Mbrojtja e Bashkim Smakajt, ish-shefit të AKI-së, ka akuzuar Prokurorinë e Hagës për fshehje të qëllimshme të një prove shfajësuese në rastin e akuzës për pengim të drejtësisë. Sipas një parashtrese të dorëzuar në Gjykatën Speciale, mbrojtja pretendon se Prokuroria nuk ka bërë të ditur ekzistencën e një interviste të një dëshmitari kyç, të dhënë më 6 dhjetor 2023, e cila sipas tyre dëshmon se Smakaj nuk ka ndikuar në dëshminë e tij. Alegacionet kryesore të mbrojtjes së Smakajt përfshijnë: Fshehjen e intervistës së Dëshmitarit 2, e cila sipas tyre rrëzon akuzat se Smakaj ka ndikuar në dëshmitarë. Mungesën e kësaj prove në kërkesën për konfirmimin e aktakuzës dhe në dokumentet shoqëruese. Pretendimin se nëse kjo provë do të ishte paraqitur, do të kishte ndikuar në vendimin për konfirmimin e aktakuzës. Mbrojtja e cilëson këtë veprim si një “lëshim shokues” dhe kërkon që ky fakt të merret në konsideratë në shqyrtimin e mëtejmë të çështjes.
