leoni

Mbrojtja drajfusiane e kërkesës “Kosova Republikë” në vitin 1982 nga i burgosuri, Nezir Myrtaj I

Analisti i mirënjohur, Nezir Myrtaj, veprimtar dhe i burgosur politik, redaktori i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës së UÇK-së,  pas shpalljes së aktgjykimit nr.69/82 të datës 10.7.1982, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ku ishte dënuar me 12 vjet burg, në mesin e Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës, kishte  shkruar një ankesë, drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës, në të cilën, nga qelia e Burgut,  ia ka çjerrë maskën regjimit titist dhe argatëve të tij, poltronë. Ankesa e protokolluar është ruajtur në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe botohet për herë të parë, pas 32 vitesh.

Ankesa si e tillë, nuk kishte të bënte me mbrojtjen e tij individuale, as me ankimime sa i përket shkallës së lartë të dënimit, as me dënimin si ndëshkim për veprimtarinë e tij dhe të Grupit Marksist Leninist të Kosovës, që cilit i takonte, por në radhë të parë ishte një akuzë e faktuar dhe e dokumentuar në të gjitha segmentet, drejtuar kundër regjimit okupator jugosllav dhe kundër fushatës, që ai regjim kishte ndërmarrë me qëllim, sikur thuhej zyrtarisht, “Shkatërrimit definitiv të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe çrrënjosjes së kërkesës për barazimin e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë”.

Lexuesit, të cilët tani do të kenë rast ta njihen me  këtë akuzë të shkruar në formë të ankesës zyrtare, do të shohin se cili ka qenë niveli i vetëdijes politike dhe intelektuale  i disa krerëve të Lëvizjes kombëtare të kohës, e cila ishte projektuar dhe përkufizuar si Grup Marksist Leninist i Kosovës dhe që realisht ishte grupi më i organizuar, më i konsoliduar dhe më i fuqishëm në pikëpamje intelektuale, ideologjike dhe revolucionare, që e kishte mbrojtur me fakte e argumente Lëvizjen  çlirimtare të Marsit e Prillit të vitit 1981, si  dhe domosdonë e krijimit të Republikës së Kosovës, duke u mbështetur mbi parimin e kombeve për  Vetëvendosje.

Kjo ankesë, (që në esencë është një analizë politike e  llojit të vet),  paraqet  dëshmitë autentike të kohës, të shprehura në formë akuze kundër regjimit shfrytëzues e shtypës jugosllav, kundër të gjitha intrigave, që kishte kurdisur dhe po i zbatonte kreu më i lartë i shtetit, në Beograd, me qëllim për ta shtypur jo vetëm kërkesën për krijimin e Republikës së Kosovës, por edhe çdo përpjekje tjetër, që kishte të bënte me çlirimin, barazinë dhe  bashkimin e shqiptarëve.

Tani, 32 vjet pas, në Kosovën tashmë të pavarur dhe të çliruar nga barbaria sunduese serbe, kjo ankesë na sjellë në kujtesë kohën kur disa atdhetarë dhe revolucionarë shqiptarë edhe brenda qelive të burgjeve nuk e kishin  ndërprerë për asnjë çast luftën për arsyetimin e kërkesës së  ligjshme dhe të natyrshme, për liri, drejtësi, barazi e vetëvendosje.

Ankesa është hartuar duke u mbështetur në parimet marsksiste-leniniste mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje dhe përgjithësisht duke u mbështetur në ideologjinë, të cilën në formë zyrtare e proklamonte edhe RSFJ dhe tërë blloku socialist-komunist i botës.

Kjo dëshmi autentike, ka vlerën e vetë historike të pacenueshme dhe të pamohueshme, pavarësisht nga  këndi i interpretimit ideologjik. Në të janë pasqyruar qartë kontradiktat e thella klasore në Jugosllavinë e kohës,  dominimi i politikës jugosllave nga shovinizmi serbomadh, çështjet e brendshme të pazgjidhura, brenda republikave dhe në Federatën,  e cila mbahej duke u arnuar dhe duke anuar herë nga Lindja herë nga Perëndimi, por pa një perspektivë të qartë dhe të fuqishme për  të mbijetuar.

Gjatë viteve 80, konkretisht prej vitit 1981 e deri në vitin 1990, nuk kemi evidentuar ndonjë shkrim apo analizë tjetër më të thellë, më domethënësë, më të fuqishme dhe më të argumentuar, sidomos jo nga mesi i të burgosurve politikë të asaj kohe, madje as në shtypin ilegal të kohës, por as në publikimet e “Zërit të  Kosovës”.

