Dardanë.