Në mbrëmjen e së premtes, në qendër të Parisit janë kryer 7 sulme të koordinuara terroriste,që lanë të paktën mbi 158 të vrarë nga mesi i popullatës civile. Në sallën e koncerteve “Bataclan”, gjatë një koncerti u vranë 118 persona, të cilët fillimisht u morën peng dhe më pas u ekzekutuan nga tre pengmarrësit. Më pas forcat e policisë ndrynë në sallë duke ekzekutuar pengmarrësit, ndërsa liruan pengjet e mbetur.
Të shtëna ka pasur edhe brenda restorantit “Petit Cambodge” në “Rue Bichat”, ku mbetën të vdekur 11 persona, ndërsa pak më vonë ndodhën dy shpërthime pranë stadiumit “Stade de France”, ku po zhvillohej ndeshja miqësore mes Francës dhe Gjermanisë. Policia franceze njoftoi se ka vënë në pranga 4 ekstremistë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me sulmet e së premtes. Dëshmitarët thanë se pengmarrësit kanë pasur të veshur jelekë antiplumb dhe nuk ishin të maskuar. Sipas dëshmitarëve, ata qëlluan me kallashnikovë AK47, si dhe hodhën edhe granata. Sulmi në sallën e koncerteve ka zgjatur më shumë se 15 minuta.