Kjo dëshmi e kohës,  e cila po publikohet për herë të parë në Radion-Kosova e Lirë, 32 vjet pas, e protokolluar nga organet relevante të regjimit të kohës, që mbanë datën, 6.10.1982është një kontribut i veçantë për historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare dhe një dëshmi për të parë dhe për t’ u bindur përfundimisht se ajo Lëvizje kishte në mesin e vetë intelektualë dhe revolucionarë të mirëfilltë, idealistë të farkuar nëpër barrikadat e luftës,  të cilët edhe në dekadat në vijim mbartën mbi supe fatin e luftës për liri e bashkim, duke qenë edhe pjesë vitale e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Roli i Nezir Myrtajt në këtë lëvizje është i veçantë, por jo sa duhet i njohur për opinionin.  Ahmet Qeriqi

Nezir Myrtaj: ANKESË Lidhur me aktgjykimi nr.69/82 të datës 10.7.1982

Nr. i protokollit: 6.10.1982

Gjykatës së Qarkut në Prishtinë

për  Gjykatën Supreme të Kosovës

ANKESË Lidhur me aktgjykimi nr.69/82 të datës 10.7.1982

(Ankesa është shkruar Burgun e Mitrovicës)

 “Komunistët e quajnë një gjë të shëmtuar të fshehin pikëpamjet dhe qëllimet e tyre. Ata deklarojnë haptazi se qëllimet e tyre mund të arrihen vetëm duke përmbysur me forcë gjithë rendin shoqëror ekzistues. Le të dridhen klasat sunduese përpara Revolucionit Komunist. Proletarët s’kanë ç’të humbasin në të veç prangave të tyre. Ata kanë për të fituar gjithë botën”.

Marks-Engels

 Ka  një vit e gjysmë që toka e Kosovë ushton nga zhurma e tankeve dhe autoblindave të cilët në vete mbajnë të kurdisura mirë armë të zjarrit me grykë të drejtuara nga pleq e të rinj, gra e burra, nga male e fusha të Kosovës kreshnike dhe në atmosferën kosovare ngrenë re të dendura pluhuri të zi: ka një vit e gjysmë qëkur qielli kosovar është i mbuluar me aeroplanë reaktivë, zhurma e të cilëve po i prish gjumin e fshatit dhe qytetit; ka një vit e gjysmë qëkur populli ynë po u ekspozohet ndjekjeve, persekutimeve, arrestimeve dhe zhdukjeve fizike; po kaq kohë ka që kur dyert e gjyqeve famëkëqija të qyteteve kryesore të Kosovës janë të mbyllura dhe brenda tyre, të rraskapitur, të gjakosur e të dërmuar po marrin dënime të rënda ata që po i turbullojnë ujin e shtypësve të kësaj toke.

Forma dhe mjetet e luftës që dikur përdori gestapoja nazifashiste, sot po e përdor dhe zbaton me sukses ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi, sigurimi i saj shtetëror (UDB-a e dikurshme), e cila po torturon, dënon e gjakos bijtë më të mirë shqiptarë, të cilët sado pak guxojnë të ngrejnë zërin kundër realitetit jugosllav.

Edhe fashistët gjykonin e dënonin në emër të  popullit!

Sot regjimi jugosllav me paturpësinë më të madhe, ndaj popullit shqiptar të Kosovës po merr masa të papara shtypjeje e shfrytëzimi. Ndaj tij po zbaton politikën e diskriminimit jo vetëm ekonomik e shoqëror, por edhe politik. Nga njëra anë, ata, me çdo formë e mjet po sulmojnë çdo gjë përparimtare shqiptare, duke mohuar edhe identitetin kombëtar shqiptar, kurse bijtë shqiptarë përparimtarë po i kalbë nëpër burgjet më të rënda jugosllave dhe nga ana tjetër ata po i quan armiq të popullit. Udhëheqja jugosllave e fryrë nga politika, vërtet nacionaliste e shoviniste, e trashëguar nga regjimet e Jugosllavisë së vjetër, krajliste, sot kur populli i Kosovës kërkon të drejtat e veta të ligjshme, ka humbur krejt durimin prej udhëheqjeje dhe mundohet ta frikësojë një popull me dënime dhe ekzekutime. Ajo përpiqet që me një gur t’i vrasë dy zogj. Pra nga ana tjetër ajo aksionet e veta i propagandon si të domosdoshme, si mbrojtëse të interesave kombëtare edhe të shqiptarëve në Jugosllav. Megjithatë e, vërteta ekziston. Gjyqe të organizuara në mënyrë qesharake, ku gjyqtari kryesor luan rolin më komik në ngjarje, i diktuar nga lart, ndan “drejtësinë” me shpatën e Demokleut. Vendi ku mbahet gjykimi rrethohet nga kordon policësh dhe “armiqtë e popullit”, gjykohen me dyer të mbyllura pa prezencën e popullit dhe në propagandë trumbeton luftën kundër “kundërrevolucionarëve”, kundër “nacionalistëve e irredentistëve shqiptarë”. Por, jo zotërinj politikanë jugosllavë dhe ju besimtarë të tyre shqiptarë. Armiq të popullit shqiptar janë ata që ia kanë frikën atij, ata që e dënojnë atë me dyer të mbyllura, ata që po e ndajnë e shajnë atë. Këtë e din populli im, por e di edhe armiku i tij. Kundërrevolucionarë janë ata që e tradhtuan revolucionin e filluar në Jugosllavi, ata që realizuan politikë grabitçare, ata që zbatuan polikë dinake hegjemoniste nënë maskën e bashkëpunimit dhe të politikës marksiste: kundërrevolucionarë janë ata që sot e kanë katandisur në shfrytëzim e mjerim një numër popujsh, ata që shkelën në gjakun e mijëra dëshmorëve, ata që sot janë ngrit nëkëmbë kundër popullit të Kosovës.

Tashmë në fjalorin politik jugosllav, ka kohë që po përdoret dhe ka zënë rrënjë shprehje, “Lufta për fitimin e betejës në Kosovë”, “Lufta për Kosovën”, “Lufta kundër shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova”, “Lufta për përfitimin e rinisë në Kosovë”, e të tjera shprehje si këto. Dhe po të përmblidhen të gjitha këto do të thotë lufta kundër një populli-parullë e vetme, kryesore fashiste të cilën e përbuzën dikur edhe regjimet borgjeze dhe të cilën e urrejnë të gjithë popujt përparimtarë në botë. Kjo “luftë për Kosovën” nuk është e re, është luftë e reklamuar dhe e shpallur qysh nga Karagjorgjeviqët e Obrenoviqët, Car Dushanët dhe Llazareviqët, të cilëve sot po u ngrihen përmendore të larta, kurse sot po zbatohet e vazhdohet me mjete e forma të cilat sado që të jenë të përpunuara, prapë se prapë nuk fshehin dot karakterin e vrazhdë të tyre. Shqiptari në trojet e veta në Jugosllav, për asnjë moment nuk është i sigurt, ai di vetëm si erret, por nuk di si do të gdhihet, ai di vetëm kur fillon në rrugë apo në punë, por nuk mund ta dijë si përfundon rrugën apo punën; në shtëpitë shqiptare, në netët e errëta hyjnë hije të zeza dhe u shtinë tmerrin edhe fëmijëve të vegjël duke e mbytur tërë shtëpinë në vaj; shtëpitë shqiptare sot, në Jugosllavinë “vetëqeverisëse” po rrethohen me forca ushtarake e policore të armatosura gjer në dhëmbë, bile edhe po bombardohen.

Çdo shqiptar i ndershëm në Jugosllavi, sot mbas vete po tërheq hije të zeza që i ndjellin zinë atij, duke e kërcënuar me vdekje e çmendje. Këto hije të zeza po e mbrojnë dhe sigurojnë sistemin socialist “me fytyrë njeriu”. Dhe për të maskuar e mbuluar këto masa të poshtra kundër popullit shqiptar, udhëheqja e sotme jugosllave po hedh gur e balt mbi të, po e akuzon për popull grabitçar, shovinist, nacionalist e racist. Qesharake! Në këtë rast të përkujtohet akuza që ujku ia bën qengjit për turbullimin e ujit.

Sot kur Kosova me gjithë pasuritë e shumta tokësore dhe nëntokësore, është vendi më i pazhvilluar në Jugosllavi, kur shumë nga fshatrat e saj janë ende në terr, edhe pse gjigantët e “Kosovës” ndriçojnë territoret e tjera jugosllave, kur punëtori shqiptar më shumë se çdo punëtor tjetër është i shfrytëzuar dhe i detyruar të marrë rrugën e kurbetit, kur Kosova është bërë lëndinë lotësh, kur kosovari vuan për një kilogram vaj e sheqer, një thes miell e mjete të tjera elementare të jetesës, ju revizionistë jugosllavë, së bashku me shërbëtorët tuaj po dënoni “nacionalistët” e “irredentistët” shqiptarë. Ju që i keni zënë frymën këtij populli, më pak  se çdo kush tjetër keni të drejtë të na dënoni në emër të popullit.

Vazhdon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …